Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miratohet udhëzuesi për përcaktimin e zonave të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit

URDHËR Nr. 912, datë 27.12.2018

PËR MIRATIMIN E UDHËZUESIT PËR PËRCAKTIMIN E ZONAVE PËR AKTIVITETIN E TRANSMETIMIT DHE TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës, të pikave 4 dhe 5, të nenit 23, të ligjit nr. 102, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar,

URDHËROJ:

1. Miratimin e udhëzuesit “Për përcaktimin e zonave të aktivitetit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror”, sipas tekstit bashkëngjitur këtij urdhri.
2. Ngarkohen drejtoria dhe njësia përgjegjëse për sektorin e gazit, si dhe drejtoria përgjegjëse për shërbimet juridike në MIE për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË
Damian Gjiknuri

UDHËZUES

PËR PËRCAKTIMIN E ZONAVE PËR AKTIVITETIN E TRANSMETIMIT DHE TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Udhëzuesi “Për përcaktimin e zonave për aktivitetin e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror (në tekstin e mëposhtëm “Udhëzues”, përcakton kriteret dhe procedurat për caktimin e zonave të aktivitetit për
transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror brenda territorit të Republikës së Shqipërisë për sa ka të bëjë me ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, përkatësisht për përcaktimin e hapësirave të sakta në bazën territoriale dhe/ose infrastrukturore për ofrimin e shërbimeve të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror nga operatorët që do të autorizohen sipas termave dhe kushteve të përcaktuar në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe aktet e tjera ligjore në fuqi.
2. Personat që do të kryejnë rolin e operatorit të sistemit të transmetimit dhe/ose shpërndarjes së gazit natyror ndërtojnë dhe operojnë infrastrukturën, që do të përdoret për të ofruar shërbimet e tyre, në zona të dedikuara të shërbimit që përcaktohen me lejen që u jepet nga Këshilli i Ministrave në zbatim të kritereve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 11, të ligjit nr. 102/2015, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, si dhe do të zhvillojnë aktivitet në përputhje me licencën dhe kodet e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), si dhe aktet e tjera ligjore në fuqi.
3. Zonat e shërbimit për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së nevojshme për shërbimin e transmetimit dhe/ose shpërndarjes së gazit natyror përcaktohen dhe shtrihen duke marrë parasysh elementet dhe kushtet e mëposhtme:
3.1 Integritetin dhe ndërveprimin e sistemit të gazit natyror;
3.2 Efikasitetin ekonomik të aktiviteteve të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror;
3.3 Zhvillimin e infrastrukturës së gazit natyror, duke përfshirë zhvillimet e rëndësisë strategjike dhe kombëtare të miratuara specifikisht nga Këshilli i Ministrave;
3.4 Ndërveprimin efikas, të sigurt dhe të besueshëm midis sistemeve të ndryshme të brendshme të gazit natyror, duke përfshirë sistemet e transmetimit, shpërndarjes, depozitimit nëntokësor dhe/ose gazit natyror të lëngëzuar (GNL);
3.5 Zhvillimin e ndërlidhjeve me sistemet fqinje të gazit natyror dhe bashkëveprimin midis sistemeve të tilla të ndërlidhura;
3.6 Zhvillimin dhe hapjen e tregut të gazit natyror.
4. Të gjitha kushtet e përcaktuara në pikën 3, të këtij kreu, do të përdoren brenda kuptimit të përcaktuar në ligjin nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
Në përcaktimin e zonave për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së shërbimit të transmetimit dhe/ose shpërndarjes së gazit natyror krahas respektimit të përcaktimeve sipas pikës 3 më sipër, do të merret edhe opinioni i Entit Rregullator të Energjisë.
II. ZONAT E AKTIVITETIT PËR TRANSMETIMIN E GAZIT NATYROR
1. I gjithë territori i Republikës së Shqipërisë konsiderohet i përbërë nga zona shërbimi për transmetimin e gazit natyror, ku secila zonë konsiderohet si zonë e vetme shërbimi për transmetimin e gazit natyror, përveç rastit të referuar në pikën 5 të këtij kreu.
