Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kapaciteti gjenerues i HEC-eve të vogla e të mesme arrin në 2203MW

Prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme është vënë edhe një herë në analizë në një dokument të qeverisë në kuadër të objektivave për vitin 2020. Referuar të dhënave zyrtare rezulton se i vetmi grup që është tejkaluar sa i përket energjisë nga burimet e rinovueshme është ai i hidrocentraleve ku janë të paktën 527 hidrocentrale të përfshira në 251 kontrata dhe që kanë një kapacitet nën 15 Mw. Duket se rol në këtë pjesë kanë luajtur hidrocentralet deri në 2Mw që sipas një vendimi qeverie nuk i konsideronte ato koncesione tipike dhe që mund të miratoheshin me firmë ministri.

“Në rastin e HEC-eve të Vogla dhe të Mesme deri në 15 Mw është tejkaluar ndjeshëm kjo pritshmëri.
Nga një vështrim paraprak i progresit që kanë pësuar burimet e rinovueshme te energjise (BRE) gjatë 2018 duket qartë se, pas aprovimit të ligjit 7/2017 u krijua baza ligjore për mbështetjen financiare fikse të HEC-ve të Vegjël (HECV) deri në 2 MW . Kështu, përveç 171 kontratave koncesionare për 2,105 MW, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Industrisë (MIE) gjatë 2017-2018, janë nënshkruar edhe 71 kontrata për 78 HECV, me fuqi totale 98 MW. Kjo solli një stok të konsiderueshëm të HECV-ve dhe në total janë dhënë 2,203 MW kapacitete gjeneruese të kontraktuara. Kështu, numri i HECV është 527 me një numër total të 251 kontratave koncesionare ose jo” thuhet në dokument.

I njëjti vlerëson se hidrocentralet e vegjël janë realizuar në masën 84% dhe mbeten akoma rreth 100 MW për tu komisionuar, të cilat janë të pritshme për tu realizuar, duke konsideruar kontratat e dhëna koncesionare, por që sipas parashikimeve të deritanishme, kurrsesi nuk mund të ndërtohen brenda 2020-ës.

Duke e lidhur këtë edhe me aspekte të tjera të burimeve të rinovueshme dokumenti vlerëson se objektivi i prodhimit të 38 për qind të energjisë nga këto të fundit është i kërcënuar nga paqëndrueshmëria që paraqet “hidroja”.

“Llogaritjet dëshmojnë se Objektivi Kombëtar gjatë viteve 2009–2018 ka qenë mjaft i paqëndrueshëm duke marrë vlerat minimale prej 25.8% (2011) në ato maksimale prej 35.6% (2015) deri në 34.5% në vitin 2018. Kjo shpjegon edhe një herë faktin se Shqipëria bazohet kryesisht në prodhimin hidro të energjisë elektrike, prodhim i cili ka një impakt të konsiderueshëm në paqëndrueshmërinë e Objektivit Kombëtar të BRE” thuhet në dokument.

Monitor,  05.09.2019