Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Firmoset marrëveshja e financimit të linjës Shqipëri-Maqedoni

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë firmosën sot pjesën e dytë të marrëveshjes për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri-Maqedoni”. Firmosja u bë nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri dhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, znj. Susanne Schutz.

Në total huaja e butë e bankës gjermane KfW për këtë projekt arrin në 50 milion Euro. Më herët është nënshkruar pjesa e parë e financimit prej 30 milion eurosh ndërsa sot pjesa e mbetur prej 20 milion Eurosh.

Në pikëpamjen strategjike, projekti përforcon lidhjet interkonektive me rajonin, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërise, dhe si pjesë e infrastrukturës së Koridorit të Tetë Evropian krijon mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë. Krijohen kushte për lidhje në rrjetin e transmetimit të burimeve të reja (TEC me gaz në zonën Fier – Vlorë me përfundimin e projektit TAP dhe burimeve të rinovueshme diellore dhe me erë). Inkurajon zhvillimin ekonomik të rajonit Jugor dhe të gjithë Shqipërisë për shkak të furnizimit më të mirë me energji elektrike. Gjithashtu reduktohen humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit.

Ky projekt përfshin: ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Manastir, afërsisht 151 km, 56 km në territorin shqiptar;  zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan2 me zbarrë dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr; ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier; zgjerimin e nënstacionit Fier me një Autotransformator 400 MVA dhe lidhjen e tij me rrjetin e transmetimit.

Ka përfunduar studimi i fizibilitetit të këtij projekti, financuar nga projektet e WBIF, i cili është përgatitur nga konsorciumi COWI / IPF. Së bashku me të është bërë studimi i ndikimit  ambiental dhe social. Është përcaktuar traseja e përafërt e linjës si dhe janë përcaktuar shtyllat kufitare në bashkëpunim me palën Maqedonase.

Kosto e përgjithshme e projektit është rreth 70 milion Euro. Ajo mbulohet përkatësisht; nga huaja e Bankës KfW, 50 milion Euro; grant nga WBIF, 20% e projektit, 14 milion Euro; grant nga WBIF për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Kufi, 0.6 milion Euro; kontribut i KfW për projektin e detajuar të pjesës së linjës Elbasan-Fier, 0.6 milion Euro dhe kontributi i OST, 5 milion Euro.

Parashikohet që punimet të fillojnë në vitin 2017 ndërsa vepra të mund të komisionohet në vitin 2019.

energjia.al  29.10.2016