info@energjia.al

VENDIM

Nr. 180, datë 8.11.2017

MBI MIRATIMIN E “METODOLOGJISË SË LLOGARITJES SË TARIFAVE TË TRANSMETIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE”

Në mbështetje të neneve 16; 19, germa “b”; 20, germa “a”; 108 dhe 110, të ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, si dhe në zbatim të nenit 26 të “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”, miratuar me vendimin nr. 96, datë. 17.6.2016; bordi i ERE-s, në mbledhjen e tij të datës 8.11.2017, mbasi shqyrtoi relacionin e përgatitur nga Drejtoria e Tarifave dhe e Çmimeve, për miratimin e “Metodologjisë së llogaritjes së tarifave të transmetimit të Energjisë Elektrike”,

konstatoi se:

- Drejtoritë teknike në bashkëpunim me konsulencën e USAID-it përgatitën dhe paraqitën në bord, në muajin shtator 2017, draftin e “Metodologjisë së llogaritjes së tarifave të transmetimit të energjisë elektrike”.

- Bordi i ERE-s me vendimin nr. 157, datë 28.9.2017, miratoi fillimin e procedurave për miratimin e “Metodologjisë së llogaritjes së tarifave të transmetimit të energjisë elektrike”.

- Me shkresën nr. 100/49 prot., datë 2.10.2017, ERE ka publikuar me median e shkruar, njoftimin për fillimin e procedurës për miratimin e “Metodologjisë së llogaritjes së tarifave transmetimit të energjisë elektrike”.

- Me shkresën nr. 651 prot., datë 4.10.2017, ERE njoftoi OST sh.a., OSHEE sh.a., Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetin e Konkurrencës, Avokatin e Popullit, Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorëve, Shoqatën e Mbrojtjes së Konsumatorit Shqiptar, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Konfederatën e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Konfindustrian, AAES, AREA, FIAA, ACERC dhe Shoqatën e Prodhuesve të Vegjël të Energjisë Elektrike për fillimin e procedurës për miratimin e metodologjisë së tarifave të transmetimit të energjisë elektrike dhe u kërkoi të paraqesin opinionet apo komentet e tyre në lidhje me këtë metodologji.

- OST sh.a., me shkresën nr. 5316/1 prot., datë 13.10.2017, paraqiti në ERE komentet lidhur me draftin e propozuar të metodologjisë së llogaritjes së tarifave të transmetimit të energjisë elektrike, të cilat u diskutuan edhe në seancën dëgjimore të zhvilluar në ERE, në datën 20.10.2017. Komenti i OST-së për përjashtimin e faturimit të energjisë reaktive, u pranua duke u hequr edhe nga metodologjia e llogaritjes së tarifave të transmetimit të energjisë elektrike.

Për gjithë sa më sipër, bordi i ERE-s

VENDOSI:

1. Të miratojë “Metodologjinë e llogaritjes së tarifave të transmetimit të energjisë elektrike” (bashkëlidhur).

2. Drejtoria e Tarifave dhe e Çmimeve të njoftojë të interesuarit për vendimin e bordit të ERE-s.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Ky vendim botohet në Fletoren Zyrtare. Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën Administrative Tiranë, brenda 30 ditëve kalendarike nga botimi në Fletoren Zyrtare.

RYETARI Petrit Ahmeti

Për të lexuart vendimin e plotë klikoni këtu.

energjia.al  27.11.2017

Fitimet e Operatorit të Transmetimit të Energjisë shënuan një rënie vjetore me 15.6 për qind në periudhën janar-shtator 2018.

Kompania raportoi pasqyrat financiare të tremujorit të tretë të vitit, ku u pa se fitimi para taksave ishte 1.4 miliardë lekë nga më shumë se 1.6 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rezultati financiar i kompanisë u përkeqësua për shkak të rënies së të ardhurave me gati 20 për qind.

Arkëtimet e OST-së në fund të 9-mujorit arritën në rreth 3.3 miliardë lekë nga 4.1 miliardë që ishin një vit më parë. Burimet nga kompania pohuan se rënia e fitimeve ishte e pritshme për shkak të disa zhvillimeve në tregun e energjisë.

