Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shiu “përmirëson” energjinë, KESH: Rriten prurjet në Kaskadën e Drinit

Përveç problemeve të shkaktuara me transportin detar dhe rrjetin elektrik, reshjet e ditëve të fundit kanë sjellë efekte pozitive për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, duke përmirësuar situatën hidrike në Kaskadën e lumit Drin. Ky dikaster bën me dije për TV SCAN se reshjet kanë përmirësuar ndjeshëm nivelin e prurjeve në HEC Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.

Sipas KESH, prurjet në Fierzë në datën 24 dhjetor u regjistruan në 450 m3/s, në Koman 400 m3/s dhe në HEC Vau i Dejës, 40 m3/s. Në të tre  HEC-et prodhimi për këtë datë  arriti në 18 200 Mwh, ndërkohë që nuk kanë munguar as shitjet e energjisë, duke gjeneruar të ardhura për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare. Sipas rezultateteve të tenderit të zhvilluar në datën 24 dhjetor, KESH arriti të shiste 5 760 Mwh energji, me një çmim mesatar prej 22.76 euro/mwh, duke gjeneruar rreth 131 mijë euro të ardhura.

Thatësira e tejzgjatur në vend nuk ka favorizuar prodhimin e energjisë përgjatë këtij viti, çka ka sjellë shpenzimin e miliona eurove për importin e energjisë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ndërkohë që, kjo situatë ka nxjerrë edhe një herë në pah nevojën për diversifikimin e burimeve të energjisë, që aktualisht janë të varura në mbi 95% nga uji.

Scan,  26.12.2019