info@energjia.al

Kompania SHELL, e cila po realizon operacionet e nxjerrjes së naftës në zonën e Beratit në tre puse, tani është në përfundim të negociatave me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të arritur një marrëveshje hidrokarbure për Bllokun 4, që shtrihet në zonën mes Sarandës dhe Gjirokastrës.

Dje u zhvillua raundi i radhës së negociatave ndërmjet AKBN dhe SHELL. Burimet zyrtare në AKBN bënë me dije se ky ishte takimi i radhës së grupit negociator të të dyja palëve, mbas negocimit mbi Marrëveshjen Hidrokarbure të Bllokut 4 të kërkimit, e cila tashmë po shkon drejt finalizimit.

Drejtor Ekzekutiv i AKBN-së, Viktor Tushaj, u shpreh se “mbas disa negociatash, po shkojmë drejt finalizimit të Marrëveshjes Hidrokarbure, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për SHELL në lidhje me kërkimin e naftës dhe të gazit në pusin e Shpiragut për Bllokun 2-3”.

Ai tha se “ne jemi munduar të krijojmë një kontratë model edhe për kontrata hidrokarbure që do vijjnë më pas, duke pasur parasysh interesat e shtetit shqiptar, si dhe nga ana tjetër t’i lejojë SHELL për të punuar në kushte të qeta dhe të sigurta. Ne urojmë që kjo kontratë të finalizohet sa më shpejt”.

Rohan D‘Souza, përfaqësuesi i SHELL Upstream Albania, shpreson që shumë shpejt të ketë një marrëveshje hidorkarbure të finalizuar për Bllokun 4 të kërkimit.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje hidrokarbure nga SHELL arrijnë në rreth 270 milionë USD.

AKBN, në mes të vitit 2015, ftoi të gjitha kompanitë hidrokarbure të aplikonin për blloqet e lira (tokësore) të naftës, përkatësisht Blloku 4 dhe Blloku i Dumresë.

Revista Monitor,  18.05.2017

Një vit e gjysmë pas shpalljes fituese të dy kompanive për zonat e lira të naftës në Shqipëri, duket se negociatat për të firmosur marrëveshjet e kërkimit nuk po ecin në rrugën e duhur.

Drejtori i Hidrokarbureve Dritan Spahiu, sqaron gjatë një interviste për Televizionin Klan se rënia e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka zbehur interesin e firmave që fituan tenderin, gjë e cila ka zgjatur në një periudhë teje të gjatë edhe hartimin e kontratave.

Spahiu thotë se kompania Shell është shumë afër nënshkrimit të kontratës për bllokun 4, zonë naftëmbajtëse në afërsi të Gjirokastrës, ndërsa Navitas, degë e firmës izraelite Delek Group është më e tërhequr në negociata.

Në datën 3 gusht 2015-të Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore shpalli fitues për bllokun e Dumresë kompaninë Navitas, ndërsa Shell fitoi bllokun numër 4.

Të dyja këto zona mendohet se kanë sasi të konsiderueshme nafte, por ende nuk është zbuluar lloji i lëndës që ato kanë, çka jep një risk të lartë për firmat që marrin përsipër shfrytëzimin e tyre.

Klan Tv,  19.02.2017

Gjigantë të naftës si Statoil, Shell dhe Chevron po eksperimentojnë me teknologji të ndryshme, nga dronat dhe projektet e çmimeve e deri te manaxhimi i të dhënave, për të ulur kostot dhe përballuar goditjen e çmimeve.

Çmimet e naftës janë thuajse sa gjysma e nivelit të 2014-ës, duke detyruar kompanitë që të shkurtojnë miliarda dollarë në kosto. Duke mbrojtur dividentët dhe ruajtur infrastrukturën që do ti mundësojë konkurrencën pasi tregu të rimëkëmbet, kompanitë po kërkojnë për teknologji dhe projekte të reja që të ulin kostot.

