info@energjia.al

“Republika e Maqedonisë është shumë e interesuar që të lidhet me gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline”, kështu deklaroi CEO-ja i kompanisë maqedonase të Burimeve Energjetike të Shkupit Krste Miladinov.

“Sa i përket ndërlidhjes kërkesa i është drejtuar TAP AG Greece, por nuk ka ende një vendim final”, shtoi ai.

Miladinov tha se përfitimet e Maqedonisë nga realizimi i këtij projekti janë të mëdha pasi do të siguronin sasi të mjaftueshme gazi për tregun vendas nga burime të tjera përfshi këtu edhe zgjerimin drejt Serbisë dhe Europës Qendrore.

“Përmes këtij projekti do të diversifikohet siguria dhe furnizimi me gaz për të gjithë rajonin”, shtoi ai.

Revista Monitor,  24.05.2017

Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në një banesë në qytetin e Korçës si pasojë e të cilit ka mbetur i plagosur një 63- vjeçar.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 4 në banesën e 63- vjeçarit me inicialet E.P.

63- vjeçari është dërguar në Spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shqiptarja.com  16.05.2017

Qeveria shqiptare nuk ka prenotuar ende sasinë e gazit që do të përfitojë nga gazsjellësi TAP, duke e argumentuar këtë me mungesën aktuale të infrastrukturës në të cilën do të kalojnë tubacionet. Por po krijon të gjitha kushtet për funksionimin e tregut të gazit, duke i paraprirë deri edhe administrimit të infrastrukturës në raste krizash.

“Janë situatat ekstreme të motit, si ky dimër me temperatura ekstreme të ftohta, situatat politike dhe ekonomike, por mund të jenë edhe fatkeqësi natyrore, siç mund të jetë për shembull një tërmet, u shpreh Stavri Dhima, ministria e Energjisë.

Plani përcakton se cilët janë konsumatorët që kanë prioritet furnizimi në këto kushte.

“I garantojmë furnizim familjarëve, sektorit rezidencial kopshteve spitaleve shkollave çerdheve dhe konsumatorëve të tjerë të rëndësishëm, siç mund të jetë prodhimi i energjisë elektrike, sipas mundësive edhe konsumatorëve të tjerë”, thotë Dhima.

Por mbi të gjitha duket se i jep zgjidhje problemit që i druhet Ministria e Energjisë, humbjeve kur sasia e gazit të prenotuar do të jetë më e lartë se ajo që do të përdoret në realitet.

“Kur në verë, për shembull, mund të konsumojnë më pak dhe kur vjen një sasi e caktuar e gazit nga tubacioni, kjo sasi depozitohet në këtë vend dhe në një periudhë të veçantë, sidomos në temperatura ekstreme këto vihen në përdorim këto depozita. Ose mund të vëmë në funksionim depozitat e vendeve të tjera”, shprehet Stavri Dhima.

Në masterplanin e gazit parashikohet ndërtimi i dy depozitave nëntokësore të gazit, një në Dumre dhe një tjetër në Divjakë. Gazi i parë do të transportohet përmes tubacionit të TAP nga Azerbaxhani drejt Europës në 2020-n.

Top Channel, 14.05.2017

Është botuar në Fletoren Zyrtare rregullorja për procedurat e heqjes së licencave në sektorin e energjisë elektrike dhe të gazit natyror.

Në nenin 5 të këtij vendimi përcaktohen qartë rastet se kur ERE i heq licencën një subjekti të licencuar.

ERE heq një licencë kur i licencuari:

  1. a) nuk përmbush më kushtet thelbësore të licencës për energjinë apo gazin natyror të dhënë sipas ligjit për energjinë elektrike dhe ligjit për gazin natyror;
  2. b) shkel dispozitat ligjore për mbrojtjen e mjedisit gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij;
  3. c) rrezikon jetën, shëndetin dhe pasurinë e qytetarëve;

ç) nuk kryen pagesat e rregullimit, të vendosura nga ERE, siç përcaktohet në nenin 17 të ligjit të energjisë elektrike ose nenin 14 të ligjit për gazin natyror.

  1. d) bëhet financiarisht i paaftë ose kërkon shpalljen e falimentimit; dh) me kërkesë të të licencuarit; e) ka pushuar së kryeri funksionet e caktuara sipas licencës.

Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën Administrative brenda 30 ditëve nga botimi ne Fletoren Zyrtare.

Scan Tv,  09.05.2017

Pasi Albpetrol, kompania shtetërore që menaxhon burimet e naftës dhe gazit në vend, ka ftuar investitorët për të shprehur interesin për tre zona të lira të naftës dhe gazit, kanë ardhur dhe reagimet e para.

