Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TEC-i i ri shtrenjton energjinë për qytetarët e Kosovës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka dhënë informata në lidhje me çështjen e investimeve të Contour Global për realizimin e projektit të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”. Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke vazhduar përmbushjen e obligimeve të marra, dhe se shumë shpejt do të bëhet përzgjedhja e kompanisë ndërtuese. Mirëpo, opozita dhe shoqëria civile kanë dalë kundër  ndërtimit të këtij të termocentrali. Ata po thonë se me këtë projekt do të rritet çmimi i energjisë e do të dëmtohen qytetarët e Kosovës.

Ndërtimit i termocentralit “Kosova e Re” pritet të nis gjatë këtij viti. Kurse, në muajin prill do të bëhet përzgjedhja e kompanisë ndërtuese.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka treguar se Qeveria e Kosovës është duke vazhduar përmbushjen e obligimeve të marra për ndërtimin e termocentralit.

“Qeveria e Kosovës është duke vazhduar përmbushjen e obligimeve të marra. Sipas marrëveshjes tashmë kemi përmbushur pjesën më te madh të obligimeve. Bashkë me investitorët jemi në fazën e vlerësimit të ofertave për përzgjedhjen e kompanisë. Faza e parë tashmë është përmbyllur dhe në fund të marsit do ta pranojmë një raport të detajuar”, ka thënë Lluka në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Ai ka treguar se gjatë muajit prill do të përzgjidhet kompania ndërtuese.

“Po ashtu brenda muajit prill do të bëhet edhe përzgjedhja e ndërtuesit të Termocentralit “Kosova e Re”.

E deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu ka thënë se Qeveria e Kosovës ka themeluar një ndërmarrje të re publike me qëllim blerjen e kapacitetit prodhues të termocentralit të ri që do të ndërtohet nga kompania ndërkombëtare “Contour Global”.

Sejdiu ka njoftuar se kompania e re publike, e cila quhet “NKEC”, do të detyrohet të blejë tërë kapacitetin e termocentralit të ri të “Contour Global” me çmim dy herë më të shtrenjtë sesa që e blen momentalisht nga KEK-u.

“Qeveria e Kosovës ka themeluar kompani të re publike (NKEC), e cila detyrohet të blejë tërë kapacitetin prodhues të TC të ri të “Contour Global” me çmim prej EUR 80 për Mëh. ‘ÇMIMI I SYNUAR’ (Poëer purchase Agreement, Recital F, fq.7) është dy herë më i lartë se çmimi që e faturon sot KEK!”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka njoftuar se “këtë energji elektrike kjo kompani e re publike (NKEC) do t’ia shesë KEDS-it me çmim të tregut, dhe nëse ka ndryshim në mes të çmimit të tregut dhe këtij të synyar, i njejti dallim do të subvencionohet nga buxheti i Kosovës”.

“Këtë obligim kjo qeveri e ka garantuar për 20 vitet e ardhshme! 20 vite subvencionim i fitimit privat, 20 vite barrë mbi qytetarët e bizneset! Në vitin 2043, Kosova lirohet nga ky obligim!”, është shprehur Sejdiu.

Kurse, Instituti për analiza ekonomike dhe financiare të Energjisë (IFEFA) në bashkëpunim me KOSID kanë publikuar raportin “ Termocentrali i propozuar Kosova e RE: Barrë e pa nevojshme me një çmim të paarsyeshëm”.

Sipas raportit ky termocentral do të ketë një kosto rreth 4.2 miliardë euro do të ketë një kosto më të lartë se sa që ka parashikuar Qeveria si dhe do të rrisë çmimin e energjisë deri në 50 për qind.

Tom Sanzillo Drejtor i financave në IEEFA përmes një paraqitje prej rrjeteve sociale ai para gazetarëve ka thënë se ndërtimi i këtij termocentrali do të rritë çmimin e energjisë deri në 50 për qind.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka qenë shumë transparente në dhënien e të dhënave bazike.

Sipas tij, Kosovës i duhet një studim i saktë i cili do të dalë për nevojat e energjisë elektrike në vend.

Ndërsa Visar Azemi nga KOSID ka thënë se në bazë të raportit familjet mesatare kosovare do të paguajnë 12.9 për qind të të ardhurave të tyre për energji elektrike, dy herë më shumë se që paguajnë shumica e familjeve evropiane. Familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sipas tij, do të paguajnë 18 për qind të të ardhurave të tyre vjetore për energji elektrike.

Sipas tij,  marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contour Global, nuk është e qëndrueshme pasi ka pasur vetëm një ofertues.

Ditë më parë Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’

“Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut”,  kanë treguar këto OJQ.

Sipas tyre, duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërishme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit.

“Nëse projekti ‘Kosova e Re’ miratohet nga Parlamenti i Kosovës, Republika e Kosovës do të falimentojë. Nëse kjo kontratë vihet në jetë, Kosova si dhe qytetarët e saj, do të marrin përsipër kosto të papërballueshme dhe të pa merituara. Tutje, duhet theksuar se ky projekt nuk do të sigurojë pavarësi të furnizimit energjetik, do të minojë rrugëtimin e vendit drejt proceseve integruese, dhe do të shkaktojë dëme të pakthyeshme në mjedis. Andaj, edhe njëherë, Balkan Green Foundation dhe INDEP bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mbrojnë interesin publik duke mos votuar në favor të TC ‘Kosova e Re’, pasi që një projekt i tillë nuk ka logjikë ekonomike dhe bankroton shtetin ”.

Monitor,  27.03.2019