Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Termokos zgjeron sistemin ngrohës

Afërdita Uka-Fejzullahu nga ngrohtorja e qytetit “Termokos”, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” priten të rriten kapacitetet në furnizimin me ngrohje.

Ajo tregon se me zgjerimin e projektit të kogjenerimit, qyteti i Prishtinës do ta zgjidh përfundimisht problemin e ngrohjes qendrore.

“Në pakon e ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, fatmirësisht është paraparë si pako tenderuese e veçantë dhe pritet të ketë një mbulueshmëri mjaftë të madhe, ndoshta dhe për tërë qytetin e Prishtinës me kapacitetet që do t’i marrim. Është herët të flasim se sa konsumatorë do të përfitojnë, por shpresojmë se përfundimisht qyteti i Prishtinës do ta zgjidh problemin e ngrohjes me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe ndërlidhjes së Termokosit me këtë projekt”, tregon ajo.

Uka-Fejzullahu thotë se me zgjerimin e projektit të kogjenerimit, Prishtina do ta zgjidh përfundimisht problemin e ngrohjes qendrore.

“Që nga 2014 kur ka filluar realizimit të projektit të kogjenerimit, ne e kemi zgjidhur përfundimisht problemin për të gjithë qytetarët e Prishtinës, të cilët janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes për lagjet kur operojmë aktualisht dhe me shtimin e lagjes Kalabria, pra ne me projektin e kogjenerimit ne ofrojmë ngrohje deri në 24 orë që nga 15 tetori deri 15 prilli kur fillon sezoni i ngrohjes”, thotë Uka-Fejzullahu.

Sipas saj, në kuadër të punimeve, në rrjetin e ngrohjes pritet të kyçen disa objekte banesore të lagjes Kalabria, lagjes Ulpiana dhe lagjes Mati 1.

“Objekte institucionale, që do të kyçen në rrjetin e ngrohjes janë çerdhet e fëmijëve ‘Buzëqeshja’ dhe ‘Xixëllonjat’, Teatri Kombëtar, Filarmonia e Kosovës, Ministria e Kulturës, shkolla ‘Naim Frashëri’, Stacioni i Policisë në lagjen e Muhaxherëve, Fakulteti i Arteve, ndërtesa e EULEX-it dhe Doganat e Kosovës. Në saje të këtij projekti do të rehabilitohen 100 nënstacione të ngrohjes, ndërsa 50 nënstacione do të jenë të reja. Në lagjen Ulpiana do të rehabilitohen 24 nënstacione, Qendër 10 nënstacione, Dardani 26 nënstacione, Bregu i Diellit 8 nënstacione, ndërsa në objektet institucionale dhe publike do të rehabilitohen 36 nënstacione të ngrohjes”, njofton ajo.

Në këtë intervistë, Uka-Fejzullahu ka folur edhe kapacitet aktuale të furnizimit me ngrohje qendrore.

Telegrafi,  17.07.2019