Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pagesat rregullatore, tregtarët dhe furnizuesit e energjisë kërkojnë tarifa fikse

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar pagesat rregullatore që duhet të paguajë çdo i licencuar në tregun e energjisë për vitin 2018. Në total janë të paktën 300 të licencuar që kanë këtë detyrim, çka i garanton Entit,  fondet e nevojshme për të funksionuar si institucion . Për vitin 2018 kompanitë e licencuara duhet të paguajnë rreth 143 milionë lekë si pagesë rregullatore. Në analizën e bërë nga ERE lidhur me ecurinë e pagesave për vitin e kaluar është vënë theksi tek një seri problematikash të hasura në mënyrën e raportimit të pasqyrave financiare nga ana e kompanive tregtare apo furnizuese të cilat nuk kanë respektuar në të gjitha rastet standardet e kërkuara.

Për ato që kanë më shumë se një aktivitet ERE ka konstatuar se nuk ka pasur ndarje të llogarive çka e komplikon proces. Po kështu për pagesat rregullatore të vitit 2017 ka pasur mosrakordime me raportimet që kompanitë kanë bërë në ERE dhe shifrave të marra nga Operatori i Shpërndarjes Elektrike.

“Në shkresën me Nr, 69/3, datë 20.08.2018, një pjesë e konsiderueshme e shoqërive të licencuara që kanë paraqitur Pasqyrat Financiare në ERE, nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor sipas nenit 46 të Ligjit 43/2015, për paraqitjen e kopjeve të audituara të tyre brenda datës 30 Qershor.  Për disa nga prodhuesit e energjisë elektrike nuk përputhen të ardhurat e deklaruara për vitin 2017 me të ardhurat që rezultojnë nga sasia e energjisë së shitur për të njëjtën periudhë dhe të verifikuara me raportimet përkatëse të OSHEE sha” thuhet në vendimin e ERE miratuar në 14 dhjetor 2018.

Një nga kërkesat që duhet se kanë pasur tregtarët dhe furnizuesit në tregun e energjisë elektrike është ajo për mënyrën sesi llogaritet sot pagesa rregullatore. Kjo e fundit ndryshon në mënyrë drastike nga viti në vit pasi në bazë të saj ka volumin e transaksioneve. Për ta thjeshtuar këtë situatë ky grup ka propozuar vendosjen e një pagese fikse.

“U propozua nga të licensuarit që ERE të dërgojë dhe një model të raportimeve të transaksioneve të tregtimit, furnizimit apo tranzitimit të energjisë elektrike, megjithëse nga ana jonë u kërkua thjesht evidentimi dhe dhënia e shpjegime shtesë për ndarjen e të ardhurave sipas aktiviteteve, në mënyre që të mundësohej në shkallën 100 % saktësia e të ardhurave nga aktivitet e licensuara. Grupi i tregtareve dhe furnizuesve u shpreh se pagesa rregullatore varion shumë nga viti në vit si pasojë e rritjes së volumit të transaksioneve dhe së kërkojnë një iniciative ligjore që kjo pagesë të jetë fikse si në shumë vende të rajonit” thuhet në vendim.

Lidhur me këtë ERE nuk ka marrë ndonjë nismë për rishikim duke lënë në fuqi praktikën që aplikohet prej vitesh duke pasur në bazë vlerën e transaksioneve të kryera përgjatë një viti.

Monitor,  28.12.2018