2. Zona e vetme e shërbimit për transmetimin e gazit natyror do të thotë se operatori i sistemit të transmetimit, i lejuar për të ndërtuar dhe operuar infrastrukturën e transmetimit të gazit natyror në atë zonë sipas një vendndodhje të përcaktuar, do të autorizohet nga ERE për të kryer veprimtarinë e transmetimit të gazit natyror në përputhje me ligjin nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe akte të tjera ligjore në fuqi, duke qenë ekskluzivisht përgjegjës në atë zonë të territorit të Republikës së Shqipërisë, për:
2.1 Operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të transmetimit të gazit natyror, duke përfshirë infrastrukturën e përdorur për transmetimin e brendshëm të gazit natyror dhe interkonektorët me sistemet fqinje të gazit natyror;
2.2 Ofrimin e shërbimeve të transmetimit të gazit natyror, duke përfshirë ato që lidhen me shërbimet e transmetimit të brendshëm dhe flukset ndërkufitare të gazit natyror;
2.3 Kryerjen e tërësisë së aktiviteteve të operatorit të sistemit të transmetimit brenda zonës së vetme të shërbimit sipas akteve ligjore në fuqi, duke përfshirë ndërveprimin e siguruar të sistemit të transmetimit të gazit natyror me sisteme të tjera të gazit natyror të ndërlidhur.
3. Personi që do të marrë të drejtën e ndërtimit dhe operimit të një infrastrukture të transmetimit të gazit natyror në një zonë të vetme shërbimi, për të realizuar rolin e operatorit të sistemit të transmetimit, me qëllim të certifikimit dhe licencimit të tij, do t’i sigurojë ERE-s të dhënat dhe informacionin e kërkuar për rrjetet e transmetimit të gazit natyror nën posedimin e tij brenda zonës së vetme të shërbimit. Rrjetet përkatëse, vendndodhja e të cilave përcaktohet në lejen që i jepet nga Këshilli i Ministrave personit përkatës në zbatim të kritereve dhe procedurave që kërkohen në respektim të kërkesave të nenit 11, të ligjit nr. 102/2015, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, do të specifikohen dhe përfshihen edhe në licencën e lëshuar nga ERE, si dhe do të jepen edhe në kushtet e miratuara të licencës për transmetimin e gazit natyror duke treguar tubacionet e veçanta të gazit natyror dhe objektet përkatëse të zotëruara nga operatori i sistemit të transmetimit, pikat e lidhjes me sistemet e tjera të ndërlidhura të gazit natyror dhe njësitë administrative të Republikës së Shqipërisë (qarqet dhe/ose bashkitë) ku ndodhen asetet e veçanta të infrastrukturës.
4. Licenca e ERE-s që do të lëshohet për transmetimin e gazit natyror, e cila nuk përmban tregues të shprehur të një zone shërbimi të qëllimit të veçantë, sipas pikës 5 të këtij kreu, nënkupton që operatori përkatës i sistemit të transmetimit do të jetë i autorizuar ekskluzivisht për transmetimin e gazit natyror brenda zonës së vetme të shërbimit.
5. Si përjashtim nga pika 1 e këtij kreu, mund të përcaktohet dhe shtrihet një zonë shërbimi e qëllimit të veçantë për transmetimin e gazit natyror për dhënien e lejes për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së re për kryerjen e shërbimit për transmetimin e gazit natyror në rast të zhvillimit të rrjetit të transmetimit të gazit natyror të një rëndësie strategjike e kombëtare që përcaktohet në lejen e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo zonë shërbimi e qëllimit të veçantë për transmetimin e gazit natyror do të përcaktohet si një tubacion i veçantë i transmetimit të gazit natyror ose si një rrjet i tubacioneve të transmetimit, duke përfshirë pajisjet përkatëse, i vendosur midis pikës lidhëse të përcaktuar me transmetuesin vendas të gazit natyror dhe/ose me sisteme të tjera të gazit natyror dhe/ose ata me sistemet e transmetimit të gazit natyror fqinj pa ndonjë kufizim territorial.
6. Në lidhje me një zonë shërbimi të qëllimit të veçantë për transmetimin e gazit natyror në të cilën është dhënë leja e nevojshme për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së re për transmetimin e gazit natyror, pika 2 e këtij kreu nuk zbatohet dhe rrjetet e transmetimit të gazit natyror brenda kësaj zone të shërbimit do të operohen, mirëmbahen dhe zhvillohen njësoj si edhe shërbimet përkatëse të transmetimit të ofruara nga operatori i sistemit të transmetimit i përcaktuar dhe i autorizuar, i cili zotëron tubacionin ose një rrjet tubacionesh përkatës të transmetimit të gazit natyror që përbëjnë një zonë shërbimi të qëllimit të veçantë për transmetimin e gazit natyror.
