Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mënyra e duhur për të matur emetimet e karbonit

Objektivat zero janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme

Edhe pse në mënyrë të ngadaltë, ndryshimet klimatike po zënë një vend të rëndësishëm në debatet politike të botës së pasur, shkruan The Economist. Protestat e rebelimit kundër shfarosjes, të mbështetura nga menaxherët e fondeve të investimit dhe avokatët, si dhe nga studentë dhe persona të famshëm bllokuan pjesë të ndryshme të Londrës për disa ditë këtë muaj.

Partia e Gjelbër tani është forca e dytë politike më popullore në Gjermani dhe partia kryesore e opozitës. Rreth 57% e amerikanëve dhe 84% e demokratëve të vetëdeklaruar thonë se ndryshimi i klimës është një kërcënim i madh. Së bashku me ndryshimin e opinionit publik, edhe politikanët po reagojnë, duke miratuar politika të reja.

Një nga më të njohurat është vendosja e emetimeve “neto zero” të karbonit, brenda një kufiri të caktuar gjeografik. Këto objektiva janë të lehtë për t’u kuptuar, dhe do t’i shtyjnë vende të ndryshme për të shkuar drejt përdorimit të energjisë së rinovueshme. Por këto objektiva kanë edhe të meta, ndër të cilat dy janë më të rëndësishmet. I pari buron nga fjala “neto”.

Emetimet “neto zero” nënkuptojnë marrjen e po aq dioksidi karboni nga atmosfera sa edhe vendoset në të, dhe kjo kërkon supozime për mënyra ende të paprovuara për reduktimin e karbonit nga atmosfera. Sa më shumë bujare të jenë supozime të tilla, aq më pak emetime duhet të reduktohen. Tjetri ka të bëjë me faktin se ato shpërfillin ndikimin e tregtisë dhe se nënvlerësojnë emetimet për të cilat vendet e pasura janë përgjegjëse.

Shtetet dhe qytetet që merren me ndryshimin e klimës duhet t’i bëjnë supozimet në mënyrë sa më transparente. Në botë, më shumë se 60 vende dhe mbi 100 qytete kanë adoptuar, ose premtuar se do të adoptojnë objektivat që do t’i çojnë ata në emetimet “zero neto”, të cilat parashikohen të ndodhin vetëm në vitin 2050. Shumica e vendeve që kanë premtuar se do të plotësojnë objektiva të tilla janë vende europiane, shtete të vogla të ishullore ose qytete dhe rajone të pasura. Këtë verë, Britania dhe Franca u bënë ekonomitë e para të mëdha që i kaluan këto objektiva në ligje. Shteti i Nju Jorkut, e ndoqi menjëherë me një veprim të ngjashëm. Kjo ide është aq e popullarizuar sa që aeroportet, qendrat tregtare, zyrat dhe madje edhe koncertet e rrokut, po nxitojnë që të bëhen pjesë e këtij grupi.

Por shumica e objektivave të emetimeve “neto zero” u referohen vetëm karbonit të prodhuar brenda kufijve të njësisë së përcaktimit të objektivave. Ata e përjashtojnë karbonin që ka të bëjë me mallrat e konsumuar atje, por që prodhohen diku tjetër. Kur një britanik blen një smartphone të prodhuar në një fabrikë kineze që mundësohet nga një fabrikë qymyrguri, karboni i emetuar për prodhimin e tij nuk cilësohet si britanik.

Karburanti që harxhohet për të sjellë frutat e gujavës nga Amerika e Jugut në Nju Jork, nuk llogaritet si pjesë e emetimeve të Nju Jorkut. Nëse çdo vend do të kishte një objektiv të emetimeve “neto zero” të bazuar në prodhim, asgjë nga këto nuk do të kishin rëndësi. Në një nivel global, nuk ka asnjë ndryshim midis emetimeve të karbonit që prodhohen dhe konsumohen.

Deri më tani, objektivat janë vendosur nga ekonomitë që gjenerojnë vetëm një të gjashtën e PBB-së globale. Ndërsa vëllimi i karbonit është shumë më i madh, një e katërta e të gjitha emetimeve globale janë të lidhura me flukset e tregtisë. Hendeku midis konsumit të karbonit dhe prodhimit është veçanërisht i madh për ekonomitë e pasura që përqendrohen në shërbime dhe importojnë sasi të mëdha mallrash të prodhuar. Kur përdoren masat e bazuara në konsum, emetimet e Britanisë rriten me dy të pestat. Emetimet e importuara e rrisin me një të pestën llogaritjen e karbonit në Bashkimin Europian dhe me një të dhjetën për Amerikën.

Nëse ato do të maten në mënyrë sa më të saktë, atëherë emetimet në qytetet e mëdha si Nju Jork, Londër dhe Berlin dyfishohen. Çfarë duhet bërë? Qasja më e keqe do të ishte një reagim diskriminues ndaj tregtisë ndërkufitare. Kjo për shkak se gjurma e karbonit të tregtisë ndryshon në bazë të origjinës së produkteve individuale. Për shembull, një bateri e mesme e automjeteve elektrike e prodhuar në Suedi, e cila përdor shumë energji të rinovueshme, lëshon 350 kg dioksid karboni. E njëjta bateri e prodhuar në Poloni, në fabrikat e qymyrgurit, lëshon mbi 8,000 kg CO2.

Mënyra e transportit ka gjithashtu shumë rëndësi, mallrat që transportohen me aeroplan janë më të ndotura se ato që transportohen me anije. Bota duhet të zhvendoset drejt mallrave që kanë një gjurmë më të pastër, pavarësisht se ku prodhohen. Kjo do të kërkojë që qendrat e prodhimit të zhvendosen larg nga burimet e ndotura të karburantit, si qymyrguri, dhe më pak mallra të transportohen nga ajri. Ndërmarrja e një sërë masash mund të ndikojë në përshpejtimin e këtij ndryshimi.

Në fundin më të mirë, etiketimi i duhur mund t’i shtyjë konsumatorët të marrin parasysh gjurmën e karbonit të asaj që ata blejnë. Ndërsa në fundin më të ashpër, BE-ja po shqyrton një taksë klimatike për mallrat e ndotura që importohen. Tek e fundit, objektivat “neto-zero” të ditëve të sotme janë më mirë se asgjë. Por nëse kërkohet vërtetë që të zgjidhet çështja e ndryshimeve klimatike, atëherë si shtetet ashtu edhe konsumatorët duhet të marrin përgjegjësi të plotë për nivelin e emetimeve të dioksidit të karbonit.

Montior,  05.11.2019