Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Punimet në Trepçë, qytetarët bllokojnë rrugën

Banorët e Shalës së Bajgorës e kanë bllokuar rrugën kryesore që të dërgon në Mitrovicë në shenjë proteste në lidhje me punësimet në “Trepçë”. Shaljanët kanë thënë se do të protestojnë në këtë formë për 30-40 minuta. Ata fillimisht kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me punësimet në këtë gjigant metalurgjik duke protestuar para objektit të menaxhmentit të ndërmarrjes “Trepça” .

Disa banorë të Shalës së Bajgorës kanë protestuar para zyrave të menaxhmetit të kombinatit “Trepça” për shkak të konkursit të fundit për punësim. Ata kanë bllokuar rrugën që kalon te zyrat e ndërmarrjes. Lidhur me këtë, kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Basri Ibrahimi ka thënë se kjo ndërmarrje nuk ka pasur më shumë mundësi që t’i punësoj të gjithë ata që kanë aplikuar.

“Janë disa qytetar nga Shala e Bajgorës të cilët kanë aplikuar në konkursin e fundit për punësim në ‘Trepçë’, por që nuk janë pranuar. Është e natyrshme për shkak të gjendjes ekonomike që ka kjo anë, por kaq ka pasur mundësi Trepça të pranoj”, tha Ibrahimi. Ai ka shtuar se do t’i shohin mundësitë tjera që të pranojnë punëtorë në këtë ndërmarrje.

“Janë hallexhi, ne i mirëkuptojmë ketë fakt. Në konkursin e fundit kanë konkurruar mbi 1,700 persona, por është i kufizuar numri. Ne prapë do të shohim mundësin që të punësojmë edhe në vitet e ardhshme. Për këtë, së bashku me Qeverinë e Kosovës do të punojmë që ta rregullojmë mundësin që punëtorët t’i dërgojmë më herët në pension, pasi që dihet për kushtet e punës që janë në ‘Trepçë’”, ka shtuar ai.
Në mbështetje të kësaj proteste, të dielën ka dalë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Bahtiri ka thënë se është harruar kontributi i punëtorëve në këtë ndërmarrje.

“Punëtorët janë kujdesur për minierën sikurse për shtëpinë e tyre, sepse realisht edhe ka qenë shtëpia e tyre e dytë. Falë saj kanë siguruar mirëqenie për familjet, arsimin për fëmijët e tyre dhe perspektivë për Kosovën në përgjithësi. Menjëherë pas luftës, fal punës vullnetare dhe me rrezikshmëri të lartë për minatorët, miniera e TREPÇËS u shpëtua nga përmbysja dhe shkatërrimi i saj. Kjo ndodhi me vendosmërinë dhe sakrificën e minatorëve vendas, shaljanë. Fatkeqësisht, shumë shpejt pas kësaj filloi implikimi i politikës në punën e minierës dhe u harrua kontributi i minatorëve vendas dhe dalëngadal ata u zëvendësuan me të dëgjueshmit dhe servilët partiak nga anembanë Kosova”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Monitor,  10.02.2020