Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

VetëVendosje: Jemi për energji alternative, por jo duke shkatërruar natyrën

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se mbështet protestën e qytetarëve të Pejës dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të kësaj komune që të bashkohen kundër shkatërrimit të Lumbardhit dhe bukurive natyrore të Pejës. VV ka mbajtur një konferencë në Pejë mbi ndërtimin e HEC-eve në Lumbardh, ku iu është bërë thirrje institucioneve përkatëse nga ministria deri te inspektorati mjedisor që të pezullojnë çdo aktivitet të lidhur me avancimin e këtij projekti.

Në konferencë folën nënkryetarja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe anëtari i kryesisë në Pejë, Taulant Kelmendi, sipas të cilëve komisioni ndërministror për investime strategjike ka riaktualizuar projektin për ndërtimin e HEC-ve në Lumbardh.

“Një projekt i cili nuk i plotëson kushtet mjedisore dhe është shkatërrues për ambientin tashmë cilësohet si investim strategjik. Ky vendim është marrë në kundërshtim me planin zhvillimor komunal, i cili i ndalon ndërtimet e HEC-ve në zonë, pikërisht nga degradimi që ka ndodhur në Komunën e Deçanit nga i njëjti investitor. Më parë edhe Ministria e Ambientit e ka dekurajuar ndërtimin në këtë zonë. Projekti ka filluar në 18 tetor 2013 në një marrëveshje mes Komunës dhe kompanisë Kelpkos për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në fshatrat e Rugovës për rreth 120 milion euro. Ndërsa vetë kompania në regjistrimin e saj figuron me vetëm një punëtor dhe një mijë euro kapital. Plani zhvillimor komunal e ka ndaluar projektin deri në vitin 2016 kur zyra e rregullatorit të energjisë ka pranuar kërkesën e kompanisë për gjenerimin e energjisë. Synimi i kompanisë dhe i bashkëpunëtorëve të tyre në institucionet përkatëse publike është që projekti të kalojë heshturazi, pa kundërshti dhe pa njoftimin e qytetarëve. Këtë gjë nuk po e lejojnë qytetarët e Pejës të cilët ditën e nesërme organizojnë një protestë kundër këtij projekti. Ne jemi për energji alternative, por jo në kurriz të shkatërrimit të natyrës. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! e mbështet protestën e qytetarëve të Pejës, i bashkohet asaj dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Pejës që të bëhemi bashkë kundër shkatërrimit të Lumbardhit dhe bukurive natyrore të Pejës. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse nga ministria deri te inspektorati mjedisor që të pezullojnë çdo aktivitet të lidhur me avancimin e këtij projekti”, kanë thënë ata.

Telegrafi,  24.02.2019