Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në mars nis ndërtimi i ndërlidhjes së TAP

Ndërtimi fizik i ndërlidhjes së tubacionit TAP me seksionin “TAP Interconnection” pritet që do të fillojë në shkurt-mars 2019. Këtë informacion e bëri te ditur kompania italiane SNAM, një ndër aksionerët e projektit.

TAP Interconnection është tubacioni i gazsjellësit (shtrihet për rreth 55 km) nga TAP PRT (Melendugno) në rrjetin ekzistues Snam Rete Gas në Brindisi / Mesagne dhe kalon komunat Melendugno, Vernole, Castrì, Lizzanello, Lece, Surbo, Torchiarolo, San Pietro Vernotico, Brindisi.

Pak ditë më parë u njoftua se Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), i cili parashikon transportin e gazit azerbajxhanas në Europë, do të vihet në veprim deri në vitin 2020. Kjo u raportua nga mediat italiane duke cituar Propozimin për një Plan Kombëtar të Integruar për Energji dhe Klimë (PNIEC) të dërguar nga Ministria Italiane e Zhvillimit Ekonomik në Komisionin Europian.

“TAP, i cili do të lejojë importimin e rreth 8.8 miliardë metra kub gaz në vit në Itali, me mundësinë e zgjerimit të 10 miliardë metra kub në vit, do të vihet në veprim deri në vitin 2020″, thuhet në Planin Kombëtar të botuar në faqen e internetit të ministrisë italiane.

Projekti TAP, me vlerë 4.5 miliardë euro, është një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Europian (BE). Projekti parashikon transportin e gazit nga Shah Deniz Faza e Azerbajxhanit në vendet e BE.

Duke u lidhur me tubacionin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin greko-turk, TAP do të kalojë Greqinë Veriore, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të vinte në breg të Italisë se Jugut për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.

Projekti është aktualisht në fazën e ndërtimit, i cili filloi në vitin 2016.

Sapo të ndërtohet, TAP do të ofrojë një rrugë transporti direkte dhe me kosto efektive duke hapur Korridorin vital të gazit jugor, një zinxhir të vlerës së gazit prej 3,500 kilometrash që shtrihet nga Deti Kaspik në Europë.

Aksionerët TAP përfshijnë BP (20 për qind), SOCAR (20 përqind), Snam S.p.A. (20 për qind), Fluxys (19 për qind), Enagás (16 për qind) dhe Axpo (5 për qind).

Monitor,  11.01.2019