Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Cez në negociata për blerjen e HEC –ve të Bistricës

Cez Albania, kompania që ka monopolin në shpërndarjen e energjisë elektrike, është interesuar për të operuar edhe në sektorin e prodhimit. Lajmin e kanë konfirmuar burimet në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, ndërkohë që burimet zyrtare të Cez kanë pohuar interesin për të shtrirë aktivitetin edhe në sektorin e prodhimit. Sipas burimeve të tregut, CEZ Albania synon të blejë disa hidrocentrale ekzistuese në pjesën jugore të Shqipërisë. Me këtë lëvizje, CEZ Albania synon vertikalizimin e shoqërisë, duke u kthyer nga shpërndarës dhe në prodhues të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, CEZ Albania nuk do të jetë e varur 100% nga KESH dhe nga importi, por do të ketë dhe pjesën e saj në prodhimin e energjisë në vend. Prej bisedimeve që kanë nisur tashmë ndërmjet qeverisë dhe Cez, pritet që të finalizohet se cilët nga hidrocentralet do të zgjidhen që të fillojë procedura e blerjes. Këtu bëhet fjalë për hidrocentrale të vogla dhe të mesme, për shkak se HEC –et e mëdha që shtrihen në lumin Drin do të mbeten në pronë të shtetit. Sipas burimeve të MAPO-s bëhet fjalë për katër hidrocentrale të rëndësishme që CEZ është në negociata për t’i blerë. Fjala është për shitjen e dy hidrocentraleve mbi lumin Mat, hidrocentralet e Ulzës dhe të Shkopetit, si edhe dy hidrocentralet e Bistricës në Jug të vendit. Hidrocentrali i Ulzës është vënë në punë në vitin 1958. Ai është hidrocentrali i parë i ndërtuar në kaskadën e lumit Mat. Ai ka fuqi të instaluar totale 25 megavat. Ndërsa hidrocentrali i Shkopetit, i dyti në kaskadën e Matit, me fuqi 24 megavat, si edhe dy hidrocentralet e Bistricës, me fuqi përkatësisht 22 dhe 2 megavat, janë ndërtuar në harkun kohor 1960 dhe 1966. Në të katër këto hidrocentrale, në vitet e fundit ka pasur rehabilitime të thella. Në fakt shitjen e këtyre katër hidrocentraleve e ka lajmëruar ish-ministri i Energjetikës, Ilir Meta, në kohën kur drejtoi dikasterin e energjetikës. Meta ishte duke bërë një reformë të thellë në privatizime, ku ishte përfshirë shitja e Albpetrolit dhe licencimi disa kompanive të tjera në shpërndarjen e energjisë elektrike. Interesi për të investuar në sektorin shqiptar të energjetikës në fakt ka qenë i lartë vitet e fundit, por kriza e brendshme politike dhe kriza ekonomike globale kanë stopuar planet e investitorëve. Për pasojë kanë mbetur në letër disa kontrata të mëdha të qeverisë, që kishin të bënin me ndërtime HEC-esh dhe me ndërtimin e disa platancioneve që do të prodhonin energji nga era. Më 11 mars 2009, qeveria e Shqipërisë dhe CEZ Group hartuan dhe nënshkruan kontratën për përvetësimin e 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Duke pasur ofertën më të mirë, CEZ u përzgjodh si fitues nga komisioni tenderues në tetor 2008 dhe kompania filloi të administrohej zyrtarisht nga CEZ, më 30 mars 2009. Vlera e kontratës për shumicën e aksioneve të OSSH është 102 milionë euro.

Gazeta Mapo, 24.05.2011