Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia elektrike përmbys bilancin tregtar

Deficiti tregtar i vendit ka kërcyer për lart në muajin shkurt. Sipas Institutit të Statistikave, deficiti i rrit me gati 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, i ndikuar nga rënia e eksporteve dhe rritja e ndjeshme e importeve.

Eksportet ranë për të dytin muaj radhazi, këtë herë me 5.4% me bazë vjetore. Për dy muajt e parë të vitit, bilanci është negativ, me një rënie prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një ndikim të ndjeshëm duket se ka pasur përmbysja e kushteve të sistemit energjetik. Vitin e kaluar, prodhimi i lartë në muajt e parë të vitit kishte sjellë rritje të eksporteve dhe ndikim të konsiderueshëm në bilancin tregtar të vendit. Këtë vit po ndodh e kundërta.

Kushtet e pafavorshme hidrike kanë bërë që për dy muaj e parë të vitit eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, të bien me gati 20% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, ecuria e eksporteve nuk është shumë pozitive as për grupet e tjerë më peshë. Kështu, për grupin “tekstile dhe këpucë” eksportet kanë rënë me 2%, ndërsa për grupin “materiale ndërtimi dhe metale” rënia ishte mbi 25%.

Paralelisht me rënien e eksporteve, importet shënuan një rigjallërim të ndjeshëm gjatë shkurtit dhe u rritën me 8% krahasuar me një vit më parë.  Edhe në krahun e importeve, ndikim të ndjeshëm ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”. Ky grup ishte kontribuesi kryesor i rritjes së importeve për shkurtin dhe besohet se, në një masë të madhe, kjo ka ndodhur për shkak të importeve të energjisë elektrike. Edhe në importe duket se energjia ka qenë përcaktuese, po të kemi parasysh se për shumicën e grupmallrave të tjerë importet ngelen në rënie të lehtë krahasuar me fillimin e vitit të kaluar.

Scan,  18.03.2019