7. Në bazë të të dhënave dhe informacioneve që do të ofrohen në ERE nga operatori i sistemit të transmetimit me qëllim të certifikimit dhe të licencimit të tij, tubacioni ose një rrjet i tubacioneve të transmetimit të gazit natyror, që përbëjnë një zonë shërbimi të qëllimit të veçantë për transmetimin e gazit natyror, është rrjedhimisht i përcaktuar në licencën e lëshuar prej ERE-s dhe në kushtet e licencimit të adoptuara për transmetimin e gazit natyror, duke përfshirë pikat përkatëse të lidhjes me sistemet e gazit natyror të brendshme dhe/ose fqinje.
8. Ndërveprimi ndërmjet rrjeteve të transmetimit të gazit natyror që veprojnë brenda zonës së vetme të shërbimit dhe atyre që përbëjnë një zonë shërbimi të qëllimit të veçantë për transmetimin e gazit natyror, në rastet kur rrjetet e tilla janë të lidhura, edhe ndërveprueshmëria e rrjeteve të transmetimit të gazit natyror me sisteme të tjera të gazit natyror të ndërlidhur (domethënë shpërndarje, depozitim dhe GNL), po ashtu si edhe bashkëpunimi teknik dhe operacional ndërmjet operatorëve përgjegjës të sistemit, do të sigurohet sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në Kodin e Rrjetit të Transmetimit dhe aty ku është e përshtatshme, në aktet e tjera ligjore në fuqi në përputhje me ligjin nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
III. ZONAT E AKTIVITETIT PËR SHPËRNDARJEN E GAZIT NATYROR
1. I tërë territori i çdo njësie administrative të veçantë ose disa njësive administrative të Republikës së Shqipërisë (qarqet dhe/ose bashkitë) konsiderohet si një zonë e vetme shërbimi për shpërndarjen e gazit natyror, me përjashtim të rastit të referuar në pikën 4 të këtij kreu.
2. Zona e vetme e shërbimit për shpërndarjen e gazit natyror do të thotë se operatori i sistemit të shpërndarjes, i lejuar për të ndërtuar dhe operuar infrastrukturën e shpërndarjes të gazit natyror në atë zonë sipas një vendndodhje të përcaktuar, do të autorizohet nga ERE për të kryer veprimtarinë e shpërndarjes së gazit natyror në përputhje me ligjin nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe akte të tjera ligjore në fuqi, duke qenë ekskluzivisht përgjegjës në të gjithë territorin e njësisë administrative të veçantë ose disa njësive administrative të Republikës së Shqipërisë (qarqet dhe/ose bashkitë), për:
2.1 Funksionimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror brenda zonës së caktuar të shërbimit;
2.2 Ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes së gazit natyror për përdoruesit e sistemit dhe konsumatorët përfundimtarë që veprojnë ose që jetojnë në zonën e shërbimit të saj të caktuar;
2.3 Kryerjen e tërësisë së aktiviteteve të operatorit të sistemit të shpërndarjes brenda zonës së shërbimit të tij të përcaktuar sipas akteve ligjore në fuqi, përfshirë ndërveprimin e siguruar të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror me sisteme të tjera të gazit natyror të ndërlidhur.
3. Personi që do të marrë të drejtën e ndërtimit dhe operimit të një infrastrukture të shpërndarjes së gazit natyror në një zonë të vetme shërbimi, për të realizuar rolin e operatorit të sistemit të shpërndarjes, me qëllim të licencimit të tij, do t’i sigurojë ERE-s të dhënat dhe informacionet e kërkuara për rrjetet e shpërndarjes të gazit natyror nën posedim të tij, duke përfshirë vendndodhjen e tyre në njësitë administrative të veçanta (qarqet dhe/ose bashkitë) dhe pikat e lidhjes me sistemet e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror dhe, sipas rastit, sisteme të tjera të gazit natyror të ndërlidhur. Rrjetet përkatëse dhe zona e shërbimit e caktuar për operatorin e sistemit të shpërndarjes përcaktohen në lejen që i jepet nga Këshilli i Ministrave subjektit përkatës në zbatim të kritereve dhe procedurave që kërkohen në respektim të kërkesave të nenit 11, të ligjit nr. 102/2015, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar dhe, rrjedhimisht, përfshihen edhe në licencën e lëshuar nga ERE dhe në kushtet e miratuara të licencës për shpërndarjen e gazit natyror.
