Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova paralajmëron heqjen e taksave për makinat elektrike

Në Kosovë shumë shpejt do të mund të hynë veturat elektrike pa paguar asnjë cent doganë e taksë.  Heqjen e taksave ndaj këtyre veturave e ka paralajmëruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, duke thënë se së shpejti në Kosovë nuk do të ketë taksa për veturat elektrike. Këto vetura, ai thotë se do të lirohen nga TVSH-ja dhe dogana.

“Kosova së shpejti zero taksa për makinat elektrike. Makinat elektrike janë e ardhmja e çdo vendi. Javën e kaluar kemi filluar procedurat për të liruar këto makina nga TVSH dhe dogana në mënyrë që t’i jepet një lehtësim qytetarëve dhe bizneseve për të përdorur makina me zero emetime”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Ai ka shtuar se, “një rekomandim i tillë ka ardhur tek unë nga eksperti fushës së efiçiencës (Lulzim Syla), gjë të cilën e kam mirëpritur.

“Bashkëpunimi me ekspertë dhe organizata profesionale në politikat zhvillimore të vendit duhet të forcohet edhe më tutje. Institucionet që hapen karshi këshillave të tilla janë më të suksesshme, normalisht për ato politika ku përfitimi është i përgjithshëm”

Lluka ka shtuar se tashmë ka filluar iniciativa për vendosjen e një mbushësi (charger) për vetura elektrike në Prishtinë.

E ditë më parë Monitor.al ka raportuar se si qytetarët e Kosovës vazhdojnë të blejnë vetura të përdorura, ndonëse janë konsideruar si shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ambientit.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit 2019 janë importuar 2 mijë e 374 vetura të përdorura. Kurse, vetura të reja brenda kësaj periudhe kohore kanë hyre në Kosovë vetëm 372 copë.

Vlera e përgjithshme e këtyre automjeteve llogaritet se është rreth 25 milionë euro.

Në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2018, ishin importuar vetëm 1.573 vetura të përdorura dhe 511 vetura të reja.

Ndryshe, sa i përket importimit të veturave prej vendeve të Bashkimit Evropian ekzistojnë disa kategori të personave të cilët nuk i brengos ligji i ri, dhe ata janë, personat me nevoja të veçanta, invalidët e luftës, si dhe lirimet nga organizatat për gjësendet e personave të hendikepuar.

Ndërkaq, lirimet për automjetet janë të përcaktuara me ligj. E, kushtet për lirim të plotë nga detyrimet e importit, mjetet e transportit parashihen nga neni 331 deri tek 338.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të bërë publike ditë më parë në Kosovë janë rreth 1120 lloje të veturave të regjistruara, prej të cilave 10 markat më të preferuara të kosovarëve janë: VË, Opel, Mercedes-Benz, Audi, Ford, Renault, Peugeot, Fiat, BMË dhe Daimler Benz.

Kufizimi i importit të veturave të vjetra deri në dhjetë vjet hyri në fuqi më 1 janar 2018, me arsyetimin se në Kosovë po importohet një numër i madh i veturave të vjetra, e të cilat po shkaktojnë probleme si në komunikacion, por edhe në ndotje të mjedisit.

Monitor,  15.03.2019