Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kroaci, lehtësi bizneseve që kërkojnë të rrisin efikasitetin e energjisë

Bizneset në Kroaci, që kërkojnë të rrisin efikasitetin e energjisë së pronave të tyre, do të përfitojnë nga një program i ri me vlerë mbi 2 milionë euro, nënshkruar midis Bankës Europiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim (HBOR).

Bashkitë e Kroacisë do të kenë të drejtë të përfitojnë nga ky program dhe të përmirësojnë rrjetet e ndriçimit të qytetit. Programi i mbështetur nga BEI do t’u mundësojë pronarëve të ndërtesave, kryesisht të klasës së energjisë E dhe F, të sektorit privat, të marrin mbështetjen nga HBOR dhe të zhvillojnë aplikime për hua tek ESIF për të përmirësuar efikasitetin e energjisë ose instalimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

HBOR do të ofrojë të njëjtën mbështetje për bashkitë që aplikojnë për kredi tek ESIF, për të përmirësuar rrjetet e tyre të ndriçimit të rrugëve. Partneriteti do të mbështesë subjektet e ligjshëm për të investuar më shumë se 57 milionë euro në efikasitetin e energjisë, duke kursyer deri në 35 GWh energji çdo vit dhe duke zvogëluar kështu emetimet e CO2. Marrëveshja do të përmirësojë rreth 130,000 m² hapësirë të ndërtesave publike dhe private dhe do të rrisë sigurinë në rrugë me rreth 60,000 vende të përmirësuara të ndriçimit në Kroaci.

Nënkryetari i BEI, Vazil Hudak, tha se ishte shumë i lumtur që u arrit partneriteti me HBOR, i cili shpreson se në të ardhmen do të forcohet më tej. “Në këtë fazë ne ramë dakord të rrisim efikasitetin e energjisë të bizneseve dhe bashkive kroate dhe të kontribuojmë në rrugë më të sigurta për qytetarët. Mbi të gjitha, Banka Europiane e Investimeve është shumë e lumtur që ka nënshkruar këtë marrëveshje, sepse nëpërmjet saj, ajo do të reduktojë edhe emetimet e CO2 dhe mbeturinat e energjisë. Unë i nxis bizneset dhe bashkitë që të aplikojnë te Banka Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim (HBOR) dhe të ndihmojnë jo vetëm veten dhe Kroacinë, por të gjithë planetin”, vazhdoi ai më tej.

Presidentja e Bordit Drejtues, Tamara Perko, tha se ishte e bindur se financimi i këtij projekti për efikasitetin e energjisë do të stimulojë edhe më tej aktivitetet në këtë fushë, që do të thotë se, përveç uljes së konsumit të energjisë, ai do të rrisë edhe aktivitetet e ndërtimit dhe të të gjitha industrive të lidhura me të.

“Ne presim që këto fonde të jenë të disponueshme për klientët në tremujorin e parë të vitit 2020.
Pronarët e ndërtesave të bizneseve të ndryshme dhe qeveritë lokale do të kenë të drejtë të kërkojnë ndihmë direkt tek HBOR”, përfundoi ajo.

Monitor,  21.10.2019