Krujë, eksploziv shtyllës së tensionit
Pesë ditë më parë në Kodër Thumanë janë dëmtuar pas shpërthimit me eksploziv dy këmbët mbajtëse të një shtylle të tensionit të lartë, që me Kodin e Ri penal konsiderohet akt terrorist.
Pas njoftimit nga OSHEE, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa ka shoqëruar 5 persona, që janë banorë të zonës në Kodër Thumanë.
Shtetasit e shoqëruar banojnë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe deklarojnë se para 3-4 ditësh kanë dëgjuar dy shpërthime të njëpasnjëshme, por nuk e kishin lokalizuar vendin.
Sipas policisë, dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur në datë 13.05.2017 rreth orës 02:00 të mesnatës.
Efektivët e Policisë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekzaminime: disa mbetje lënde plasëse e dyshuar eksploziv, rreth 40 cm fitil zjarrëpërcjellës i djegur dhe mbetje prej qelqi që është përdorur si mekanizëm për ndezje.
Shqiptarja.com 18.05.2017