Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investitorët: Qeveria të ndalë represionin ndaj prodhuesve të energjisë

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) dhe Shoqata e Investiorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Confindustria Albania dhe Dhoma Italiane e Tregtisë (CCIA) gjatë një takimi me përfaqësues të Ministrisë së Energjisë (MIE), kërkuan sqarime nga ky dikaster për ndërhyrjet antiligjore në metodologjinë e llogaritjes së çmimit, që dëmtojnë në mënyrë të drejpërdrejtë prodhuesit e energjisë.

Investitorët insistojnë për transparencë mbi arsyet e uljes së çmimit të energjisë së prodhuar me 10 %, duke e çuar koeficientin e mbështetjes nga 1.3 në 1.2, pra edhe më poshtë se niveli i vitit 2015 kur ishte 1.24.

Duke nënvizuar faktin se ndryshimi i çmimit me Vendim të Këshillit të Ministrave të datës 13.05.2020 është antiligjor dhe retroaktiv, pasi çmimi vendoset vetëm 1 herë dhe vetëm në fillim të vitit nga Enti Rregullator i Energjisë, Shoqata kërkon nga Ministria e Energjisë të shpjegojë arsyjet e këtij vendimi.

Veç miratimi të kësaj VKM-je antiligjore dhe me pasoja të rënda ligjore për këdo institucion apo invidiv që merr vendime bazuar mbi këtë VKM, shoqatat tona janë njohur edhe me një nismë të qeverisë për të ndryshuar në themel ligjin për “Nxitjen e përdorimit të energjisë nga burime të rinovueshme”.

Ky ligj u miratua 3 vjet më parë pas 2 vitesh punë intensive me ndihmën e paçmuar të ekspertëve të huaj dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

“Ne shprehim shqetësimin për ndryshimin e rregullave në mes te lojës pa një arsye të motivuar, sikundër edhe për mungesën e stabilitetit në legjislacion, e cila sjell pasoja të drejpërdrejta në zhvillimin e ekonomisë”, thuhet në njoftim.

“Prodhuesit e energjisë nga burime të rinovueshme kontribuojnë në Shqipëri jo vetëm duke rritur prodhimin e enegjisë në vend, por edhe për të garantuar stabilitet dhe pavarësi në furnizimin e vendit me energjisë. Po ashtu, ata punësojnë me mijëra punonjës nga më të thjeshtët te më të kualifikuarit”, vijon njoftimi.

AREA, FIAA, Confindustria Albania dhe CCIA sqarojnë opinionin publik se janë vënë disa hërë nën trysninë e pushtetit, i cili synon të ndërhyjë me çdo kusht për të prishur rregullat e lojës, duke cënuar edhe sigurinë juridike të kontratave koncesionare.

Masat represive, për të financuar humbjet e kompanisë shtetërore që duhet të garantojë furnizimin me energji, rrënojnë jo vetëm investitorët shqiptarë e të huaj që kanë investuar mbi 600 milionë euro në impiantet për prodhimin e energjisë, por dëmtojnë edhe vetë konsumatorët shqiptarë, të cilët vijojnë të paguajnë humbjet nga keqmenaxhimi i kompanive shtetërore apo vartësinë nga energjia e importuar, por edhe bankat në Shqipëri meqë pothuajse se 80 % e investimeve janë të financuara nga bankat e nivelit të dytë.

“Ne kërkojmë një takim sa më të shpejtë me përfaqësues të MIE për të kuptuar të vërtetën mbi tentativat e pandalshme të qeverisë në dëm të prodhuesve të energjisë nga burimet e rinovueshme. Po ashtu, kërkojmë mirëkuptim dhe për rikrijimin e një tryeze teknike për të zgjidhur çështjet që kërkojnë prej kohësh zgjidhje sipas standardeve të Bashkimit Europian. Njëkohësisht i bëjmë thirrje qeverisë të pezullojë VKM-në antiligjore të datës 13.05.2020 dhe paralajmëron institucionet që të mos e zbatojnë atë, pasi bien ndesh me ligjin”, përfundon njoftimi.

Monitor,  29.05.2020