Ja pse PD është kundër operacionit të OSHEE
Ndërsa opozita po hedh akuza për një shtet policor duke iu referuar aksionit të nisur në 3 ditë kundër vjedhjes së energjisë, një eksponent i rëndësishëm brenda Partisë Demokratike është vetë një ndër shkelësit e ligjit.
Bujar Brovina i zgjedhuri i Lulzim Bashës në Këshillin Kombëtar të PD-së u arrestua këtë të enjte, pasi iu gjetën tre lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në vilën e tij 3 katëshe. Grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Policia e Shtetit evidentuan lidhjet e jashtëligjshme në banesën e Brovinës në Qytet Studenti i cili njëherësh ka qenë për 8 vite drejtor i Qytet Studentit.
Kamera e A1 REPORT ka shkuar në vilën e zotit Brovina e cila ndodhet në hyrje të Qytet Studentit. Ish-kreu i QS-së ka vjedhur energjinë nga kabina elektrike e cila ndodhet rreth 10 metra nga vila tre katëshe. Këto linja duke kaluar në murin ndarës të kabinës elektrike përfundonin në vilën tre katëshe të Brovinës.Sipas hetimeve rezulton që lidhja e jashtëligjshme të jetë bërë rreth 9 vite më parë.
Këto lidhje janë ndërprerë nga OSHEE teksa Brovina është prangosur dhe dërguar në ambientet e komisariatit numër 1 ku do të përballet me veprën penale të vjedhjes së energjisë.
Brovina qëndroi për 8 vite në drejtimin e Qytetit Studenti i zgjedhur nga Partia Demokratike ku në disa raste është denoncuar dhe publikisht për abuzimet me fondet publike.
Shqiptarja.com 30.10.2014