Kompania franceze Total thotë se ka përdorur drona për të bërë hetime të detajuara në disa platforma në Detin e Veriut. Kompania e dronave Cyberhawk deklaron se më parë duhej një ekip prej 12 personash në një udhëtim që zgjaste 2 javë.

Sipas kompanisë franceze, dronat e përfundojnë punën brenda 2 ditësh dhe me 1/10-ën e kostos.  Kompania norvegjeze Statoil, ka shkurtuar kostot e ndërtimit të një platforme të re, apo më të madhen në Detin e Veriut, me 20% në 12 miliardë dollarë, duke i përdorur kursimet për tu fokusuar drejt një tekonologjie më efiçente.

Shpenzimet globale për eksplorim dhe prodhim të naftës dhe gazit kanë rënë me më shumë se 300 miliardë dollarë për 2015-16, tregon Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe shumica vjen prej reduktimit të kostove se sa prej anulimit të projekteve të reja.

Që prej rënies së naftës në 2014-ën, Shell, ExxonMobil dhe Statoil kanë filluar përdorimin e software-ëve që manaxhojnë më mirë të dhënat, për  të reduktuar porositjen e materialeve të ndërtimit.  Duke pasur materiale të tepërta, shumë kompani kanë patur humbje të mëdha, pasi vlera e rishitjes së tyre ra ndjeshëm.

Scan Tv,  17.10.2016

Ka nisur sot kërkimi për naftë dhe gaz nga kompania SHELL në zonën Shpirag 3, ku janë zbuluar rezerva të konsiderueshme hidrokarburesh.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast Kryeministri Edi Rama tha se ky është një shembull për investimet e huaja të cilat duhet të zbatojnë rregullat e shtetit shqiptar dhe jo ta kërcënojnë atë.

Duke ju referuar kontratës së re për kërkim-shfrytëzim, Rama tha se kanë marrë fund koncesionet me kompanitë e huaja të cilat shfrytëzonin pasuritë e nëntokës pa paguar asgjë në arkën e shtetit shqiptar.

Edhe më e rëndësishme se këto është se SHELL ka pranuar vijën e politikes së re të ndjekur nga qeveria, për të ndërtuar marrëveshje që nuk janë në kurriz të popullit shqiptar, por që janë nën funksion harmonizimi të interesave. Nëse deri dje, buxheti i shtetit s’ka marrë asgjë tjetër përveç rentës dhe me vite e me vite të tëra, kompani të caktuara kanë eksploruar, kanë nxjerrë, kanë shitur dhe kanë pretenduar se nuk janë ende në pikën ku sipas marrëveshjeve duhet t’i paguajnë ndonjë gjë popullit shqiptar, sot, marrëveshja e re është një garanci e plotë për një  marrëdhënie afatgjatë, me interes reciprok, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë SHELL. Të cilën dua ta falënderoj për një përputhje ekzemplare mes fjalës dhe veprës, mes gjithçka, me pasion, SHELL propagandon për profilin e vet social dhe gjithçkaje që ne vete kemi pasur mundësinë të provojmë gjatë hartimit të marrëveshjes. Ky është rasti për të bërë edhe krahasimet e duhura mes një kompanie të fuqishme, që investon seriozisht, që bashkëpunon seriozisht dhe që mendon seriozisht për të ardhmen, duke mos u përpjekur që të marri çfarë të marri sot dhe nesër të lëri mbrapa gërmadhë buxhetin e shtetit apo në truallin e shqiptarëve dhe kompanish të tjera, që duke tundur flamuj vendesh mike janë munduar vetëm  e vetëm si t’ia hedhin popullit shqiptar dhe si t’i shmangen detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit. Kjo epokë ka mbaruar! Ne nuk sugjestionohemi nga flamujt e vendeve mike, kur ato tunden për t’i bërë presion qeverisë shqiptarë. Qeverisë shqiptare nuk mund t’i bëjë dot presion, askush.” ka thënë Rama.

Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri tha gjatë ceremonisë se teknologjia e përdorur për kërkime në këtë zonë është ndër më të avancuarat në botë, ndërkohë që rezervat hidrokarbure të zbuluara nga këto kërkime, jo vetëm do të rrisin eksportet, por do plotësojnë edhe nevojat në vend.

Shqiptarja.com  25.06.2016

Ministri i Industrisë dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri e vlerësoi një lajm të mirë për Shqipërinë zgjerimin e aktivitetit të SHELL, ne një status që postoi në rrjetin social Facebook vetëm pak orë pas publikimit të lajmit se, kompania Shell ka rënë dakord që të marrë asetet shqiptare të Petromanas për 45 milionë dollarë. Transaksioni i propozuar pritet të mbyllet rreth datës 15 mars. Më parë Shell kishte 25% të aksioneve në aktivitetin në Shqipëri.

Ministri Gjiknuri tha se, tashmë Shell ka marrë plotësisht kontrollin e marrëveshjes koncesionare të kërkimit të naftës në blloqet 2 dhe 3 ndërsa po negocion një tjetër marrëveshje për bllokun 4.

“ Ky është një lajm shumë pozitiv për të ardhmen e industrisë hidrokarbure në Shqipëri. Rritja e interesit nga kompania SHELL si dhe afrimi i gjigandit israelit të naftës Navitas Petroleum, pjesë e Delek Group, shton pritshmërinë për potencialet që ofron vendi në fushën e naftës” deklaroi ministri.

Pavarësisht faktit se çmimet e naftës kanë pësuar rënie në tregjet botërore, rezervat e naftës në nëntokën shqiptare shihen me interes për kompani ndër më prestigjozet në botë. Ky interesim në rritje i kompanive serioze është gjithashtu një konfirmim i suksesit të politikave të ndjekura nga qeveria në zhvillimin e industrisë hidrokarbure, pohoi ai.

Revista Monitor,  02.02.2016

Kompania Petromanas Energy Inc. ka njoftuar në 1 shkurt se ka hyrë në një marrëveshje shitblerjeje me Shell Upstream Albania B.V. (“Shell”), një degë që është tërësisht në pronësi të Royal Dutch Shell plc, sipas të cilit Shell ka rënë dakord që të marrë asetet shqiptare të Petromanas për 45 milionë dollarë. Transaksioni i propozuar pritet të mbyllet rreth datës 15 mars. Më parë Shell kishte 25% të aksioneve në aktivitetin në Shqipëri.

Transaksioni

Petromanas Albania GmbH (“PAG”), dhe Shell janë pjesë të kontratës së përbashkët në bllokun mbi tokë (“Blloku 2-3 PSC”) dhe janë pjesë në një marrëveshje të përbashkët operative për Bllokun 2-3 PSC. Aktualisht Petromanas ka 75% të aksioneve dhe Shell 25%. Kompania beson se ky transaksion do të sjellë përfitime pasi do të kthejë kapitalin te aksionerët, do të mundësojë tërheqjen nga aktivitetet në Shqipëri në mënyrën e duhur dhe do të ofrojë kapital që kompania të riorganizohet, përfshirë vendimet strategjike të aseteve në Francë.

Procesi strategjik

Transaksioni i propozuar pritet të përfundojnë procesin strategjik të shpallur më parë të kompanisë. Në tetor të vitit 2014, dhe bazuar në shpenzimet lidhur me shpimin e puseve të Shpiragut-2 dhe Molisht-1, menaxhimi hyri në një proces strategjik për të identifikuar dhe shqyrtuar të gjitha mundësitë për të mbështetur kërkesat financiare të një vlerësimi afatgjatë dhe zhvillimit të blloqeve 2 -3. Kompania punesoi Peters & Co për të vepruar si këshilltar financiar të saj në lidhje me procesin e rishikimit. Bordi ka marrë një opinion nga Peters & Co se shuma që do të merret nga kompania në bazë të Marrëveshjes është e drejtë nga pikëpamja financiare për Petromanas.