4. Si përjashtim nga pika 1 e këtij kreu, një zonë shërbimi e qëllimit të veçantë për shpërndarjen e gazit natyror mund të përcaktohet dhe shtrihet në rast të zhvillimit të infrastrukturës së re të shpërndarjes së gazit natyror të rëndësisë strategjike dhe kombëtare, që përcaktohet në lejen e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kjo zonë e shërbimit e qëllimit të veçantë për shpërndarjen e gazit natyror duhet të përcaktohet si një tubacion i veçantë i shpërndarjes së gazit natyror ose një rrjet i tubacioneve të shpërndarjes, duke përfshirë objektet përkatëse, të ndodhura midis pikave të lidhjes me sistemet e ndërlidhura të gazit natyror të transmetimit, shpërndarjes dhe sipas rastit, sistemeve të tjera, pa kufizime territoriale.
5. Në lidhje me një zonë shërbimi të qëllimit të veçantë për shpërndarjen e gazit natyror në të cilën është dhënë leja e nevojshme për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së re për shpërndarjen e gazit natyror, pika 2 e këtij kreu, nuk zbatohet dhe rrjetet e shpërndarjes së gazit natyror brenda kësaj zone të shërbimit do të operohen, mirëmbahen dhe zhvillohen njësoj, si edhe shërbimet përkatëse të shpërndarjes të ofruara nga operatori i sistemit të shpërndarjes i caktuar dhe i autorizuar, i cili posedon tubacionin përkatës të gazit natyror ose një rrjet tubacionesh shpërndarëse, duke përbërë një zonë shërbimi të qëllimit të veçantë.
6. Bazuar në të dhënat dhe informacionin që do të ofrohen në ERE nga operatori i sistemit të shpërndarjes për qëllime të licencimit të tij, tubacioni ose një rrjet tubacionesh të shpërndarjes së gazit natyror që përbëjnë një zonë shërbimi të qëllimit të veçantë janë rrjedhimisht të përcaktuar në licencën e lëshuar nga ERE dhe në kushtet e licencimit të adaptuara për shpërndarjen e gazit natyror, duke përfshirë pikat përkatëse të lidhjes me sistemet e ndërlidhura të gazit natyror të transmetimit, shpërndarjes dhe, sipas rastit, sisteme të tjera.
7. Ndërveprimi ndërmjet rrjeteve të shpërndarjes së gazit natyror dhe sistemit të transmetimit, shpërndarjes  dhe, sipas rastit, sistemeve të tjera të ndërlidhur të gazit natyror, si dhe po ashtu bashkëpunimi teknik dhe operacional mes operatorëve të sistemit përgjegjës, sigurohet sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në Kodin e Rrjetit të Transmetimit, Kodin e Rrjetit të Shpërndarjes dhe, aty ku është e përshtatshme, aktet e tjera ligjore në fuqi në përputhje me ligjin nr 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar.
IV. PAJTUESHMËRIA ME ZONAT E PËRCAKTUARA TË SHËRBIMEVE
1. Përcaktimi i zonës së shërbimit të qëllimit të veçantë mund të kërkohet me vet iniciativën e operatorit të sistemit të transmetimit ose shpërndarjes i cili merr lejen e nevojshme për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së re të transmetimit ose shpërndarjes dhe do të posedojë vetë rrjetin përkatës të gazit natyror, ose, në rastet e aplikimeve për përcaktimin e zonave të shërbimit të qëllimit të veçantë, mund të bëhet edhe në bazë të tenderit ose procedurave të tjera të aplikuara nga Këshilli i Ministrave për zhvillimet e infrastrukturës së re të transmetimit apo shpërndarjes së gazit natyror të rëndësisë strategjike dhe kombëtare.
