Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pse Shqipëria nuk prodhon energji të rinovueshme

Pak vende në Europë janë aq të përshtatshëm sa Shqipëria për prodhimin e energjisë së rinovueshme, pavarësisht se interesat e fuqishme në sektorin e energjisë elektrike shohin vetëm ujin si burim energjie elektrike, e cila nuk është ajo që i nevojitet këtij vendi.

Të udhëtosh në natyrën e gjelbër të Shqipërisë në pranverë është një kënaqësi e vërtetë. Bukuria e saj e madhe mbetet ende për t’u zbuluar nga masat e turistëve. Lumenjtë e gjerë janë ende ndër të paktët që rrjedhin ende lirshëm në të gjithë Europën, të mbushura me florë dhe faunë të humbur për shumicën e pjesës tjetër të kontinentit.

E megjithatë, kjo ka një anë të dhimbshme, për përkrahësit e energjisë së rinovueshme. Pak vende në Europë janë aq të përshtatshëm sa Shqipëria për energjinë e rinovueshme. Shqipëria ka dritë dielli në bollëk, erë në vargmalet malore dhe përgjatë bregdetit, maja të larta me shkëmbinj të pjerrët, shkrepa vertikalë dhe burime të nxehta që sinjalizojnë burime të pasura gjeotermale nën tokë.

Tokat bujqësore kanë qasje në sasi të jashtëzakonshme të biomasës. Për më tepër, pyjet mbulojnë rreth 36 për qind të territorit të vendit.

Në të vërtetë, Shqipëria, ashtu si shumica e Ballkanit, është një vend i mrekullueshëm në aspektin e potencialit të saj për prodhimin e energjisë së pastër. Sipas një raporti të Komisionit Europian, “Shqipëria në sajë të pozitës së saj gjeografike dhe burimeve natyrore ka një potencial të lartë zhvillimi për të shfrytëzuar burimet e rinovueshme të vendit.”

Një tjetër raport konkludon: “Investimet e energjisë së rinovueshme mund të krijojnë gjithashtu një gamë të gjerë përfitimesh për Shqipërinë, përfshirë edhe energji të mjaftueshme, një rrjet më të përmirësuar ku mund të mbështetet dhe vende të reja pune.”

Ajo që e bën kaq të dhimbshme është se ky potencial i madh, i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e brendshme dhe madje për të eksportuar energji në Europën Perëndimore, është pothuajse tërësisht i pashfrytëzuar.

Në këtë vend të varfër dhe që mundohet shumë, ka pasuri kudo ku hedh sytë e megjithatë askush nuk po fiton asnjë qindarkë nga kjo. Edhe më i dukshmi – energjia solare termike – gjendet nëpër çati vetëm sporadikisht në veri dhe aspak në jug. Kontrasti me Italinë dhe Greqinë, ku sistemet solare janë të zakonshme, është i qartë.

Shqiptarët nuk janë krejtësisht të pavetëdijshëm për këtë bujari. Hidrocentrali tashmë mbulon 20 për qind të konsumit të tyre të energjisë elektrike dhe përbën gati 97 për qind të energjisë së prodhuar në vend.

Kur termocentralet nuk janë funksionale, e cila ndodh më shumë se gjysmën e vitit, në kohë reshjesh të ulëta, Shqipëria importon energji dhe me kosto të madhe nga fqinjët me kapacitet qymyrguri. Nuk është e habitshme që kur shqiptarët mendojnë të shtojnë më shumë energji të rinovueshme në portofolin e tyre, ata mendojnë për më shumë ujë.

Por shkatërrimi i lumenjve të fundit të pacenuar të Europës, siç është lumi spektakolar Vjosa, nuk është zgjidhje. Shqipëria ka nevojë për burime energjie që i japin asaj fuqi kur hidrocentralet nuk janë funksionale.

Përgjigjja është energjia diellore, ajo e erës dhe gjeotermale, të cilat mund të ruhen edhe në lartësi të larta në Shqipëri me sisteme të ruajtjes së ujit të pompuar. Në të vërtetë, Shqipëria është bërë për energji të rinovueshme.

U habita me këtë gjendje të pakënaqshme, kur arrita të kontaktoja me Ministrinë e Mjedisit të Shqipërisë. Një zyrtar, Zamir Dedej, pranoi të takohej me mua – nuk pata aq fat në Serbi, ku një sërë emailesh nga ana ime u shpërfillën totalisht.

Ai tha se ishte pro energjisë së rinovueshme, por se Shqipëria nuk ishte ende gati për sisteme fotovoltaike diellore dhe turbinat me erë. E para, tha ai, ato janë shumë të shtrenjta. Së dyti, rrjeti i transmisionit i Shqipërisë është aq i vjetruar saqë nuk mund të përballojë furnizimet e prodhuesve të pavarur.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria, duke qenë një vend i mirë europian dhe duke aspiruar statusin e pranimit në BE, po përqendrohet te hidrocentralet.

Gazeta Tema,  26.06.2019