Rreth Petromanas Energy Inc.

Petromanas Energy Inc është një kompani ndërkombëtare e naftës dhe gazit fokusuar në eksplorimin dhe zhvillimin e aseteve të saj në Shqipëri. Petromanas, nëpërmjet degës së saj tërësisht në pronësi, ka një kontratë të ndarjes së prodhimit, me qeverinë shqiptare. Sipas kushteve të kontratës, Petromanas ka një interes punues 25% në blloqet 2-3 që përfshin rreth 638,0000 akra bruto në periferinë e Beratit.

Nafta në Shpirag rriti interesin për Shqipërinë

Në dhjetor të vitit 2013, Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve njoftoi se pas 4 vjet kërkime në Blloqet Shpiragu 2 dhe 3, kompania Royal Dutch Shell Plc. dhe kompania Petromanas Energy Inc. njoftuan rezultatet pozitive të testit të pusit Shpiragu-2.

Ky zbulim ngjalli interesin e shumë kompanive për të eksploruar për naftë në Shqipëri. Aktualisht qeveria ka nxjerrë në shitje 13 blloqe nafte në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Në korrik 2015, Shell i është përgjigjur ftesës së qeverisë shqiptare për të zhvilluar nxjerrjen e naftës në blloqet e paaktivizuara ende kryesisht në zonën e Dumresë.

Revista monitor,  02.02.2016

Administrata e Presidentit Obama i dha kompanisë “Royal Dutch Shell” akses përfundimtar të rifillojë shpimet për naftë dhe gaz në mjedisin e brishtë të Oqeanit Arktik, për të parën herë që nga 2012-a.

Departamenti i lejeve të brendshme në SHBA lejon “Shell” të shpojë në detin e pasur me naftë të Chukchi-t, në gjirin veri-perëndimor të Alaskës. Shell i ka ndërprerë programet e shpimit në këtë rajon gjatë 2012 pasi pësoi dhe një serë aksidentesh, duke përfshirë humbjen e kontrollit të një naftëmbajtëse të madhe, nga e cila Rojet Bregdetare duhet të shpëtonin 18 punëtorë.

Kushtet e ashpra në Chukchi kanë dekurajuar kompanitë e tjera të shpojnë atje. Drita jeshile  për kompaninë “Shell” vjen pasi riparimet në akullthyesen “Fennica” të cilën kompania e merr me qera, kanë përfunduar. Anija që përmban dhe pajisje emergjence, kishte pësuar goditje në cekëtirat e pazbuluara të Alaskës. Dëmtimi i akullthyeses kishte ndaluar programin e Shell-it, për të cilën Departamenti i Punëve të Brendshme i kishte dhënë leje më parë.

Shell kishte fituar kontratat për në Chukchi gjatë administratës së ish-Presidentit George W. Bush. Që atëherë, kompania ka shpenzuar rreth 7 miliardë dollarë për eksplorimin e Arktikut edhe pse nxjerrja aktuale e naftës është të paktën 1 dekadë më larg. Arktiku kontribuon për atë që qeveria amerikane e vlerëson si 20% të gazit dhe naftës së pa zbuluar në botë.

Vendosmëria e Shell për të shpuar atje, ka nxitur valë protestash, nga ambientalistët që kërkojnë të mbrojnë balenat, lopat e detit dhe arinjtë polarë, në një mjedisë që shkencëtarët thonë se po ndryshonë shumë shpejtë për shkak të ngrohjes globale.

Scan TV,  18.08.2015

Zbulimi i një zone naftëmbajtëse në qarkun e Beratit ka bërë që kompania Shell të rrisë investimet në vendin tonë.

Drejtori i kësaj kompanie për Shqipërinë, thotë në një intervistë për TV SCAN se, në zonën e Shpiragut është zbuluar një zonë naftëmbajtëse ku ka edhe prezencë të gazit natyror. Deri tani, në mënyrë që të kenë të dhëna sa më të qarta.

