Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Banorët e Shkupit dalin në protestë për nivelin e lartë të ndotjes

E shtuna u kthye në ditë proteste në Shkup, ku qytetarët kanë dalë në rrugë të ngrenë zërin ndaj ndotjes së ajrit, që shpesh e ka vendosur kryeqytetin maqedonas në krye të listave botërore për këtë fenomen.

Ata kërkuan nga autoritetet që të marrin masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit që ka shtuar vdekshmërinë, si pasojë e sëmundjeve kancerogjene. Në protestë, sipas Zërit të Amerikës, nuk u pa të kishte shqiptarë.

Pankartat e shkruara në maqedonisht u drejtoheshin deputetëve republikanë dhe ministrave në qeverinë e Zoran Zaevit, të cilët, sipas tubuesve, nuk po hedhin hapat e nevojshme për uljen e ndotjes së ajrit, që sidomos në muajt e dimrit, arrin përmasa alarmante.

“Nuk mundet që qytetin më të ndotur të botës ta pastroni me mjete buxhetore prej një milion e gjysmë eurosh, në një kohë kur shpenzimet tuaja për rrugë, për të cilat kompensoheni nga buxheti, arrijnë 2 milionë euro në vit”, – tha organizatori i protestës, Kristijan Uzunov.

Protestues të tjerë vlerësojnë se masat e deritanishme qeveritare nuk janë gjë tjetër veçse truke për të mashtruar popullatën. Nga ana tjetër, inovatorë të Fakultetit të Shkencave Informatike thonë se kanë gjetur mënyrën e zbutjes së shkallës së ndotjes së ajrit, përmes disa cisternave që spërkasin ujë në formë shiu. Gjashtë cisterna të tilla me traktorë, sipas tyre, do të mjaftonin për ta mbajtur ajrin e pastër në Shkup.

Top Channel,  28.01.2019