Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, investimi drejt fundit, dritaret që hapi për ekonominë shqiptare

Intervistë e Menaxherit të TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri

Gazsjellësi TAP është investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Me vlerë totale për segmentin shqiptar prej 1.5 miliardë eurosh, TAP është i rëndësishëm, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike dhe që e pozicionon Shqipërinë në hartën energjetike të Europës, por edhe se solli një kulturë të re pune në vend, sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare në aspektin ekonomik dhe përgjegjshmërisë sociale.

Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, pohon se thuajse i gjithë tubacioni është futur nën tokë. Ai shton se TAP-i ka hapur një dritare të re për ekonominë shqiptare dhe këtë e sheh si ndikimin më të madh në ekonomi në terma afatgjatë, sidomos në diversifikimin e burimeve të energjisë.

Sa vlerësohet investimi i TAP në Shqipëri?

Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP, është një nga investimet e huaja më të rëndësishme në Shqipëri, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por për faktin që e pozicionon Shqipërinë në hartën energjetike të Europës.

Investimi i TAP-it në Shqipëri është i pranishëm në forma dhe shkallë të ndryshme, duke përfshirë ndërtimin e tubacionit në vetvete, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, investimet sociale dhe mjedisore, mbështetjen e drejtpërdrejtë për pronarët apo përdoruesit e ndikuar të tokës, si dhe trashëgiminë që u lë mbrapa shoqërive shqiptare, etj.

Investimi për ndërtimin e seksionit tokësor të tubacionit në Shqipëri është rreth 1,5 miliardë euro, përfshirë këtu koston e tubave, kompresorëve, pajisjeve dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit. Dhe gjatë kësaj faze janë përfshirë rreth 40 shoqëri shqiptare si kontraktorë dhe nënkontraktorë.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e investimeve të TAP-it në vend janë investimet sociale dhe mjedisore (SEI) me vlerë 14 milionë euro. Tashmë janë përfunduar rreth 35 projekte në Shqipëri, që përfshijnë rinovimin e shkollave dhe kopshteve, ndërtimin e infrastrukturave për turizëm, ambiente çlodhëse dhe mbjellje pemësh, organizimin e praktikave profesionale, rinovimin e bibliotekave publike, ndërtimin e ujësjellësve, hapjen e një muzeu të ri, fushatat e ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore dhe mjedisin, etj.

Nëpërmjet këtyre investimeve kemi përmirësuar drejtpërsëdrejti cilësinë e jetës së komuniteteve përgjatë tubacionit. Sa për të ilustruar, nga investimet e TAP-it për shkollat dhe kopshtet kanë përfituar rreth 5.500 fëmijë. Këto projekte janë përzgjedhur në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë dhe qeverinë qendrore.

TAP-i ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Megjithëse rrugët janë rehabilituar për të lehtësuar transportin për qëllimet e projektit, kjo infrastrukturë po përdoret tashmë nga banorët përgjatë tubacionit. Përllogaritjet tregojnë se nga këto investime po përfitojnë rreth 200.000 banorë pranë gjurmës së gazsjellësit.

Për më tepër, TAP-i po ndihmon fermerët e ndikuar nga ndërtimi i tubacionit nëpërmjet një programi të veçantë të quajtur Asistenca për Jetesën dhe Mbështetja Tranzitore (LATS). Megjithëse TAP-i u ka siguruar fermerëve të ndikuar kompensim me vlerë të plotë zëvendësimi në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare, programi LATS ka si qëllim të sigurojë që fermerët të kenë mundësi të rikthejnë në gjendjen fillestare dhe madje të përmirësojnë jetesën e tyre pas përfundimit të ndërtimit të gazsjellësit.

Sa për qind e punimeve kanë përfunduar dhe kur pritet të mbyllet tërësisht projekti?

Së pari, dëshiroj të them se siguria gjatë ndërtimit të tubacionit vijon të jetë e klasit botëror. Deri tani (fundi i korrikut) janë bërë gjithsej (Greqi, Shqipëri dhe Itali) më shumë se 44 milionë orë pune dhe është udhëtuar me mjete më shumë se 123 milionë kilometra pa asnjë aksident madhor dhe me një shkallë shpeshtie, në përputhje me nivelet më të mira të industrisë.

Për sa i përket ecurisë së punimeve në Shqipëri, thuajse i gjithë tubacioni është futur nën tokë. Rreth 95% e punimeve për pjesën tokësore në Shqipëri kanë përfunduar, përfshirë tubacionin në vetvete, stacionet e valvulave të bllokimit, stacionin matës dhe atë të kompresorëve, rikthimin në gjendje fillestare, daljen nga toka, etj. Këtu përfshihet edhe pjesa e punimeve për seksionin detar në ujërat shqiptare. E vetmja pjesë ku ende punohet në pjesën tokësore të TAP-it, është në Malin e Ostrovicës. Kjo është pjesa më e vështirë e tubacionit, pasi është edhe pika më e lartë e tij, më shumë se 2.100 metra mbi nivelin e detit.

