Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, ZRRE miraton planin tre-vjeçar të punës

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur mbledhjen e tij të parë për këtë vit, ku ka shqyrtuar mbi 20 pika që kanë të bëjnë me  rregullimin e sektorit të energjisë në vend.

Bordi në këtë mbledhje ka aprovuar fillimisht Planin trevjeçar të punës (2019-2021) të ZRRE.

Plani i punës është një dokument që paraqet hapat e nevojshëm që do të ndërmerren nga ZRRE për përmbushjen e obligimeve që dalin nga legjislacionin primar dhe sekondar.

Po ashtu plani paraqet mekanizmat e nevojshëm që do të ndërmerren nga ZRRE për të përmbushur detyrimet  në lidhje me hapjen e tregjeve me pakicë dhe rregullimin e sektorit në përgjithësi.

Në këtë mbledhje, Bordi ka amandamentuar Kodin e standardeve elektrike. Kodi i Standardeve Elektrike është dokument që specifikon ndër të tjera standardet e tensionit dhe frekuencës me të cilat operon sistemi energjetik i Kosovës.

Ky kod përcakton rregullat që duhet të ndiqen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe nga gjithë shfrytëzuesit e sistemit për të siguruar që prodhimi (gjenerimi), transmetimi dhe konsumi i energjisë elektrike mund të kryhen duke përdorur rrjetin e përbashkët publik të energjisë elektrike.

Gjithashtu janë aprovuar kërkesat për 8 projekte, që do të jenë në pritje, për instalimin e paneleve solare në kapacitet prej 24 MW dhe gjithashtu edhe kërkesat e dy konsumatorëve për prodhimin e energjisë elektrike për vet-konsum nga panelet solare në kapacitet prej 14.88 kW.

Në këtë mbledhje janë shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me rregullimin e sektorit dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  31.01.2019