Volumet e tregtimit kanë rënë këtë vit, pasi OSHE është duke plotësuar një pjesë të nevojave për mbulimin e humbjeve nga tregu vendas nëpërmjet blerjes së energjisë nga koncensionarët. Për pasojë është ulur edhe transmetimi i depozitimeve të energjisë.

Gjatë këtij viti OST ka zhvilluar rregullisht ankandin vjetor, mujor dhe ditor të kapaciteteve të interkonjeksionit për kufirin Shqipëri-Kosovë, ndërsa për kufijtë e tjerë ky ankand zhvillohet nga Zyra e Koordinuar e Ankandeve për Europën Juglindore SEE CAO.

OST do të ketë një perspektive më të mirë financiare kur ajo të bëhet pjesë e një rrjeti me më të gjerë transmetimi.

Mosfunksionimi e linjës së të transmetimit Shqipëri-Kosovë dhe humbja e shanseve për të ndërtuar një linjë transmetimi nënujore me Italinë i ka zvogëluar perspektiven e kompanisë në të ardhmen.

Planet për zgjerimin nga Maqedonia të rrjetit të transmetimit pritet të rrisin disi kapacitetet. Linja e re transmetimit Elbasan -Manastir 400 kilovolt nga pikëpamja strategjike përforcon lidhjet interkonjektive me rajonin, duke krijuar kushte më të mira për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajonin e Evropës Juglindore.

Projekti pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në krijimin e mundësive tregtare për shkëmbime ekonomike të energjisë elektrike nëpërmjet vendeve të rajonit dhe në ndarjen e rezervës që do të kontribuojë në një siguri më të madhe të funksionimit të sistemeve elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Revista Monitor,  03.11.2017

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kërkon ndryshime në legjislacion përpara se kompania Albgaz, të konsiderohet plotësisht e pavarur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, Sekretariati ka bërë publik opinionin mbi certifikimin e operatorit shqiptar të sistemit të transmetimit të gazit natyror, sipas Paktit të Tretë të Energjisë.

Opinioni mbështet certifikimin nga Enti Rregullator i Energjisë, por duke iu nënshtruar disa kërkesave dhe kushteve shtesë.

Në këtë kuadër, ky organizëm e vë theksin pikërisht te ndryshimi i ligjit aktual, duke i kujtuar ERE-s se vendimi  përfundimtar i certifikimit, duhet marrë duke patur parasysh maksimalisht Opinionin e Sekretariatit.

Gjithashtu, ky organizëm vë në dukje se ky detyrim rrjedh nga Direktiva e Parlamentit dhe Këshillit Evropian “Për rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të gazit natyror”.

Në mesin e muajit gusht, ERE miratoi fillimin e procedurës për licencimin e Albgaz në aktivitetin e transmetimit të gazit natyror, por në vendim argumentohej se shoqëria plotësonte pjesërisht kërkesat e parashikuara nga ERE.

Kjo vihej re kryesisht në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar për këtë proces, ndërkohë që vetë shoqëria është shprehur publikisht se po ndjek me përpikëri të gjithë hapat përsa i përket përmbushjes së dokumentacionit specifik për marrjen e licencimit.

Scan Tv,  11.10.2017

Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë nuk derdh fitimet në arkën e shtetit që prej vitit 2011. Konstatimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka audituar financat e këtij institucioni në fillim të vitit 2017.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit vlerëson se të ardhurat e munguara në buxhet nga OST për vitet 2011-2015 arrijnë në më shumë se 846 milionë lekë, afërsisht 8 milionë dollarë.

KLSH nënvizon në raport se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila ka në pronësi Operatorin e Transmetimit, më 5 shkurt 2016 i ka kërkuar Këshillit Mbikëqyrës marrjen e masave të menjëhershme për likuidimin e vlerës duke caktuar një skedul likuidimi.

