Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bien investimet e huaja në energjitikë

Investimet e huaja në sektorin e energjisë pësuan një rënie të ndjeshme në tremujorin e dytë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, ato zbritën në 64 milionë euro, sa gjysma e vlerës së regjistruar në tremujorin e parë. Kjo rënie lidhet direkt me afrimin e përfundimit të investimit më të rëndësishëm në këtë sektor, gazsjellësit TAP. Sipas kompanisë, vlerësohet se tashmë ka përfunduar rreth 99% e punës për realizimin e projektit që ka sjellë në Shqipëri një investim prej rreth 1.5 miliardë eurosh. Tashmë, projektet më të rëndësishëm të investimeve të huaja në këtë sektor ngelen ata të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, që po zbatohen nga kompania Devoll Hydropower. Ndërtimi i hidrocentralit të Banjës përfundoi në vitin 2016, ndërsa vazhdon ende puna për ndërtimin e hidrocentralit të Moglicës.

Industria nxjerrëse vazhdon të jetë kolona e dytë më e rëndësishme e investimeve të huaja direkte. Për tremujorin e dytë, në këtë degë u investuan 51 milionë euro, në rritje të lehtë nga tremujori i parë dhe në vlera ndjeshëm më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor i takojnë, në pjesën më të madhe, kompanive të angazhuara në kërkimin dhe nxjerrjen e naftës, Bankers Petroleum dhe Shell.

Sektorët që po shënojnë rritje domethënëse të investimeve të huaja për këtë vit janë ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Për tremujorin e dytë, investimet në këto aktivitete arritën në 48 milionë euro. Degë tjetër që vazhdon të sjellë flukse të konsiderueshme investimesh të huaja është sektori bankar dhe financiar. Për tremujorin e dytë të vitit, këto investime arritën në 38 milionë euro.

Banka e Shqipërisë e vlerëson fluksin hyrës të investimeve të huaja për tremujorin e dytë të vitit në vlerën e 248 milionë eurove, në rënie nga tremujori i parë, porn ë rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përfundimi i investimeve të mëdha strategjike do ta bëjë të vështirë ruajtjen e investimeve të huaja në kufijtë e 1 miliardë eurove në vit, siç ka ndodhur vitet e fundit. Megjithatë, rritja e lehtë e investimeve në sektorë të tjerë, përtej energjisë dhe industrisë nxjerrëse, mund të jetë një sinjal pozitiv.

Monitor, 25.09.2019