Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova importon 70 mln euro energji në vit

Kosova, vendi i pestë në botë për nga rezervat e linjitit, ka importuar rrymë me vlerë prej 70 milion eurosh në vit për të mundësuar furnizimin me energji elektrike në vend. Rreth 22% e gjithë energjisë së shpenzuar gjatë vitit 2017 ishte importuar, theksojnë të dhënat e publikuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

‘Importi plotëson kërkesën për energji elektrike nga viti në vit, çmimi i të cilit vazhdon të jetë i paparashikuar. Vetëm në vitin 2017, Kosova ka mbuluar rreth 22% të kërkesës duke importuar energji elektrike me një kosto prej 70 milion eurosh’, thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Ndryshe, vendet nga rajoni, ku Kosova kryesisht importon energjinë elektrike, kanë paralajmëruar rritje të çmimeve të energjisë për rreth 40%. Kompani të ndryshme të furnizimit në rajon theksojnë rritjen e çmimit të energjisë në berzë si një prej arsyeve kryesore të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundor.

Marrë parasysh vlerat e mëdha të importit të energjisë elektrike në Kosovë, kjo rritje padyshim se do të ndikojë edhe në çmimet e energjisë në vend.

Sipas MZHEsë, në vitin 2023, pas mbylljes së termocentralit Kosova A, kërkesa për energji elektrike do të plotësohet me 23% nga burimet e ripërtërishme, 50% nga termocentrali Kosova B, ndërsa termocentrali Kosova e Re do të mbulojë rreth 37% të kërkesës, duke eliminuar këtu nevojën për import.

Çmimi i energjisë elektrike për biznese në Kroaci ka shënuar rritje këtë vit, deri sa rritje të ngjashme për vitin 2019 janë paralajmëruar dhe në Serbi prej rreth 20%, dhe Bosnje dhe Hercegovinë prej rreth 15%. Në të njëjtën kohë, çmimi i energjisë elektrike në Rumani do të shënojë rritje deri në 40%, raporton Balkan Green Energy News.

Të dhënat nga SEEPEX për shkëmbimin e energjisë elektrike në Serbi tregojnë se në fillim të vitit, çmimi i energjisë elektrike ishte rreth 50 euro për megavat orë deri sa për momentin, çmimi për megavat orë në të njëjtin vend ka arritur në 70 euro.

Trend i rritjes së cmimit të energjisë elektrike është shënuar edhe në tregun Hungarez të shkëmbimit të energjisë (HUPX), ndër tregjet më të preferuara nga furnizuesit në rajon.

Insajder,  07.01.2019