Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia mbajti në këmbë investimet

nvestimet e huaja në 2018-n arritën në 1 miliard euro, me një rritje prej rreth 13%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një nivel rekord. Investimet në energji mbajnë peshën kryesore të fluksit të investimeve që hyjnë në vend, me rreth 60%. Vetëm në energji, stoku i investimeve u rrit me 122 milionë euro në tremujorin e tretë 2018 dhe 590 milionë euro për të gjithë vitin, si rrjedhojë e investimeve nga gazsjellësi TAP dhe HEC Devolli, sipas statistikave të BSH.

Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Statistikat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në 2 miliardë euro në fund të 2018, duke zënë 27% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave.

Pa këto dy investime, stoku i investimeve në 2018-n do të shënonte një rritje minimale dhe do të ishte rreth 5.5 miliardë euro në fund të tremujorit të tretë 2018, nga 7.7 që rezulton realisht, ose 36% më i ulët. Edhe rritja e investimeve do të kishte qenë minimale katër vitet e fundit, pa dy projektet e mëdha në energji. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se deri para fillimit të punimeve për TAP dhe Devollin, sektori i industrisë nxjerrëse kryente investimet më të mëdha në Shqipëri. Në 2014-n, fluksi i investimeve të reja i industrisë nxjerrëse ishte rreth 500 milionë euro, ose 58% të totalit.

Në 2018-n, investimet në këtë sektor ishin vetëm 170 milionë euro, ose 17% të totalit. Vlerat e larta të disa viteve më parë është pothuajse e pamundur të arrihen më, edhe për shkak të çmimit të ulët të naftës në bursa. Bankers Petroleum, investitori më i madh në industrinë nxjerrëse, ka deklaruar se planet janë për shpimin e rreth 88 puseve të reja nafte në 2019-n dhe investime rreth 150 milionë dollarë, që mund të jetë maksimumi i investimit. Por që të zbatohet ky plan kërkohet likuiditet i qëndrueshëm dhe me çmime të qëndrueshme të Brent-it mbi 75-80 dollarë për fuçi. Në tre muajt e parë të këtij viti, çmimi i naftës në bursa është luhatur midis 60 dhe 66 dollarëve, çka mund të ulë planet e investimit të Bankers.

Kompanitë e telekomunikacioneve, që vijnë të dytët për nga stoku i investimeve, janë në fazë maturimi dhe tkurrjeje dhe nuk pritet të kryejnë investime të mëdha, me përjashtim të planeve që mund të ketë aksioneri i ri i Telekom Albania. Sistemi bankar, një tjetër investitor i madh, kryesisht përmes rritjes së kapitalit, është i përfshirë në proceset e shitblerjeve dhe tregu po tkurret nga 16 në 13 banka.

Monitor,  06.04.2019