Ndërkaq, deri në fund të vitit 2016 OST nuk ka llogaritur asnjë kamatë vonesë ndaj OSHEE për detyrimin që ajo ka ndaj OST SH.A për shërbimin e transmetimit, detyrim i cili deri në 31.12.2016 është 8,6 miliardë lekë.

Ndërkohë që kamatëvonesa e detyrimeve për vitin 2016 e llogaritur nga grupi i auditimit deri në fund të periudhës së auditimit është 292 milionë lekë.

Scan Tv,  11.08.2017

Operatori i Sistemit të Transmetimit raportoi se fitimi pas taksave i kompanisë në pjesën e parë të vitit arriti në 653 milionë lekë.

Kjo shifër rezultoi pas pagesës së detyrimeve tatimore prej 115 milionë lekësh në arkën e shtetit.

Vetëm 6-mujorin e parë të këtij viti, Transmetimi ka paguar sa 68% e fitimit pas taksave, të paguar në 2016-n (OST nuk ka bërë publike të dhëna për 6-mujorin e parë 2016, por vetëm për gjithë vitin 2016).

Nga të dhënat e fundit zyrtare rezulton që OST të ketë qarkulluar të ardhura nga shërbimet e transmetimit në nivelin 2.2 miliardë lekë deri në fund të qershorit të këtij viti. Këto të ardhura rezultojnë të jenë më shumë se 50% e të ardhurave të arkëtuara në fund të vitit të kaluar zë që konkretisht ishte 4.2 miliardë lekë.

Kompania e transmetimit duket se ka një ecuri të qëndrueshme të financave të saj në raport me dy kompanitë e tjera të sistemit KESH dhe OSHEE. E para ka një rënie të dukshme të të ardhurave si rezultat i situatës së përkeqësuar hidrike, e cila aktualisht është e limituar edhe për prodhim vendas.

Kurse OSHEE, edhe pse ka një ecuri të mirë të treguesve në arkëtime dhe ulje të humbjeve, po çon një pjesë të mirë të parave në importe, duke vënë në pikëpyetje edhe respektimin e plotë të planit të investimeve.

OST, që për momentin duket në një situatë më të qëndrueshme në gjenerimin e të ardhurave, por në kushtet kur ka vonesa në likuidimin e detyrimeve të prapambetura që i kanë operatorët e tjerë, po has vështirësi në shlyerjen e kredive që vetëm për vitin për vitin 2017 llogariten në 25 milionë euro.

Shpenzimet e interesit rezultojnë 271 milionë lekë sa 36% e shpenzimeve të interesit të bëra nga ana e operatorit gjatë gjithë vitit 2016.

Kostot e transmetimit nga ana tjetër duken të jenë dukshëm të ulëta deri në qershor nëse krahasimin e bëjmë me të dhënat e disponueshme të vitit 2016. Në qershor 2017, këto kosto ishin 34 milionë lekë, kurse në deri në dhjetor 2016, 583 milionë lekë.

Rënia, zhvlerësimi dhe amortizimi ishin 1 miliard lekë në fund të qershorit të këtij viti ose sa 50% e amortizimit të një viti më parë.

Revista Monitor,  02.08.2017

Enti Rregullator i Energjisë miratoi tarifën e përkohshme të transmetimit të gazit që do të jetë e vlefshme deri në shtator të këtij viti. Tarifa e transmetimit të gazit natyror do të jetë 25.2 lekë/, tarifë kjo e rënë dakord me Shoqërinë “Albetrol” sh.a. njoftoi ERE. Shqipëria nuk ka linja të transmetimit të gazit, por tarifat do të miratohen për ti paraprirë zhvillimeve në sektor nga projekti TAP.

Tarifa do të administrohet nga shoqëria ALBGAZ sh.a, e cila u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 848, datë 07.12.2016 “Për krijimin e shoqërisë ALBGAZ sh.a. dhe përcaktimin e Autoritetit Publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të shoqërive Albpetrol sh.a. dhe ALBGAZ sh.a.

” ERE me Vendimin nr. 82, datë 26.05.2017, vendosi certifikimin paraprak të Shoqërisë “ALBGAZ” sh.a., si Operator i Kombinuar i Gazit Natyror në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenet përkatëse të Ligjit nr. 102/2015, “Për Sektorin e Gazit Natyror”.

