Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Udhëzimi për faljen e faturave të energjisë, gati në qershor

Rusmali: Ministria e Financave po punon për kategorizimin e përfituesve të rinj
Udhëzimi për faljen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike do të jetë gati brenda qershorit. Pas miratimit të ligjit të faljes fiskale, edhe faturat e papaguara të energjisë elektrike, apo gjobat e vendosura mbi to do të bëhen pjesë e procesit. Sipas drejtoreshës Juridike në Ministrinë e Financave, Linda Rusmali, për aplikimin e faljes së faturave të energjisë elektrike po hartohet një udhëzim i ri ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Punës, për kategorizimin e përfituesve. Ligji për faljen dhe legalizimin është cilësuar si gjithëpërfshirës. Zbatimi i këtij ligji pritet t’i japë ekonomisë shqiptare një impuls zhvillimi, si dhe të fusë në qarkullim miliona para. Ministria e Financave është duke punuar për përpilimin e këtij udhëzimi në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Punës dhe Çështjeve Sociale, për të identifikuar dhe kategorizuar përfituesit që do të bëhen pjesë e këtij procesi. Ky është një detyrim që buron nga ligji, pasi në pikën e fundit të nenit 29 të ligjit për faljen fiskale përcaktohet pikërisht afati për nxjerrjen e këtij udhëzimi. “Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Ministria e Punës dhe Ministria e Brendshme që, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin udhëzimin për përcaktimin e procedurave, dokumentacionit dhe rregullave për mënyrën e evidentimit të debitorëve që përfitojnë nga kjo falje”, theksohet në ligj. Qytetarët apo bizneset që duan të përfitojnë nga ligji i faljes duhet të presin edhe këtë muaj për t’iu drejtuar më pas institucioneve përkatëse për të plotësuar formularin. Në thelb procesi do të jetë vetëm një fshirje e detyrimit nga bilanci financiar i Korporatës Elektroenergjetike, pasi zbritja e këtyre detyrimeve do të bëhet në letrat e saj. Ligji përcakton se për efekte fiskale, këto detyrime nuk do të njihen as si borxh i keq dhe as si shpenzim i njohur.
Kategoritë sipas ligjit
Ligji përcakton se do të falen detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike, të faturuar dhe të papaguar deri më 31 dhjetor 2006, ndaj shoqërisë KESH nga debitorët familjarë. Po kështu do të falen edhe kamatëvonesat e përllogaritura nga mospagesa e faturave të mësipërme. Kategoritë përfituese që tashmë rezultojnë si debitorë janë kryefamiljarët e familjeve që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike, familjet me anëtarë persona me aftësi të kufizuara, të verbër, paraplegjikë ose tetraplegjikë, të lindur ose të bërë të tillë, kur personi është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik a privat ose të vetëpunësuar në sektorin privat, kryefamiljarët që përfitojnë pagesë papunësie, pensionistët kryefamiljarë që jetojnë vetëm ose kanë fëmijë të papunë në ngarkim dhe pa të ardhura, pensionistët kryefamiljarë për të gjitha kategoritë, si dhe përfituesit me trajtim të veçantë, që kanë masë përfitimi më të vogël se pensioni minimal, kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik a privat ose nuk janë të vetëpunësuar, si dhe gratë kryefamiljare, apo të gjithë personat kryefamiljarë që gëzojnë statusin e jetimit. Nga ligji i faljes do të përfitojnë të gjitha kategoritë e mësipërme që gëzojnë statusin, apo ata që e kanë përfituar këtë status datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Detajimet e bëra deri më tani lidhur me numrin e përfituesve potencialë klasifikojnë një numër të madh debitorësh familjarë me rreth 270 mijë abonentë. Në vendimin e miratuar nga qeveria pak kohë më parë lidhur me faljen e detyrimeve të energjisë elektrike për shtresat në nevojë është specifikuar se, “falen detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike të faturuar dhe të papaguar ndaj shoqërisë KESH sh.a., nga debitorët familjarë deri më 31.12.2006. Për këtë shoqëria KESH sh.a. të bëjë zbritjen e këtyre detyrimeve nga bilancet financiare të saj”. Ndërsa, institucionet përgjegjëse si Ministria e Punës, Ekonomisë, Financave dhe ajo e Brendshme do të hartojnë udhëzimet përkatëse në lidhje me procedurat që do të ndiqet për evidentimin e saktë të familjeve që do të përfitojnë faljen e detyrimeve të prapambetura të energjisë.
