Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“HEC Moglica hyn në prodhim në tremujorin e dytë”

Flet Tom Kristian Larsen, Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower

Prodhimi i energjisë nga hidrocentralet në vend pritet të shënojë rritje teksa në tremujorin e dytë të këtij viti hidrocentrali më i madh i ndërtuar në vend, që nga koha e atyre mbi kaskadën e Drinit, pritet të nisë aktivitetin tregtar. Tom Kristian Larsen, Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower, pjesë e Statkraft shprehet se kjo finalizon edhe projektin mbi lumin Devoll të nisur prej vitesh nga kompania që aktualisht ka nën operim prej disa vitesh hidrocentralin e Banjës. Larsen shprehet, se lidhur me sektorin në tërësi, realizimi i ndryshimeve të mëtejshme strukturore do të afrojë tregun shqiptar me standardet europiane. Vënia në funksionim e Moglicës pritet të rrisë prodhimin e energjisë me 17%.

Si ishte viti 2019 në kendvështrimin tuaj për kompaninë dhe sektorin e energjisë në përgjithësi?

Objektivat prioritare të kompanisë tonë kanë qenë përfundimi i punimeve kryesore të ndërtimit për HEC Moglicë dhe fillimi i krijimit të rezervuarit të Moglicës. Njëkohësisht, kemi pasur edhe operim të kënaqshëm dhe prodhim energjie nga HEC Banja. Sa i përket sektorit të energjisë, kemi parë zhvillime të vazhdueshme në këtë sektor. Po ndodhin ndryshime strukturore, por zbatimi i tyre shtrihet në kohë të gjatë.

Si e prisni vitin 2020 (Moglica kur parashikoni nisjen e aktivitetit tregtar)?

Gjatë vitit 2020 fokusi ynë do jetë në fillimin e operimeve tregtare nga HEC Moglicë, që vlerësohet të kryhet në tremujorin e dytë të 2020-ës. Kjo do të shënojë përfundimin e dy HEC-eve që po realizojmë aktualisht në kuadër të Projektit Hidroenergjetik të Devollit. Sa i përket sektorit të energjisë, mirëpresim realizimin e ndryshimeve të mëtejshme strukturore. Në veçanti, hapja e Bursës Shqiptare të Energjisë do të jetë një hap i rëndësishëm në sjelljen e transparencës dhe likuiditetit në treg me kalimin e kohës, dhe do të afrojë sektorin shqiptar të energjisë me standardet Europiane. Gjithashtu, mirëpresim të shohim iniciativa nga qeveria për promovimin e investimeve të mëtejshme në energjinë e rinovueshme, të tilla si në fushat e energjisë nga era apo dielli, fusha në të cilat vendi ka potencial domethënës.

Monitor,  01.02.2020