Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kërkohet që termocentrali ‘Kosova e Re’ të kthehet në rinegocim

Oda Ekonomike Amerikane konsideron se qeveria e re dhe kompania Contour Global, do të duhet të ktheheshin në rinegocim për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Drejtori i OEAK-ut, Arian Zeka, tha se tërheqja e kësaj kompanie nga ndërtimi i termocentralit, i jep imazh të keq Kosovës në sy të investitorëve të huaj.

Oda Ekonomike Amerikane konsideron se tërheqja e Kompanisë amerikane Contour Global, nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” i jep Kosovës imazh te keq para investitorëve të huaj.

Drejtori i kësaj ode, Arian Zeka, tha se është për keqardhje tërheqja e kompanisë nga ky projekt i cili do ta furnizonte Kosovën me energji.

“Nuk e di qeveria e re se çfarë qëndrimi do të ketë për sa i përket termocentralit ‘Kosova e Re’ megjithatë njëri prej partnerëve të këtij koalicioni ka qenë pjesë edhe e qeverisë së kaluar prej të cilës njëfarë mënyre jepnin sinjale jo inkurajuese për sa i përket të ardhmes së termocentralit. Do të ishte mirë që nëse edhe investitori edhe qeveria e re do të mund të ktheheshin serish në tavolinën e diskutimeve edhe nëse ky projekt do te rezultonte apo niste se zbatuari”, tha Zeka 

Kosova ka rezervat më të mëdha të thëngjillit në botë, prandaj nuk duhet të jetë e varur nga importi i energjisë. Kështu konsideron eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, i cili tha se Qeveria e Kosovës, duhet ta ketë prioritet projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Kosova duhet ta fillojë të rinegociojë për këtë projekt, të ketë konkretizim të projektit por gjithmonë në funksion të zhvillimit, transparencës dhe mbi të gjitha duhet kërkuar llogaridhënie sa i përket aspektit të ambientalizmit. Prandaj çdo ditë e humbur do t’i kushtoje Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Ai shtoi se për t’u qasur në këtë projekt siç e quan ai shpëtues për Kosovës duhet të ketë vullnet politik.

Ai tha se nëse është tërhequr kompania Contur Global, ka konsorciume tjera të cilat janë të interesuara dhe se projekti duhet të realizohet sa më shpejtë.

Radio Kosova,  14.06.2020