2. Argumentimi për caktimin e zonës së shërbimit duhet të paraqitet nga subjekti që do të marrë lejen e nevojshme për ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës së re të transmetimit ose shpërndarjes së gazit natyror sipas përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr. 102/2015, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe do të kryejë rolin e operatorit përkatës, duke kërkuar edhe opinionin e ERE-s për sa ka të bëjë me rolin e operatorit të sistemit të transmetimit lidhur me aplikimet e tij për certifikim dhe licencim, si  dhe për sa ka të bëjë me rolin e operatorit të sistemit të shpërndarjes lidhur me aplikimin e tij për licencim. Zonat e caktuara të shërbimit për transmetimin ose shpërndarjen e gazit natyror të cilat janë përcaktuar në lejen që i është dhënë personit për ndërtimin dhe operimin e sistemit të transmetimit ose shpërndarjes së gazit bëhen të detyrueshme vetëm pasi të jenë përcaktuar dhe vendosur nga ERE në licencën e lëshuar dhe në kushtet e licencës të miratuara respektivisht për transmetimin ose shpërndarjen e gazit natyror.
3. Asgjë në këtë udhëzues nuk duhet të parandalojë përcaktimin e më shumë se një operatori të sistemit të transmetimit ose shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kushtin e një zone të vetme të shërbimit, siç përcaktohet në pikën 1, të kreut II dhe pikën 1, të kreut III. Në veçanti, numri i zonave të mundshme të shërbimit të qëllimit të veçanta nuk mund të kufizohet dhe do të varet vetëm nga zhvillimet e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror të rëndësisë strategjike dhe kombëtare që miratohen nga Këshilli i Ministrave.
4. Secili person që do të pajiset me leje për ndërtimin dhe operimin e një infrastrukture të re të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, si dhe do të realizojë rolin e një operatori të sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes mbi bazën e autorizimit përkatës nga ERE për aktivitetet përkatëse brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ka të drejtë të kryejë këto aktivitete, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve përkatëse, vetëm brenda kufijve të një zone shërbimi të caktuar dhe vetëm me vendosjen e infrastrukturës së gazit natyror në administrim të tij siç do të përcaktohet në licencën që do të lëshojë ERE në të cilën janë miratuar kushtet e licencimit në përputhje me ligjin nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, kodet e rrjetit të gazit natyror dhe aktet e tjera ligjore në fuqi.
5. Përcaktimi dhe shtrirja e zonave të shërbimit për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror në pajtim me këtë udhëzues do të zbatohet vetëm për qëllim të ndarjes së përgjegjësive të subjekteve që do të pajisen me lejen e nevojshme për ndërtimin dhe operimin e një infrastrukturë të re të transmetimit ose shpërndarjes së gazit natyror dhe do të kenë rolin e operatorëve të veçantë të sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes në lidhje me aktivitetet e tyre brenda kufijve të zonës territoriale dhe/ose infrastrukturore që përbëjnë zonat e tyre të shërbimit. Kjo ndarje e përgjegjësive nuk do të ketë ndikim në afatet dhe kushtet që rregullojnë aktivitetet e sipërmarrjeve të gazit natyror dhe sjelljen e tyre në treg në përputhje me ligjin nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe aktet e tjera ligjore në fuqi.
V. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
1. Zbatimi i këtyre Kushteve të Përgjithshme për përcaktimin dhe shtrirjen e zonave të shërbimit për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit natyror në pajtim me këtë udhëzues do të ndiqet, monitorohet dhe mbikëqyret nga Ministria, duke pasur bashkëpunimin e ERE-s në dhënien e opinionit për përcaktimin e këtyre zonave dhe më pas për licencimin e operatorëve përkatës.
2. Asgjë në këtë udhëzues nuk do të interpretohet si pengesë ose ndryshe ndërhyrje në pavarësinë e ERE-s brenda fushës së përcaktuar në ligjin nr. 102/2015, datë 23.9.2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, duke përfshirë kompetencën e saj ekskluzive në autorizimin e operatorëve të sistemit të transmetimit ose të shpërndarjes së gazit natyror për aktivitetet e tyre përkatëse në Republikën e Shqipërisë.
3. Personat që kryejnë shkelje të këtij udhëzuesi do të jenë përgjegjës sipas ligjit nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, dhe/ose ligjeve të tjera në fuqi.

energjia.al 17.01.2019