Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kostoja e vërtetë e makinave elektrike

Miliona punonjës europianë janë të shqetësuar rreth së ardhmes së tyre, duke qenë se makinat me motorë me djegie po fillojnë të hiqen nga qarkullimi. Politikanët duhet të veprojnë menjëherë

Por, një numër i madh njerëzish janë të gëzuar për këtë situatë, shkruan Bloomberg. Reduktimi i ndotjes së ajrit dhe i varësisë ndaj naftës janë disa nga arsyet kryesore që një grup i madh njerëzish do t’u drejtohen makinave elektrike.

Por për 3 milionë europianët që punojnë në industrinë e automjeteve, kalimi në teknologjinë e re është shkaktari kryesor i një ankthi të madh. Edhe pse të dhënat nuk janë konfirmuar ende, shumë punonjës të kësaj industrie do të mbeten pa punë, sepse makinat e reja kanë nevojë për shumë më pak mirëmbajtje dhe njëkohësisht për më pak pjesë në krahasim me makinat me motor me djegie.

Me automatizimin, Brexit dhe luftën tarifore të nisur nga Presidenti Trump, situata po përkeqësohet për punëtorët e industrisë së automjeteve. Kompania Ford e ka reduktuar me 12,000 numrin e punonjësve në këtë kontinent (ndërsa prodhuesit e makinave e kanë reduktuar me 38,000 numrin e vendeve të punës në industrinë e automjeteve në pesë muajt e parë të këtij viti).

Sfondi industrial më i gjerë është pak më mirë: Prodhimi i makinave në Bashkimin Europian ra nga 19% në 14% nga viti 1991 në 2018. Por asnjë nga këto situata nuk është ideale për liderët politikanë, të cilët janë duke u përpjekur me të gjitha mënyrat për të mbrojtur vendet e punës së punëtorëve të shumtë të kësaj industrie, për të kundërshtuar edhe thirrjen e rivalëve populistë.

Politikëbërësit duhet të veprojnë sa më parë për të përmirësuar situatën. Ata po përpiqen që t’ia dalin me sukses sfidës së madhe të kësaj epoke, por pa asnjë rezultat të dukshëm. Dështimi i fundit ndodhi disa javë më parë, kur Fiat Chrysler Automobiles NV nuk arriti të bashkohej me Renault SA. Ky bashkim do të krijonte edhe një prej kompanive më të mëdha dhe që do të ishte njëkohësisht shumë mirë e pajisur për t’i bërë ballë transformimit të kësaj industrie.

Ndërkohë që qeveritë debatojnë nëse objektivat e reduktimit të emetimeve të karbonit në nivelin zero duhet të përmbushen plotësisht deri në vitin 2050 apo 2040, apo qoftë edhe më herët, industri të ndryshme të prodhimit të automjeteve po e ridrejtojnë një pjesë të madhe të kapitalit drejt prodhimit të produkteve sa më të pastra. Volkswagen AG, për shembull, ka premtuar se do të shpenzojë 34 miliardë dollarë amerikanë në prodhimin e makinave elektrike.

Sipas të dhënave nga BloombergNEF, deri në vitin 2022 automjetet e mëdha elektrike mund të kenë kosto edhe më të lirë në Bashkimin Europian, në krahasim me makinat me motorë me djegie. Rënia e shpejtë e kostos së baterive duhet të alarmojë qeveritë mbi pasojat me të cilat do të përballet numri i madh i punonjësve të kësaj industrie. Për fat të keq, politikëbërësit janë përpjekur për t’i dhënë përgjigje humbjes së vendeve të punës vetëm në disa sektorë të veçantë.

Sindikata gjigante gjermane IG Metall mendon se rikualifikimi i stafit është përgjigjja më e mirë për humbjen e një potenciali prej 75,000 vendesh pune në kalimin e kësaj industrie drejt makinave elektrike. Por kjo nuk do të ishte “kura e të gjitha problemeve”. Fondi i Rregullimit të Globalizimit të BE-së, nëpërmjet një shume të caktuar parash, ndihmon në riintegrimin e punonjësve të papunë, por sipas organizatës Bruegel, ecuria dhe rezultatet e këtij Fondi kanë qenë të ndryshme në vende të ndryshme.

Për shembull, norma mesatare e riintegrimit të atyre që ishin pjesë e këtij fondi ishte mbresëlënëse në Republikën Çeke, me rreth 92%, por në Belgjikë, kjo normë arrinte në vetëm 26%. Madhësia e këtij Fondi është shumë e vogël në vetëm 150 milionë euro (169 milionë dollarë amerikanë dhe kriteret e tij janë shumë kufizuese për të bërë ndryshimin e madh, edhe pse qeveritë e BE-së po përpiqen ta ndryshojnë një fakt të tillë. Në nivel kombëtar, Gjermania e ka treguar veten të gatshme t’i përgjigjet ndryshimit më të gjerë në energjinë e rinovueshme, sidomos nëpërmjet një pakete prej 40 miliardë eurosh për të mbështetur ata që do të vuajnë nga heqja e planifikuar e prodhimit të energjisë nga qymyrguri.

Shpenzimet përfshijnë përmirësimet e infrastrukturës, si rrugët dhe lidhjet e telekomunikacionit, si dhe hapjen e më shumë vendeve të punës në sektorin e shërbimeve. Por a do të mundet me të vërtetë Gjermania që të zëvendësojë të gjitha këto vende pune vakante me pozicione të ngjashme në industrinë prodhuese? Ndërkohë, Franca është e shqetësuar nga perspektiva e trazirave të mëtejshme sociale, në rast se procesi i “deindustrializimit” do të avancojë.

Sipas ekonomistit Patrick Artus nga Natixis, produktiviteti i ulët i vendit, pagat në nivele të ulëta dhe sidomos nëse shoqërohen edhe me humbjen e vendeve të punës dhe rritjen e çmimeve të energjisë mund të sjellin një krizë tjetër si ajo e jelekëverdhëve e disa muajve më parë. Nuk ka rregulla fikse për këto çështje. Ajo që dihet me siguri është se liderët e Europës duhet të fillojnë të veprojnë sa më parë të jetë e mundur.

Scan,  22.07.2019