Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mungesa e sigurisë, një nga problemet kryesore të HEC-eve në Kosovë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka raportuar sot para komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku u diskutua lidhur me hidrocentralet dhe gurthyesit.

Gjatë këtij diskutimi, u tha se ka probleme me lejet e integruara, sigurinë gjatë minimit si dhe degradimin e lumenjve për shkak të eksploatimit ilegal gjatë natës nga operatorët.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se nga 112 gurore aktive, 25 prej tyre janë në gjykata.

Ai tha se do të ketë dënime për të gjithë ata operatorë që nuk i janë përmbajtur lejes së punës.

“Bashkë më z. Musliu ne i kemi taku disa përfaqësues të Çirezit. Çështje tjera që janë ngritur si shqetësim nga banorët, që kanë të bëjnë me sigurinë e tyre gjatë minimit, nuk i përkasin Ministrisë së Mjedisit. Nga tereni, informacionet që kemi pasur, kemi vërejtur që në këtë zonë ka disa gropa të mbushura me ujë që janë rrezik për fëmijët e kafshët. Inspektimet e fundit janë bërë ditën e djeshme dhe këto gropa kanë filluar të mbyllen nga operatori”, tha ai.

Deputetja nga radhët e PDK-s, Ganimete Musliu, tha se dëshiron të informohet edhe lidhur me zjarret e shumta që po shkaktohen në Kosovë, pasi sipas saj është një gjendje alarmante.

E ministri Matoshi tha se kjo nuk është kompetencë e Ministrisë që ai e drejton.

Si ministër jam shumë i shqetësuar për këtë dukuri që po na përcjell kohëve të fundit. Por, ne nuk kemi ndonjë kompetencë të menaxhimit të pyjeve që po digjen dita ditës”, tha ai.

E deputeti i VV-së, Liburn Aliu, pyeti nëse do të ishte dashur të pajisej operatori me leje para se të fillojë punimet.

“Këta operatorë nuk kanë as leje e as pëlqim mjedisor. Atëherë pse nuk iu ndalet puna”, tha ai.

Matoshi tha se është debat i gjerë nëse duhet të ketë leje të integruara apo jo.

“Leje mjedisore nuk kanë sepse nuk mund t’ju japim leje të tillë pasi nuk kanë kthyer ambientin siç ka qenë para se të kryhet puna aty. Ka degradim të shtretërve të lumenjve dhe nga këta që kanë leje na është thënë se eksploatimi i zhavorit bëhet ilegalisht, ku shfrytëzohet nata”, u shpreh ai.

E, deputeti i PSD-së, Salih Salihu, tha se MMPH duhet të gjejë një strategji se si ta bëjë këtë punë më mirë.

Ai mori shembull Vjenën, kur gropat e rrafshëta janë shfrytëzuar fillimisht për punë e më pas si liqene akumuluese që tani shërbejnë për rekreacion.

Ndërsa deputeti nga radhët e VV-së, Salih Zyba pyeti se a është e vërtetë që në teren operojnë 200 operatorë.

Një gjë të tillë e mohoi ministri Matoshi.

“Jam shumë i gatshëm me qenë në teren dje me e pa gjendjen së bashku dhe bashkë me involvu edhe akterë të tjerë. Sa i përket listave, ne e kemi listën e operatorëve që kanë shku nëpër gjykata dhe e kemi listën për operatorët që iu është refuzuar leja”, tha ai.

E deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj tha se në Çirez ka vërejtje konkrete çka do të duhej të aktivizonte Ministrinë e Mjedisit. “Cilat janë instrumentet tuaja që të mund të bënin matjet e duhura. Ne kemi parë atje gurë të masave të mëdha që iu kanë rënë njerëzve nëpër oborre”, pyeti ai.

Kurse, kryeinspektori i Minierave dhe Mineraleve, Fatmir Gërguri, tha se në rast të ndonjë fatkeqësie me fatalitet përgjegjësia bie mbi ndërmarrjen minuese ose gurthyese.

Telegrafi,  02.04.2019