Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Veturat në Kosovë duhet të bëjnë matjen e gazrave që emetojnë

Nga 1 qershori, të gjitha veturat në Kosovë përveç kontrolleve teknike, duhet të bëjnë edhe matjen e gazrave që lirojnë. Kjo u bë e ditur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e cila tha se kjo është e caktuar me udhëzim administrativ. Me testimin e këtyre gazrave, qytetarëve të Kosovës u shtohet edhe një barrë për pagesë.  Në Kosovë llogaritet që janë rreth 400 mijë vetura.

Qytetarët përveç që do të paguajnë kontrollet teknike të automjeteve sipas përcaktimeve të mëhershme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, nga tani do të paguajnë edhe çmimoren për testim të gazrave për secilën kategori të mjeteve motorike

Ndonëse ky vendim ishte paraparë të fillonte së aplikuari nga muaji shkurt, ai është shtyrë me kërkesë të shumë qendrave të kontrolleve teknike të automjeteve.

Mirëpo, definitivisht ky vendim ka filluar të aplikohet nga 1 qershori.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kanë bërë të ditur ka filluar implementimi i  matjes së gazrave të automjeteve.

“Për ta ndalur këtë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të fillojë matjen e emetimit të gazrave. Matja fillon nga 1 qershor i këtij viti. Në tre muajt e parë kushdo që e teston makinën ka çmim promovues dhe nuk i nënshtrohet nivelit të kalueshmërisë. Ato vetura që nuk i nënshtrohet testit brenda këtyre tre muajve dhe pas këtij afati nuk e plotësojnë nivelin e Euro4 për lirimin e gazrave të ndaluara, nuk mund të regjistrohen”.

Në MIT tregojnë se ky udhëzim administrativ ka ardhur si kërkesë dhe kriter i dalë nga Bashkimi Evropian

“Ky udhëzim administrativ vjen si kërkesë dhe kriter i dalë nga Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit synon të jetë edhe Kosova. Ne angazhohemi për ajër më të pastër e jetë më të shëndetshme”.

E ky vendim obligon të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik të Automjeteve dhe të Homologimit për zbatimin e këtij vendimi.

Qytetarët përveç që do të paguajnë kontrollet teknike të automjeteve sipas përcaktimeve të mëhershme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, nga tani do të paguajnë edhe çmimoren për testim të gazrave për secilën kategori të mjeteve motorik.

Çmimorja për kategorinë e motoçikletave me parë ishte thënë se do te jetë  3.50 euro, ndërsa për automjetet nën 3.5 tonë 5 euro dhe për mbi 3.5 tonë 6 euro.

Pulla apo tiketa mjedisore e automjeteve është një shenjë që vendoset në pjesën e përparme të xhamit të automjeteve për të treguar nivelin e emisioneve që emetohen nga automjeti përkatës.

Qëllimi i përdorimit të saj është reduktimi i ndotjes së ajrit nga burimet e lëvizshme duke përcaktuar zona të lejuara apo të ndaluara për qarkullimin e automjeteve varësisht nga niveli i emetimeve të gazrave që lirojnë ato.

Vlen të theksohet se qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë edhe taksën ekologjike që është e aplikuar më se shumë vite nga Ministria e Punëve të Brendshme, kjo taksë paguhet në Qendrat Komunale për Regjistrim të Automjeteve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë janë rreth 400 mijë vetura të regjistruara. Në këtë shifër sipas MPB-së përfshihen regjistrimet e reja, regjistrimet e përkohshme, vendimet, ri-regjistrimet dhe legalizimet.

Monitor,  03.06.2019