Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjuriq kërcënon se nuk do lejojë Shqipërinë e madhe energjitike

Beogradin e ka shqetësuar njoftimi për marrëveshjen midis Shqipërisë e Kosovës për themelimin e Bllokut të përbashkët Rregullues të sistemeve energjetike të tyre. Ai nuk ka nguruar ta quajë “Shqipëria e madhe energjetike”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se “Shqipëria e madhe energjetike” ekziston vetëm “në ëndrrat shoviniste” të disa politikanëve në Prishtinë, raportojnë mediat e Beogradit.

Sipas Gjuriqit, Serbia është pronare dhe ndërtuese e elektrorrjetit në Kosovë, për çka, sipas tij, ka dëshmi të panumërta.

“Në saje të angazhimit të Rrjetit Energjetik të Serbisë (EMS), dhe Elektroekonomisë së Serbisë si dhe të institucioneve përkatëse gjatë viteve të shkuara është penguar dhe ndaluar anëtarësimi i operatorit të Prishtinës i cili ilegalisht shfrytëzon një pjesë të rrjetit tonë në Kosovë në ENTSOE, ndërsa paralajmërimi për krijimin e Shqipërisë së madhe energjetike zbulon fytyrën e vërtetë shoviniste të politikës së Prishtinës”, citojnë mediat serbe komunikatën e Zyrës së Marko Gjuriqit.

Ai shton se Blloku është i pazbatueshëm në terren dhe ai duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjetikën rajonale, madje edhe për stabilitetin politik dhe vulos perspektivën e dialogut.

Serbia, duke penguar shfrytëzimin e interkonjeksionit midis Kosovës e Shqipërisë dhe anëtarësimin e Kosovës në ENTSOE pa asnjë kontribut të saj ka arkëtuar miliona euro nga vendi ynë.

Kujtojmë se Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) kanë nënshkruar të hënën marrëveshjen e themelimit të bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një komunikatë për publikun, KOSTT tha se marrëveshja u nënshkrua me dijeninë e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Kjo marrëveshje parashihet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2020.

“Blloku Rregullues, i përbërë prej dy zonave rregulluese, KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike, si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dyja sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Ilir Shala, citohet të ketë thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Shqipërinë, Kosova shkëputet nga ombrella e zonës rregulluese serbe (EMS) dhe bëhet pjesë e OST-së.

“Kjo është marrëveshje historike për Kosovën dhe KOSTT-in, meqë, deri më tani, ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese të Serbisë (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut). Tani, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me OST-in dhe fillimin e implementimit të saj në prill të vitit 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe dhe bëhemi pjesë e Bllokut Rregullues me OST-në e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Shala.

Skerdi Drenova, administratori i përgjithshëm i OST-së, tha se kjo marrëveshje krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda bllokut.

Monitor,  04.12.2019