2 maji ishte afati i fundit i shprehjes së interesit për fushat naftë dhe gaz mbajtëse të Gorisht-Kocul; Cakran-Mollaj dhe zonat mbi det Adriatik 2, 3 dhe 4. Burime nga Albpetrol pohuan se janë dy kompani që kanë shfaqur interes, por emrat e tyre nuk mund të bëhen ende publike, për shkak se ofertat janë në shqyrtim e sipër.

Vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Kocul iu rikthyen në administrim qeverisë shqiptare, pasi në tetor të vitit të kaluar, Albpetrol, njoftoi koncesionarin TransAtlantic Albania për mbylljen e njëanshme të marrëveshjeve hidrokarbure për këto vendburime të rëndësishme të nëntokës shqiptare, për mospërmbushje të kontratës dhe moskryerje të investimeve (në të dy zonat realizimi faktik i investimeve nuk ishte më shumë se 10%). Albpetrol ka sekuestruar pajisjet dhe naftën e gjendur në depozita dhe ka rivënë në punë puset. 

Ndërsa në mars të këtij viti. Albpetrol sh.a., nisi procedurën për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me Emanuelle Adriatic Energy Ltd, një kompani izraelite, e cila kishte të drejtën e kërkimit për naftë në tre blloqet në detin Adriatik, “Adriatik 2, 3 dhe 4”. Shkaku i prishjes së marrëveshjes me kompaninë e regjistruar në offshore Qipro ishte moskryerja e asnjë veprimi apo investimi në tre vitet e fundit.

Krahas tre blloqeve të sipërpërmendur, për të cilët po kërkohen investitorë të rinj, në mars Albpetrol i hoqi kompanisë Phoenix Petroleum bllokun e naftës në Amonicë. Ka nisur procedura për verifikimin e situatës në pesë blloqet e gazit natyror: Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh. Nga verifikimet paraprake rezulton se të pestë këto vendburime nuk kanë prodhuar asnjë metër kub gaz dhe për pasojë pritet që marrëveshjet respektive të rishikohen. 

Si rrjedhojë e përvojës së hidhur në të kaluarën, burimet e Albpetrol pohojnë se tashmë do të jenë shumë më të kujdesshëm në zgjedhjen e investitorëve të rinj.

Revista Monitor,  04.05.2017

Bullgaria pretendon të përfitojë nga marrëveshja e përkohshme midis Komisionit Europian dhe gjigantit rus të energjisë, Gazprom, por ekspertët kanë frikë se vendi mund të mos arrijë plotësisht të përfitojë nga kjo marrëveshje.

Për herë të parë, Gazprom-i ka pranuar se kompania ka shkelur rregullat e BE-së për rieksportimin e gazit nga një shtet anëtar në tjetrin, tha për BIRN, Martin Vladimirov, një analist në Qendrën për Studimin e Demokracisë.

Ai theksoi se mundësia që kjo marrëveshje të arrihet në mënyrën më të mirë të mundshme është shumë e madhe, por gjithashtu vuri në dukje se një grup ekspertësh ndihen të shqetësuar në lidhje me mënyrën sesi kjo marrëveshje do të zbatohet në Bullgari, kundër skenarit të ndikimit shkatërrues të Rusisë mbi sektorin energjetik të Bullgarisë.

Pas ankesave të shumta të disa vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore se kanë çmime më të larta të gazit në krahasim me vendet në Europën Perëndimore, një marrëveshje e përkohshme e shpallur muajin e kaluar do t’i lejojë Brukselit të sigurojë një treg më konkurrues të gazit në Europën Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe Bullgarinë.
Brukseli filloi hetimin në vitin 2012, pas bastisjeve së zyrave të Gazpromit vitin e kaluar dhe ngritjes së akuzave të shumta kundër kompanisë ruse në vitin 2015.
Kompania ruse, jo vetëm që i mohoi akuzat dhe u përpoq që të shmangte edhe shlyerjen e një gjobe tejet të lartë, por ajo ngriti vetë një sërë akuzash, duke përfshirë këtu edhe premtimet për të lehtësuar kufizimet në shitjet e gazit midis shteteve anëtare të BE-së, si dhe çmime më të mira të gazit sipas kushteve të kontratës.

“Gazprom-i është i mirëpritur të shesë gazin e tij në Europë, por sipas rregullave të BE-së, duke përfshirë edhe rregullat tona të konkurrencës”, tha muajin e kaluar në Bruksel, Margrethe Vestager, komisionerja e konkurrencës e BE-së.

Duke u përballur me konkurrencën e ashpër brenda dhe jashtë vendit dhe një rënie drastike të çmimeve globale të naftës, Gazprom, i cili furnizon rreth një të tretën e gazit të BE-së, duket i gatshëm të bëjë disa lëshime. Edhe pse konsumi i gazit në Europë ra në dekadën e fundit nga 489 miliardë metra kub në vitin 2006 në 397 miliardë në vitin 2015, Bashkimi Europian është ende një treg i rëndësishëm për kompaninë ruse.