Albgaz kërkoi që për periudhën 20.02.2017 – 20.09.2017 tarifa e transmetimit të gazit natyror të jetë 40 Lekë/m3 me TVSH (pa TVSH 33.33 Lekë/m3). ERE me shkresën nr. 167/1, datë 28.02.2017 i kërkoi Shoqërisë “ALBGAZ” sh.a., informacion të detajuar dhe argumentet përkatëse në lidhje me kostot e shërbimit të transmetimit të gazit natyror në zbatim të “Rregullores për organizimin, funksionimin dhe procedurat e ERE-s”.

Me anë të shkresës Nr.93/4, datë 13.03.2017, Shoqëria “ALBGAZ” sh.a. paraqiti në ERE informacion shtesë për të argumentuar kërkesën për tarifë.

ERE në datë 29.03.2017, zhvilloi seancë dëgjimore me palët Shoqëria “ALBGAZ” sh.a. dhe Shoqërinë “Albpetrol” sh.a., me qëllim qartësimin e kërkesave në lidhje me aplikimin për tarifën e transmetimit të gazit natyror.

Më pas ERE vendosi miratimin e tarifës së përkohshme të transmetimit të gazit natyror nga shoqëria “ALBGAZ” sh.a. prej 25 Lekë/m3 , për periudhën 05.01.2017 – 20.09.2017. 2. Përditësimi dhe kompensimi i të gjitha efekteve të mundshme financiare për shoqërinë “ALBGAZ sh.a.” për periudhën 05.01.2017 – 20.09.2017, do të  bëhet në periudhën pasardhëse sipas përcaktimeve të nenit 17, pika “e” të Ligjit nr.102/2015 “Për Sektorin e Gazit Natyror”.

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka ankimuar vendimin numër 52 të Entit Rregullator të Energjisë lidhur me çmimin që aplikohet nga kompania për shërbimin e saj. Në një kërkesë paraqitur në ERE, OST argumenton se nuk ka të ardhura të mjaftueshme për t’ju përgjigjur shlyerjes së detyrimeve që ka për kreditë e marra dhe  investimet e nevojshme.

Por Enti pas një analize të bërë së fundmi në mbledhjen e kësaj të marte vendosi se OST ka gjithë mundësitë për likujditet, mjaft që të arkëtojë detyrimet që i ka Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Për ta pasur këtë raport sa më të drejtë mes dy operatorëve dhe të kemi arkëtim të faturës korrente por edhe të detyrimeve të vjetra ERE propozoi që të krijohet një procedurë periodike monitorimi mbi pagesat.

Në këto kushte OST do të arkëtojë në kohë paratë për të cilat ka nevojë. ERE vendosi të lerë në fuqi tarifën e vjetër të transmetimit prej 0.65 lekë/kwh ndërkohë që në aplikimin fillestar të saj OST kërkoi një çmim 1.17 lekë/kwh.

Scan Tv,  24.05.2017

Asambleja e Përgjithshme miratoi vendimin për antarësimin e OST sh.a. në ENTSO-E. Operatori shqiptar i transmetimit bëhet kështu pjesë e organizatës evropiane të operatorëve të transmetimit të energjisë elektrike. Vendimi i sotëm finalizon përpjekjet disavjeçare dhe vjen si rezultat i plotësimit të të gjithë kritereve nëpërmjet bashkëpunimin me ENTSO-E, kryerjes së investimeve strategjike në rrjetin e transmetimit dhe reformave ligjore sipas Direktive Evropiane. – thuhet në faqen zyrtare të ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri.

energjia.al  31.03.2017

Energjia që humbet në linjat e transmetimit dhe shpërndarje së energjisë vijon të lartë për shkak të amortizimit të rrjetit. Këtë humbje vetëm në sistemin e transmetimit pritet të arrijnë një vlerë prej 8 milionë euro në vit.

