Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TEC “Kosova e Re” do rrisë çmimin e energjisë me 50%

Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut.

“Duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtoj të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtëritshme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit”, theksohet në një komunikatë për media.

Përkundër një procedure të diskutueshme kontraktuese të tenderit, ContourGlobal është përzgjedhur si operatori kryesor i termocentralit ‘Kosova e Re’.
“Edhe sot, ky projekt po vazhdon të dëshmojë se me ndërtimin e tij, do të ndikojë në rritjen e tarifave të faturave të energjisë elektrike, do të dëmtojë rëndë buxhetin dhe tatimpaguesit kosovar, dhe do të dërgoj vendin drejt falimentimit”, kanë thënë Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në komunikatën për media .

Sipas tyre Termocentrali “Kosova e Re” ka një çmim të garantuar prej 80 euro/MWh.

“Kosova ka themeluar kompaninë publike NKEC, e cila do të shërbejë si ndërmjetësues në mes të Contour Global dhe pjesës tjetër të tregut të energjisë në Kosovë. Pra, NKEC detyrohet të blejë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, edhe nëse tregu nuk e kërkon. Atë energji NKEC do t’ia shesë KEDS-it apo dikujt tjetër me çmim më të lirë se kostoja ngase çmimi mesatar rajonal është 50-60 euro/MWh. Kështu, shteti dhe tatimpaguesit kosovarë e marrin mbi supe diferencën e çmimit prej minimum 20-30 euro/MWh”.

Ky projekt do të ndikojë edhe në ngritjen e çmimit në fatura të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Shembulli i infografikës i zhvilluar nga Balkan Green Foundation dhe INDEP tregon që një familje që konsumon energji prej 700 kWh me çmimin mesatar 5.5 cent për kWh, kur përkthehet në faturën mujore totali do të jetë afro 40 euro. Ndërsa, nëse jetësohet TC ‘Kosva e Re’, çmimi mesatar për rreth 9 cent për KWh, bën që fatura e një familje të jetë për mbi 50 % më e lartë”.

Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), theksojnë ky projekt nuk do të sigurojë pavarësi të furnizimit energjetik, do të minoj rrugëtimin e vendit drejt proceseve integruese, dhe do të shkaktojë dëme të pakthyeshme në mjedis.

Telegrafi,  08.02.2019