Revista Monitor,  02.05.2017

Kompania ruse e energjisë, Gazprom, ka deklaruar se do të rrisë prodhimin gjatë vitit 2017 me 2.7 për qind, duke e çuar atë në 430.4 miliardë metër kub.

Njoftimi është bërë publik përmes një deklarate me shkrim nga kompania e cila ka thënë se gjatë vitit 2016 prodhimi i gazit u rrit me 0.6 për qind, duke shkuar në 419.1 miliardë metër kub.

Ndërkohë në deklaratë thuhet se gjatë vitit 2017 do të ketë një rritje prej 2.7 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa ka theksuar se sasia e prodhuar gjatë këtij viti parashikohet të jetë 430.4 miliardë metër kub.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se krahas gazit do të ketë një prodhim prej 41.1 milionë tonë naftë.

Kompania ka theksuar se gjatë vitit të shkuar është prodhuar 39.3 milionë ton naftë dhe se kjo ka qenë sasia më e madhe në historinë e kompanisë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  28.04.2017

Çmimi i gazit, që tregtohet në pikat e shitjes së karburanteve, ka shënuar një rënie me 5 lekë për litër gjatë ditëve të fundit. Në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit, një litër gaz shitet me 62-69 lekë për litër, nga deri në 75 lekë për litër që kishte arritur së fundmi. Vetëm në kryeqytet gazi vijon ende të shitet me 70- 75 lekë për litër.

Aktorët e tregut pohojnë se  mbarimi i stinës së dimrit ka ulur çmimin e gazit në tregjet ndërkombëtare, -që gjithnjë rritet në stinën e ftohtë -dhe kjo është reflektuar dhe në vend.

Megjithtë, gazi mbetet 40-50% më i shtrenjtë në krahasim me fundin e vitit të kaluar, kur ai tregtohej me 40-48 lekë për litër. Çmimet u rritën me tre faza në total me rreth 70% në javët e para të vitit, duke reflektuar vendosjen e akcizës së gazit, me rreth 10 lekë për litër (8 lekë akciza e gazit, plus TVSH), si dhe periudhën e ngricave.

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur ndërkohë  hetimin në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.

Revista Monitor,  24.04.2017

Dyshohet se një bombol gazi ka shpërthyer në një banesë në Elbasan, asfiksohet një e moshuar që ndodhej brenda.

E moshuara e asfiksuar është dërguar me urgjencë në spital ndërsa nga banesa është përfshirë nga flakët.

Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e të moshuarës dhe rrethanat e mëtejshme të ngjarjes.

Shqiptarja.com  19.04.2017

Egjipti është duke parë me kujdes mundësitë që ofron rajoni i Mesdheut për industrinë e gazit, veçanërisht tani që shteti po përgatitet për të reformuar sektorin dhe për të rritur investimet. Strategjia e re u prezantua në Kajro, ku u diskutua edhe pavarësia që duhet të kenë autoritetet rregullatore, si dhe modelet e tregjeve të gazit.

Takimi u bë i mundur nga Egyptian Gas Holding Company EGAS dhe në të morën pjesë përfaqësues të delegacionit të BE-së, por edhe nga Shqipëria (ERE) dhe Turqia (EMRA). Shqipëria prezantoi modelin që po zbaton për të ngritur tregun e gazit, zhvillimin e tarifave për licencimin e operatorëve që po interesohen, si dhe ndryshimet që po ndodhin. Interesimi i institucioneve egjiptiane për tregun e gazit të rajonit të Mesdheut, por edhe të Ballkanit, vjen menjëherë pas zbulimit që u bë në fushën Zohr e që pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në këtë rajon.

Edhe Portugalia e Greqia paraqitën modelet e tyre të rregullimit të tregut të gazit, si dhe karakteristikat e veçanta. Së fundmi, Greqia përmes operatorit të saj shtetëror DEFSA, po synon të jetë prezent edhe në Shqipëri. Pas përfundimit të projektit TAP, do të zhvillohet tenderi për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit. Duket se së bashku me kompaninë shqiptare të sapo krijuar AlbGas, edhe DEFSA do të shfaqë interes, kjo tregohet edhe nga memorandumi i bashkëpunimit që u firmos pak ditë më parë.

Si Shqipëria, ashtu edhe Turqia, Egjipti, Portugalia apo edhe Greqia, janë pjesë e Mediterranean Energy Regulators (MEDREG) në të cilin marrin pjesë në total 25 ente rregullatorë nga 21 shtete (BE-ja, Ballkani dhe Afrika e Veriut).

Revista Monitor,  18.04.2017