Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, provat që u injoruan nga drejtësia

Që Nuel Kalaj është sekseri kryesor mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e OSSH nga çekët këtë e ka pranuar vetë Nuel Kalaj, kjo konfirmohet nga disa dokumente si dhe është pranuar edhe nga gjykata. Në vitin 2017, Nuel Kalaj deklaroi se “…kam punuar për të sjellë CEZ-in në Shqipëri dhe për këtë kam realizuar fitimet e mia në mënyrë të rregullt dhe të ndershme duke paguar taksat”. Nga janari 2008 deri në qershor të vitit 2009, Nuel Kalaj ka tërhequr nga bankat në Tiranë 6.8 milionë euro dhe i ka nxjerrë jashtë vendit, pa i deklaruar paratë në kufi, pa fatura, pa dokumentacion etj. Periudha e tërheqjes së parave përkon me negociatat dhe finalizimin e marrëveshjes së qeverisë Berisha me CEZ për privatizimin e OSSH. Edhe ky fakt është pranuar nga gjykata, por edhe nga Nuel Kalaj, i cili në vitin 2017 ka pohuar se “Paratë i kam tërhequr nga banka për qëllime investimi në drejtime të tjera”.

Nga privatizimi dhe favorizimet e paligjshme që i janë bërë më vonë CEZ nga qeveria Berisha, buxhetit të shtetit i është shkarkuar mbi 400 milionë euro dëm, shifër e cila deri më sot nuk është kundërshtuar as nga të akuzuarit në dosjen CEZ. Nisur nga ky fakt, merr rëndësi kryesore roli i Nuel Kalajt. Në datën 7 shator 2009, ora 1:51 Nuel Kalaj i dërgon e-mail Martin Roman, drejtor i  CEZ-Group, ku i shkruan ” …duke folur sinqerisht, mua personalisht me vjen keq të shoh se, pas një pune katërvjeçare për CEZ-in, duke luftuar që, një kompani serioze dhe e suksesshme si CEZ-i, të futet në sektorin energjetik në Shqipëri, probleme të ngjashme, do të shkatërrojnë frutin e një pune të madhe, që unë dhe z. Petran, kemi bërë për muaj e muaj dhe negocime pas negocimesh, për të arritur një privatizim të suksesshëm të OSSH-së”. Ky e-mail i pranuar edhe nga drejtësia, tregon dimensionin e rolit të Kalajt në procesin e privatizimit.

Në datën 11 maj 2010 në orën 9: 10, Nuel Kalaj i ka dërguar një e-mail Tomas Pleskash, zv.drejtor i CEZ-Group, ku i shkruan “paraprakisht ju kam informuar se marrëveshja me ERE-n do të jetë nënshkruar shumë shpejt, sidoqoftë, në ketë moment Qeveria e Shqipërisë po negocion për të marre hua…”. Ky e-mail tregon rolin si sekser të Nuel Kalajt edhe pas privatizimit të OSSH, pra gjatë negociatave për të favorizuar CEZ.

Në datën 15 maj 2010 në orën 12:05, Nuel Kalaj i ka dërguar një e-mail Jozef Hejsekut, drejtor i CEZ në Shqipërim, ku ndër të tjera i shkruan “z. Hejsek nuk e ka kuptuar se unë nuk mund të bashkëpunoj me njerëz të cilët janë tërësisht të implikuar në korrupsion dhe që japin informacione të rreme në lidhje me situatën… unë do ta çoj deri në fund atë fare kam nisur. Unë do të informoj drejtorin e përgjithshëm të CEZ-it, z. Martin Roman, kryeministrin e Shqipërisë, si dhe palët e interesuara. Mos u surprizoni z. Hejsek nëse nesër ju do të përballeni me gjykatën dhe të shpalleni person non grata në territorin e Shqipërisë. Fillimisht unë do t’ia dërgoj këtë raport z. Merxhani. Pasi z. Merxhani të jetë informuar për situatën do të komunikohet me z. Hejsek, Martin Roman dhe institucionet shqiptare. Në këtë raport janë vetëm një pjesë e vogël e situatës, sepse nëse ne do të fillojnë një investigim, ai do të tronditë si termët kompaninë”.

Në datën 28 janar 2010, ora 12:40, Jozef Hejsek i dërgon një e-mail Tomas Pleskash ku ndër të tjera i thotë:..”Në anekse janë përgatitur dokumentet. Ne do të përmendim gjithashtu kërkesat tona ndaj qeverisë, sa është debia që duhet paguar tani, rregullimin e çmimit etj. Do të të pres ty me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP. Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë. Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit)”. Me datën 17 Nëntor 2011, ora 3:37 Jozef Hejsek i ka nisur Nuel Kalajt një e-mail, ku i shkruan se “Këtë mbrëmje kemi qene këshilluar se sot është dita e duhur për të dorëzuar njoftimin tone për rastin e garancisë së pjesshme të riskut, duke reflektuar vendimin e ERE-s lidhur me studimin e borxhit të keq të Deloittes”.

Sipas prokurorisë dhe gjyqtarit Lazër Sallaku të gjitha këto fakte nuk provojë asnjë fakt penal dhe se procedura e privatizimit të OSSH është e rregullt. Në këto rrethana, juristi Romeo Kara, një herë një nga paditësit e aferës CEZ, ka shtruar 50 pyetje për organet e tjera që do të vlerësojnë vendimmarrjen e prokurorisë dhe të gjyqtarit Sallaku për këtë çështje. Pyetjet nuk kanë marrë përgjigje nga hetimi i prokurorisë dhe as nga arsyetimi i gjyqtarit Sallaku.

Shqiptarja.com  11.02.2020