Nga operacionet e kërkim zbulimit në qarkun e Beratit ne kemi pasur sukses, ku kemi zbuluar edhe një zonë naftëmbajtëse. Megjithatë, nuk kemi ende të dhëna përsa i përket rezervave të naftës dhe gazit natyror në këtë zonë. Ndaj, kompania jonë në bashkëpunim me kompaninë Petromanas do të rrisë investimet e operacioneve të kërkim zbulimit për të mundësuar edhe hapjen e tre puseve të reja në këtë zonë. Në këtë mënyrë do të kemi një tabllo më të qartë të rezervave hidrokarbure në zonën e Shpiragut.

Kompanitë Shell dhe Petromanas përbëjnë konsorciumin më të madh në vendin tonë që zhvillon operacione të kërkim zbulimit të zonave hidrokarbure.

Konsiorciumi ka përqendruar të gjithë punën e tij në qarkun e Shpiragut, pas dështimit të operacioneve në rrethin e Krujës dhe Shkodrës, ku sasitë e naftës të zbuluar përbënin rezerva shumë të ulëta për të ndërmarrë operacione shfrytëzimi.

Scan TV,  02.03.2015

Disa fëmijë në Brazil luajnë sot në atë që mendohet të jetë fusha e parë e futbollit në botë që prodhon energji elektrike. Fusha e merr energjinë nga lojtarët që vrapojnë mbi të dhe e kthen atë në elektricitet. Do t’ju njohim tani me një lagje të varfër të Rios, ku është realizuar ky projekt.

Favela Morro da Mineira në Rio de Janeiro, është themeluar në vitin 1920 nga emigrantët.

Dy pasionet braziliane, futbolli dhe karnavalet, janë këtu mjaft të respektuara.

Fusha e futbollit ka qenë në qendër të komunitetit që nga fillimet e tij.

Kjo është hapësira ku fëmijët shpenzojnë energjinë e tyre pas shkollës dhe në fundjavë. Në vitin 2011 tregtarët e drogës në këtë favelë u çarmatosën nga policia dhe në komunitet u vendos paqja.

Kjo fushë u zgjodh mes shumë të tjerave në Rio për një eksperiment nga kompania holandeze  Shell.

Në qershor 2014 nga kjo hapësirë u hoq zifti dhe fusha u bë e re. Në zonën e penalltisë në të dy skajet e fushës u instaluan 200 pllaka për kapjen e energjisë të krijuara nga kompania britanike, Pavegen.

Pllakat janë të lidhur me instalime elektrike dhe të pajisura me një sistem kullimi. U instaluan gjithashtu panele diellore për të gjeneruar energji shtesë në ditë me diell.

Më pas e tërë fusha u mbulua me një shtresë bari artificial dhe u mbush nga poshtë me grimca gome për më shumë stabilitet.

Një modul kontrolli rregullon energjinë e cila kalon pastaj në një sistem ndriçimi ose ruhet në bateri për përdorim të mëvonshëm.

Fusha e re u përurua më 10 shtator 2014 me praninë e yllit të futbollit brazilian Pele dhe, që nga ajo kohë, është bërë e njohur për ndeshjet mes lagjeve që luhen aty.

Menaxher i Projektit, Doug Gray, banor i Rios është vizitor i shpeshtë dhe e monitoron rregullisht sistemin.

“Këtu janë 5 rreshta me nga 20 panele dhe po ashtu në anën tjetër. Normalisht ato nuk dallohen dot. Por mund ta kuptoni kur shkelni me këmbë mbi to,” shpjegon zoti Gray.

Pllaka për gjenerimin e energjisë janë instaluar në një numër vendesh publike, por sipas firmave Pavegen dhe Shell kjo është përpjekja e parë për shfrytëzimin e energjisë së lojtarëve në një fushë futbolli.

