Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investimet e gjelbra po rriten me shpejtësi

Asetet financiare të gjelbra janë një pjesë e vogël, por e rëndësishme, e totalit

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, nëse bota do të merret me trajtimin e ngrohjes globale, shuma të mëdha parash, rreth 3.5 trilionë dollarë amerikanë në vit, nga tani e deri në 2025, do të duhet të shkojnë për kërkim dhe gjenerim të energjisë së pastër, shkruan The Economist. Kapitali do të duhet të zhvendoset nga industritë me intensitet të lartë të karbonit tek ato të pastra.

Kjo do të thotë që menaxherët e aseteve do të duhet të ofrojnë më shumë produkte të investimeve të gjelbra dhe rregullatorët do të duhet të vendosin standarde që u mundësojnë investitorëve të bëjnë zgjedhje të gjelbra. Megjithatë shumë është bërë edhe deri në këto momente. Gjatë një dekade, asetet financiare të gjelbra janë rritur. Edhe pse ato përbëjnë një pjesë të vogël të totalit, ajo është shumë e rëndësishme.

Sipas vlerësimit të shoqatës SIF, në Amerikë, aty ku skepticizmi rreth ndryshimeve klimatike ndeshet shpesh, klima është kriteri më i përdorur “ESG” (mjedisor, social dhe qeverisës) midis menaxherëve të aseteve. Që prej këtij viti, 3 trilionë nga 46.6 trilionë dollarë të aseteve amerikane të menaxhuara në mënyrë profesionale do të shkojnë për çështjet klimatike, më shumë se dyfishi i shumës në vitin 2016. Obligacionet e para “të gjelbra”, të cilat mbledhin fonde për projektet mjedisore, u emetuan fillimisht nga Banka Botërore në vitin 2008.

Sipas bankës SEB, rreth dhjetë vjet më vonë, më shumë se 170 miliardë dollarë emetohen çdo vit. Kjo është e barabartë me 2.5% të emetimit të obligacioneve globale. Vitin e kaluar, emetuesi më i madh ishte Fannie Mae, një nga gjigantët hipotekorë të Amerikës, me 27.6 miliardë dollarë në letra me vlerë.

Përkufizimet janë ende të ndryshme. Kina, për shembull, i lejon obligacionet e gjelbra të financojnë projektet e pastra “të qymyrit”, gjë të cilën Perëndimi nuk e lejon. Paratë e grumbulluara janë shpenzuar kryesisht në vendet e pasura, ndërsa projektet e zhvilluara në vendet e varfra kanë qenë shumë të pakta, duke qenë se ato perceptohen ende si tepër të rrezikshme. Por suksesi i obligacioneve të gjelbra ka ndikuar në frymëzimin e klasave të tjera të aseteve ekologjikisht miqësore. Në shtator të këtij viti, Vasakronan, një ndërmarrje suedeze e menaxhimit të pronës, lëshoi dokumentin e parë komercial të gjelbër, d.m.th., borxhin e shkurtër, për financimin e shpenzimeve afatshkurtra të ndërtesave ekologjikisht miqësore të firmës.

Kompania Seychelles kohët e fundit ka nxjerrë obligacionet “blu” për të financuar peshkimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e oqeanit. Investitorët e kapitalit mund t’i vendosin paratë e tyre në indikatorët e indeksit të ulët të karbonit. Investitorët nuk janë të motivuar thjesht nga shqetësimet e shumta në të gjithë globin, por edhe sepse ndryshimi i klimës mund të ndikojë drejtpërdrejti në firma të ndryshme. Për shembull, rritja e nivelit të detit mund t’i shkaktojë dëme të mëdha fabrikave aty pranë.

Disa u frikësohen efekteve që situata mund të ketë në portofolin e tyre si pasojë e ndryshimeve në politikat qeveritare, siç janë tatimet më të larta të karbonit, të cilat do të godisnin çmimet e aksioneve të emetuesve të mëdhenj. Sipas Mercer, një firmë konsulence, kthimet mesatare vjetore nga fabrikat e qymyrit mund të bien me 26-138% gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Një qasje është që të përjashtohen firmat ndotëse ose asetet: Fondi sovran i Norvegjisë prej 1 trilion dollarësh, për shembull, nuk i përfshin fare fabrikat e qymyrit, as ato me emetim të ulët të karbonit. Ndërsa një tjetër qasje është që të investohet te fabrikat aktuale, duke u munduar që të minimizohet sa më shumë dëmi që ato shkaktojnë. Ndoshta grupi më i madh që kërkon të angazhohet në këtë mënyrë është Climate Action 100+, që përfshin investitorë institucionalë me një vlerë asetesh prej 32 trilionë dollarësh amerikanë. Ajo po përpiqet që të marrë 100 kompanitë me ndotjen më të lartë në botë, që përfaqësojnë dy të tretat e emetimeve globale të gazrave serrë midis tyre, në mënyrë që të reduktojë sa më shpejt emetimet e tyre dhe për t’u dhënë investitorëve më shumë informacion për klimën.

Shumica e investitorëve e ngatërrojnë shpronësimin dhe angazhimin. CDPQ, fondi i pensioneve të Quebecit prej 300 miliardë dollarësh, ka për qëllim të ulë emetimet e karbonit për një dollar të investuar, me rreth një të katërtën deri në vitin 2025. Rregullatorët po fillojnë të sigurohen që investitorët të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm për të bërë zgjedhje të gjelbra dhe se bankat të jenë duke menduar për rreziqet klimatike. Bashkimi Europian po planifikon të mandatojë që këshilltarët financiarë t’u tregojnë klientëve rreth opsioneve të investimeve ESG.

Banka e Anglisë kërkon që bankat dhe siguruesit të raportojnë për cenueshmërinë e tyre ndaj ndryshimeve klimatike. Por mungesa e të dhënave mbetet një prej problemeve kryesore. Në vitin 2016, vetëm 21 kompani në mbarë botën raportuan të gjitha emetimet e tyre të drejtpërdrejta, ka deklaruar 100% Club, një grup lobist. Edhe pse po rritet me ritme të shpejta, financimi i gjelbër është ende i pazhvilluar. Ashtu si çdo gjë tjetër në luftën kundër ndryshimit të klimës, kjo e bën atë një sukses, edhe pse të pabarabartë me nivelin e problemit që po përpiqet të zgjidhë.

Monitor,  26.12.2018