Verifikime për listat e përfituesve
Pas shpalljes së udhëzimeve, procedurave dhe dokumentacioneve që do të kërkohen për evidentimin e familjeve që do të përfitojnë nga falja e detyrimeve të energjisë në vitet e përcaktuara puna do të zbresë në terren. Strukturat përkatëse, si Shërbimi Social Shtetëror, Instituti i Sigurimeve Shoqërore apo institucionet e tjera homologe në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor do të klasifikojnë listat zyrtare me kategoritë përfituese. Aktualisht ende nuk janë dërguar pranë këtyre strukturave shkresat zyrtare që konfirmojnë nisjen e punës për evidentimin pranë njësive të qeverisjes vendore të listave që do të përfitojnë nga ky vendim. Megjithatë, lista e përfituesve të ndihmës ekonomike gjatë këtyre viteve ka pësuar ndryshime të shumta. Kjo pasi shumë familje i janë larguar skemës së trajtimit për shkak të abuzimeve apo arsye të caktuara, teksa shumë familje të tjera i janë shtuar. Lidhur me këto përcaktime ende nuk është zyrtarizuar se si do të veprohet dhe në do të përfitojnë këto familje nga falja e detyrimeve.
Udhëzimet për procedurën
Tashmë janë udhëzuar institucionet përgjegjëse, e veçanërisht grupet e punës për përgatitjen e udhëzimeve specifike, mbi të cilat do të përcaktohet procedura së bashku me listën e dokumentacioneve përkatëse që do të kërkohen për evidentimin e debitorëve që do të përfitojnë nga falja e detyrimeve për energjinë elektrike sipas afateve kohore të përcaktuara. Për këtë, ekspertët e Ministrisë së Punës, asaj të Ekonomisë, Financave dhe Ministrisë së Brendshme do të shpallin udhëzimet për procedurën që do të ndiqet për faljen e detyrimeve te kategoritë e parashikuara. Gjithashtu, janë parashikuar si kategori e veçantë edhe pensionistët që jetojnë të vetëm dhe nuk kanë të ardhura të tjera, si dhe invalidët e punës, pavarësisht se mund të kenë pensione më të larta se pensioni minimal. Këto dy kategori cilësohen si grupe vulnerabel, sepse invalidët që janë në moshë mesatare nën 40 vjeç kanë detyrime më të mëdha familjare. Gjithashtu, sipas detajimeve të bëra është specifikuar që pensionistët që jetojnë vetëm, pavarësisht nga masa e pensionit, do të klasifikohen si kategori më në nevojë dhe do të përfitojnë nga falja e detyrimeve.
Krahas përfituesve edhe 1 mijë kryefamiljarë me statusin e jetimit
Sipas përcaktimeve të bëra deri tani në lidhje me kategoritë përfituese bëhet me dije se falja e detyrimeve do të shkojë edhe për jetimët. Konkretisht është pohuar se skema do të përfshijë edhe kategorinë e personave që kanë përfituar statusin e jetimit dhe sipas llogaritjeve të bëra pohohet të shkojnë në rreth 1000 kryefamiljarë që gëzojnë statusin. Megjithatë, në udhëzimet përfundimtare që do të nxirren nga institucionet do të përcaktohet edhe procedura e plotë se si do të veprohet për secilën shtresë përkatëse, që do të përfitojë nga falja e detyrimeve të prapambetura të energjisë.
Kategoritë që bëhen automatikisht përfituese
– Kryefamiljarët e familjeve që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike.
– Familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të verbër, paraplegjikë ose tetraplegjikë, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të komisioneve mjekësore të posaçme dhe që përfitojnë pagesë aftësie të kufizuar kur personi është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose privat, ose të vetëpunësuar në sektorin privat.
– Kryefamiljarët që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk kanë të ardhura të tjera.
– Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura dhe janë të papunë.
– Kryefamiljarët që përfitojnë pension për të gjitha kategoritë, si dhe përfituesit me trajtim të veçantë që kanë masë përfitimi më të vogël se të ardhurat minimale që përfitojnë pensionistët që janë pa të ardhura të tjera.
– Kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose privat ose nuk janë të vetëpunësuar.
– Gratë kryefamiljare.
– Të gjithë personat kryefamiljarë që gëzojnë statusin e jetimit. Konkretisht në draftin e propozuar konfirmohet se nga kjo falje do të përfitojnë edhe kategoritë e personave që kanë përfituar statusin e jetimit, ku sipas përcaktimeve të bëra mendohet që numri i tyre të shkojë rreth 1000 përfitues.

Gazeta Rilindja Demokratike, 05.06.2011