Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Termokos fillon sot ngrohjen e Prishtinës

Ngrohtorja e qytetit Termokos është e gatshme të nisë sezonin e ngrohjes më 15 tetor.

Zëdhënësja e kompanisë, Afërdita Uka në një përgjigje për Telegrafin tha se gjithçka është gati për sezonin e ngrohjes.

“Pasi kanë përfunduar me sukses të gjitha përgatitjet, testimet e nevojshme të rrjetit dhe të pajisjeve të ngrohjes, si dhe pasi janë analizuar me kujdes ndryshimet e temperaturave të ajrit, menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike ‘Termokos’, ka marrë vendim që sot, ashtu siç edhe parashihet me aktet ligjore në fuqi, të fillojë furnizimi me ngrohje”, tha Uka.

Ajo tha se për shkak se aktualisht temperaturat janë të larta, kapacitetet e ngrohjes do të ngritën varësisht nevojave të konsumatorëve.

“Pasi që temperaturat e një pjese të ditës janë relativisht të mira, ndërsa mbrëmjet dhe mëngjeset përcillen me temperatura më të ulëta, furnizimi me ngrohje do t’iu përshtatet ndryshimit të temperaturave të ajrit. Ndërkaq, ditëve të vazhdimësi të sezonit ngrohës, kapacitetet tona do të ngritën gradualisht varësisht nga temperaturat dhe nevoja e konsumatorëve tanë për ngrohje. Duke u bazuar në suksesin e sezoneve të kaluara, që janë realizuar nëpërmes sistemit të kogjenerimit, kur kemi ofruar ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët tanë, shpresojmë në suksesin e sezonit, që sapo kemi nisur”, tha ajo. 

Uka në një intervistë për Telegrafin, kishte thënë se me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” priten të rriten kapacitetet në furnizimin me ngrohje. Ajo tregon se me zgjerimin e projektit të kogjenerimit, qyteti i Prishtinës do ta zgjidh përfundimisht problemin e ngrohjes qendrore.

Sipas saj, në kuadër të punimeve, në rrjetin e ngrohjes pritet të kyçen disa objekte banesore të lagjes Kalabria, lagjes Ulpiana dhe lagjes Mati 1.

Telegrafi,  15.10.2019