Përllogaritja është bërë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë dhe është raportuar pranë |Entit rregullator të energjisë i cili aktualisht po merret me konsultimin dhe përcaktimin e një tarifë të re të transmetimit për këtë vit.

Në bazë të ligjit për energjinë të vitit 2015, OST prokuron energjinë për të mbuluar humbjet që krijohen në rrjetin e transmetimit që përfshin linjat e tensionit të lartë..

Sipas relacionit të OST për vitin 2017 humbja e energjisë në rrjet është vlerësuar në rreth 160 milionë kilovatorë. Kjo sasi energjisë do të blihet me bazë tregu dhe është vlerësuar 160 milionë kilovatorë.

Çmimi i energjisë në bursa pritet që këtë vit të jetë mesatarisht 50 euro për MË/h dhe fondi për blerjen e kësaj sasie i korrespondon një vlerë prej mbi 1 miliardë lekësh ose 8 milionë eurosh.

Sistemi i transmetimit të energjisë elektrike në Shqipëri drejtohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST sh.a), një shoqëri publike me 100% të aksioneve shtetërore.

OST është krijuar në korrik 2004, si rezultat i reformimit dhe ndarjes së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, nga një shoqëri e organizuar vertikalisht me funksione të gjenerimit, transmetimit dhe Shpërndarjes së energjisë elektrike, në tre shoqëri të veçanta.

OST kryen funksionet e Operatorit të Rrjetit të Transmetimit, Operatorit të Sistemit të Dispeçimit dhe Operatorit të tregut.

Operatori i Transmetimit të Energjisë OST ka kërkuar dyfishim të tarifës për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Tarifa e kërkuar është 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht.

Sipas shpjegimeve që vetë OST ka dhënë, rritja e tarifës kërkohet për të realizuar rreth 7,6 miliardë lekë të ardhura që duhen për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit.

Revista Monitor,  17.02.2017

Operatori i Transmetimit të Energjisë OST ka kërkuar dyfishim të tarifës për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Tarifa e kërkuar është 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht.

Sipas shpjegimeve që vetë OST ka dhënë, rritja e tarifës kërkohet për të realizuar rreth 7,6 miliardë lekë të ardhura që duhen për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit. OST thotë se këtë vit, vetëm pagesat për anëtarësim në organizata europiane dhe rajonale kushtojnë mbi 500 mijë euro.

Nga të ardhurat 7,6 miliardë lekë, rreth 1.8 miliardë lekë llogariten të shpenzohen për të mbuluar kostot e amortizimit të rrjetit.

Më tej, kostot e personelit llogariten 1,2 miliardë lekë dhe 3,6 miliardë lekë të tjera llogariten si kosto operacionale, ku futet edhe blerja humbjeve në sistemin e shpërndarjes.

OST sqaron se 470 milionë lekë janë kosto tatimore. OST llogarit se të ardhurat nga alokimi i kapaciteteve këtë vit të jenë 1.2 miliardë lekë, ndaj tarifa e synuar për të mbuluar shpenzimet që nevojiten për këtë duhet të jetë 1.7 lekë për kilovatorë.

OST, në kërkesën drejtuar ERE-s, ka shpjeguar se gjatë periudhës 2012-2015, si dhe gjatë vitit 2016, OST nuk ka arritur të arkëtojë të gjithë të ardhurat e lejuara nga kjo tarifë. Kjo situatë ka rënduar gjendjen financiare të kompanisë, duke e bërë të pamundur shlyerjen e detyrimeve të saj.

Gjatë vitit 2015 kanë pasur një përmirësim në arkëtimet energjisë, por gjithsesi në fund të vitit, shuma totale që OSHEE i detyrohet OST është 8.3 miliardë lekë. Deri në fund të muajit nëntor të vitit 2016, OSHEE ka vijuar të shlyejë në një përqindje rreth 92% të faturës aktuale të energjisë elektrike.

Për vitin aktual synon koston totale duke përfshirë kostot e operimit, kostot e kapitalit  dhe taksat. Të gjitha këto kosto kërkojnë një tarifë 1.17 lekë për kilovatorë.

Revista Monitor,  07.02.2017