Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Një moratorium për HEC-et e vegjël

Ministrja e Energjitikës Belinda Balluku, ka premtuar se do të rishikojë lejet për rreth 400 HEC-e të vegjël, të liçensuar nga qeveritë shqiptare “Berisha” e “Rama”, të cilat janë përdorur si argument pë rritjen ekonomike dhe fuqizimin e tregut hidro-energjitik në Shqipëri.

Shifra është anomalisht e lartë dhe në pamje të parë duket një ide e suksesshme, që ka detyruar biznesin të investohet në këtë drejtim.

Por nëse gërmon pak më thellë, duket se fuqia kryesore që ka vënë në lëvizje këtë mekanizëm, është se shteti ka ofruar një fitim të sigurtë për ta, dhe një mekanizëm korupsioni për zyrtarët e vet.

Nëse një ide e suksesshme qeverisjeje konkurron dhe mbijeton në tregun e lirë, me kaq shumë forcë sa ka mbijetuar dhe vazhdon të mbijetojë kjo ide e vitit 2007, ajo është vërtet një ide gjeniale.

Por në fakt, tek kjo histori gjeniale është vetëm shpikja për të garantuar disa biznesmenë që paratë i kanë të sigurta dhe për këtë, të parapaguajnë për licensat që marrin.

Odiseja e HEC-eve të vegjël shkon kundër dy prioriteve të zhvillimit të tregut energjitik në Shqipëri, në kundërshtim me ato që rekomandon OKB dhe BE për Shqipërinë.

Sipas OKB-së, Shqipëria është një nga dy vendet europiane që duhet të diversifikojë urgjent tregun e energjisë, pasi e ka atë të varur tërësisht nga burimet hidrike.

Në kushtet e ndryshimeve klimaterike dhe shterjes së rezervave ujore, Shqipëria është duke investuar në drejtim të kundërt të prioriteteve që i ka caktuar OKB.

Ajo duhet të diversifikojë burimet e energjisë, duke investuar në parqe eulike dhe ato solare, apo qoftë dhe termocentrale.

Ideja e vazhdimit të licensimit të HEC-eve të vegjël është tërësisht në kundërshtim me këtë prirje.

Së dyti, Bashkimi Europian i ka vënë kusht Shqipërisë për të liberalizuar tregun e energjisë. Afatin e parë e ka pasur në vitin 2018. HEC-et e vegjël vazhdojnë mbështeten mbi çmimin e fiksuar të blerjes së energjisë nga shteti, duke vrarë rregullat e tregut të lirë.

Nëse ato do të ishin lënë në treg të lirë, asnjë biznesmen nuk do të ofrohej të investonte. Kjo shpjegon dhe faktin që ato janë një ide fallco e pompuar me lekët e taksapaguesve, janë PPP të fshehta, të shpikura nga qeveria “Berisha”, e të vazhduara nga qeveria “Rama”.

Nëse një biznemen do të ofrojë leje ndërtimi për HEC-et për ta shitur energjinë ku të mundte, dhe sa të ishte çmimi i tregut, ai nuk do investonte.

Pra, ky është një treg artificial, nuk është një treg real dhe i mbështetur mbi rregulla tregu. Për këtë arsye, është dhe një ide jo-funksionale, që përveçse nuk i bën ndonjë nder tregut të energjisë, është kthyer sot në një problem të rëndë mjedisor dhe ka shkaktuar plagë sociale.

Disa prej këtyre HEC-eve, u kanë marrë fshatrave burimin jetik për mbijetesë, kanë fshehur ujin duke e futur në tuba, duke shkatërruar ekosistemin, dhe kanë dëmtuar rëndë mbijetesën e tyre.

HEC-i në Sotirë, në ujvarën e famshme të Gramshit, që është vend pelegrinazhi nga gjithë Shqipëria, në fakt ka boshatisur fshatin Sotirë.

Njerëzit janë lodhur t’ia dalin me biznesmenët e HEC-it që shkelin kontratën për marrjen e ujit, dhe kanë lënë fshatin pa ujë për të mbijetuar. Si përfundim, dikur aty kishim një fshat që jetonte nga uji dhe ujvara, tani kemi një “kolonizator” që bën lekë nga uji i ish-ujvarës, por nuk kemi më fshat. Ata kanë ikur.

Një fenomen i tillë po vërehet tashmë me HEC-e të ngjashme në Hormovë, Mezhgoran apo Nivicë e Zagorie, ku uji që do të devijohet në tuba, do të prishë ekosistemin, do rrezikojë mbijetesën e mijëra kokëve bagëti që e kishin përroin burim jetese, të mbjellat e fshatarëve që jetojnë me to, e deri tek uji i pijshëm.

Kontratat fiktive se gjoja ndërtuesit do t’i lënë dhe ca ujë fshatit për të mos vdekur, jo vetëm që nuk zbatohen, por janë burim i përhershëm konflikti. Dhe këtu me siguri të gjithë do kujtohen, kur dikush të shpërthejë ndonjë sasi dinamiti mbi ndonjë nga këto HEC-et, apo larg qoftë, kur të gjendet dikush i vdekur pas ndonjë konflikti të tillë.

Dhe e gjitha kjo, në emër të asgjëje të dobishme.

Beteja për HEC-et e vegjël nuk është betejë për ndonjë treg energjie të qëndrueshëm dhe as të bazuar mbi rregulla tregu, por mbi një ide fiktive, bazuar tek korrupsioni i vogël i zyrtarëve që licensojnë kundrejt garancive të mëdha që ka dhënë qeveria në blerjen e mallit që prodhojnë.

Përrenjtë shqiptarë kanë ujë kur Shqipëria përmbytet dhe kur çmimi i energjisë është përtokë, ndërsa ne ua blejmë me çmim të fiksuar.

Në verë kur kemi nevojë për energji, ata kanë aq pak ujë, sa nuk del të pijnë as bagëtitë rrotull tyre.

I vetmi dëm real që bëjmë, është që ata vlejnë më shumë si përrenj të egër me ujë, se sa si burime hidrike.

Veriu i Shqipërisë, tregu më i konsoliduar i turizmit malor, është tashmë në pikëpyetje nga kjo histori. Të gjithë ne merremi me Valbonën, se atë njohim, por në fakt nuk ka ngelur përrua e lum i vogël mbi Drin, që nuk është futur në tuba, nga Valbona deri në Dukagjin.

Dhe heshtja vjen nga zbrazja e zonës prej popullsisë dhe shkretimi që sjell ky fenomen.

Kjo qeveri ka ndërmarrë shumë moratoriume të vlefshme. Moratoriumi për gjuetinë, fjala vjen, ka qenë një ide brilante, pasi ka mbushur pyjet dhe malet e Shqipërisë me kafshë të egra.

Moratoriumi për pyjet po shton gjelbërimin. Heqja e lojrave të fatit, po kthen paqen sociale në qytetet e kapura nga krimi i lojërave të fatit.

Do të ishte mirë që ministrja Balluku ta shikonte seriozisht moratoriumin për HEC-et e vegjël dhe ta mbyllë këtë histori.

Mos jepni më asnjë liçencë dhe verifikoni e hidhni në kosh çdo licensë që është shitur e rishitur, që është dhënë vite më parë.

Kështu do të vendoset jo vetëm paqja me natyrën, por do çmontohet dhe një makanizëm korrupsioni, që ekziston gjoja në emër të tregut të energjisë.

Gazeta Tema,  27.01.2019