Për të kaluar nga pika më e lartë drejt detit… Seksioni i parë i detit në Shqipëri u bashkua me sukses me segmentin tokësor në mars të vitit 2019. Gjatë verës ndërpremë punimet për pjesën detare, për të shmangur shqetësimin e turistëve në sezonin turistik. Punimet do të rinisin në vjeshtë për të lidhur pjesën tokësore shqiptare dhe atë italiane dhe për të kthyer tokën në gjendje fillestare.

Kthimi i tokës në gjendje fillestare është i rëndësishëm për ne. TAP-i ka ndërmarrë një angazhim vullnetar për të zbatuar standardet mjedisore dhe sociale të përcaktuara nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në këtë kuadër, TAP-i ka ndërmarrë të gjitha vlerësimet e nevojshme për të verifikuar këtë angazhim. TAP-i vijon të jetë brenda afateve për të transportuar gazin natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Europë në vitin 2020.

A keni ndonjë vlerësim se cili ka qenë efekti i TAP në ekonominë shqiptare?

Besoj se TAP-i ka hapur një dritare të re për ekonominë shqiptare dhe këtë e shoh si ndikimin më të madh në ekonomi në terma afatgjatë.
Në terma afatshkurtër, parashikimet e një sërë institucionesh financiare për rritjen ekonomike në Shqipëri për vitet 2017 dhe 2018, vlerësuan se rritja vjetore e ekonomisë shqiptare ishte pjesërisht rrjedhojë e pranisë së TAP. Në vitin 2019, volumi i punimeve të ndërtimit ishte më i vogël krahasuar me dy vitet e mëparshme, si pasojë e përfundimit gradual të punimeve të ndërtimit, kështu që ndikimi në ekonominë shqiptare pritet të jetë më i ulët.

Pas përfundimit të ndërtimit të tubacionit, gjatë fazës së funksionimit, TAP do të vijojë të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e vendit dhe do të zgjasë për disa dekada. TAP-i nuk është vetëm një projekt ndërtimi, por do të vijojë të kontribuojë pozitivisht në vend për vite me radhë. TAP-i është një mundësi për të diversifikuar burimet energjetike dhe për të rritur prodhimin industrial në Shqipëri, duke mbështetur biznesin vendas.

Aktualisht TAP-i po mbështet institucionet shqiptare, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe “Albgazin”, Operatorin vendas të Sistemit të Transmetimit për të zhvilluar tregun e brendshëm të gazit në Shqipëri, sipas Master Planit të Gazit. Për më tepër, “Albgaz” do të jetë i përfshirë në mirëmbajtjen e TAP-it në territorin e Shqipërisë, në kuadrin e një shoqërie të përbashkët me “Snam” nga Italia. Gjithashtu TAP po ofron ndihmën dhe përvojën më të mirë për të ngritur kapacitetet e burimeve njerëzore vendase.

Në të ardhmen pritet të zhvillohen një sërë projektesh, si IAP (Gazsjellësit Jonian Adriatik), duke e kthyer Shqipërinë në një aktor të rëndësishëm energjetik në rajon. Të gjithë këto projekte përkthehen në më shumë investime në Shqipëri dhe më shumë mundësi për rritje ekonomike.
Ne besojmë që shembulli i zbatimit me sukses të projektit tonë do të shtyjë investitorë të tjerë ndërkombëtarë të vijnë dhe të bëjnë biznes në Shqipëri.

Kur do të hyjë në funksion TAP?

Siç e përmenda më lart, ne do të përqendrohemi në përfundimin e punimeve për ndërtimin e tubacionit tokësor, në mënyrë të sigurt. Pasi të jetë arritur përfundimi mekanik, tubacioni dhe pjesët e tij do të hyjnë në fazat e parakolaudimit dhe kolaudimit. Paralelisht, po përgatitemi për operacionet tregtare, tashmë si një Operator Sistemi i Transmetimit (OST) dhe si Operator i Pavarur Transmetimi (OPT). Ne do të përfundojmë dhe do të miratojmë Kodin e Rrjetit të TAP-it. Do të zbatojmë instrumentet përkatëse të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe do të nënshkruajmë marrëveshjet e interkoneksionit me OST-të fqinje.

Një objektiv kyç për këtë vit është të sigurojmë gatishmërinë e të gjithë ofruesve të operacioneve dhe mirëmbajtjes, pjesëve të këmbimit, instrumenteve dhe pajisjeve përpara se të fusim hidrokarbure në tubacionin dhe impiantet e TAP-it, në mënyrë të sigurt. Në Shqipëri, TAP-i po punon nga afër me “Albanian Gas Services”, shoqëri e përbashkët e “AlbGaz” dhe “Snam”, për të përgatitur terrenin për procesin e mirëmbajtjes në Shqipëri. Në korrik, TAP-i ka nisur një testim tregu për t’u lejuar transportuesve të gazit natyror të shprehin interesin dhe mundësisht për t’u siguruar në një fazë të mëvonshme akses në kapacitetet e reja dhe afatgjata të TAP-it.

Kështu që, kemi ende shumë punë përpara nesh. Ne jemi besimplotë se TAP-i do të vijojë të ecë përpara brenda afateve dhe do të dorëzojë një gazsjellës modern, të sigurt dhe të fuqishëm për të transportuar/ për të dorëzuar gazin e Shah Deniz në Europë në vitin 2020.

Monitor,  30.09.2019