“Ajo që ne duam është që të frymëzojmë projekte për objekte të tjera, si metrotë apo rrugët. Ndoshta një ditë do të kemi energji të prodhuar nga ne vetë në një shkallë më të madhe,” thotë Simone Guimaraes, zëdhënëse e firmës Shell në Brazil.

Është ora 7:00 e mbrëmjes në Rio dhe kudo po ndizen dritat. Lojtarët amatorë punojnë gjatë ditës dhe mund të luajnë vetëm natën.

Sistemi Led i këtushëm siguron dritë të mjaftueshme për një ndeshje gjatë natës.

Luiz Henrique Rodrigues, organizator i kampionatit

“Njerëzit e komunitetit nuk kanë probleme me ndriçimin. Më parë e kishim të vështirë të luanim natën sepse shpesh na fikeshin dritat. Për ne është një përmirësim”, thotë Luiz Henrique Rodrigues, një nga organizatorët e kampionatit.

“Futbolli ndihmon për t’i mbajtur fëmijët larg nga jeta e krimit,” thotë Paulo Luz, një ish-tregtar droge.

Gjatë gjithë ditës, të shtunave dhe të dielave lojtarët prodhojnë energji kinetike me këmbët e tyre, e cila kthehet në elektricitet që furnizon bateritë për t’u përdorur gjatë javës.

Gazeta Dita,  11.01.2015

Në një letër drejtuar aksionerëve në maj, Royal Dutch Shell (kompani e cila po kërkon për naftë në Shqipëri) hodhi poshtë mundësinë që rezervat e saj të provuara të gazit e naftës do të mbeten të pashfrytëzuara për shkak të legjislacioneve klimatike (për pakësimin e emetimeve të karbonit). Sipas Shell burimet fosile do të luajnë rol kyç në miksin e energjisë globale në vitin 2050 e përtej (50-60% e totalit).

Shoqata mjedisore e shkencëtarë kanë paralajmëruar për një flluckë karboni, e cila do të lërë asetet e burimeve fosile të pashfrytëzuara. Prandaj kompanitë e naftës si Shell mund të jenë të mbivlerësuara në tregjet financiare, duke vënë në rrezik triliona dollarë të investitorëve. Parlamenti anglez e ka marrë seriozisht këtë rrezik duke përgatitur dhe një raport në komisionin parlamentar të mjedisit. Grupe investitorësh kanë kërkuar sqarime zyrtare nga kompanitë e naftës mbi rrezikun e flluckës së karbonit.

JJ Traynor, drejtor në Shell, deklaroi se fokusimi tek fllucka e karbonit po largon vëmendjen nga realiteti i rritjes së popullsisë, ekonomisë e konsumit të energjisë.

Sipas Shell sekuestrimi i karbonit do të jetë kyç në luftimin e ndryshimeve klimatike. Por mjedisorët thonë se kjo teknologji nuk është e provuar, nuk ka asnjë aplikim komercial të saj aktualisht.

Exxon Mobil, kompania publike më e madhe e naftës, deklaroi në Mars se asnjë nga rezervat e saj nuk do të mbetet e pashfrytëzuar nëse qeveritë veprojnë për pakësimin e emetimeve të karbonit.

Në SHBA aktualisht ka një fushatë të shoqatave mjedisore për çinvestimin në kompanitë e naftës. Shoqatat po u kërkojnë investitorëve të shesin aksionet e tyre në kompanitë e naftës dhe ti investojnë në biznese të tjera. Universitete, grupe fetare etj. i janë bashkuar thirrjes e kanë shitur aksionet. 100 profesorë të Harvardit i kanë kërkuar universitetit të shesë 33 miliard dollarët që ka investuar në naftë e gaz.

Deklarata e Shell erdhi si përgjigje e kërkesës së investitorëve për të sqaruar qëndrimin e saj rreth flluckës së karbonit.

Ekolëvizja, 09.07.2014