Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Impianti fotovoltaik lundrues, KESH dërgon aplikimin në MIE

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ashtu sikurse kishte deklaruar edhe më herët për një projekt të mundshëm në impiantet fotovoltaike ka depozituar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë aplikimin  e saj. Kapaciteti i propozuar për këtë impiant fotovoltaik lundrues mbi HEC-ine  Vaut të Dejës është 12.9 MWp. Në një njoftim të saj ministria bëri me dije edhe detajet për këtë aplikim.

“ Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:

Shoqëria “KESH” Sh.a. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti lundrues fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 12.9 MWp, në sipërfaqen e rezervuarit të HEC Vau i Dejës, në zonën Vau i Dejës, Qarku Shkodër, energjia elektrike e prodhuar prej të cilit do të tregtohet në treg të lirë.

Aplikimi i detajuar për publikun e interesuar, i Shoqërisë “KESH” Sh.a., mund të gjendet pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Adresa: Rruga “Abdi Toptani”, Nr. 1 Tiranë. Afati për dërgimin e objeksioneve ose komenteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është 15 ditë, duke nisur nga data e publikimit të këtij njoftimi në faqen zyrtare: www.infrastruktura.al” thuhet në njoftimin e ministrisë.

Dy javë më parë kjo ministri bëri publik urdhrin që pezullon shqyrtimin e aplikimeve për parqet fotovoltaikë që nuk janë objekt koncesioni duke argumentuar se ka pasur një interes të lartë dhe se duhet të rishihet edhe një herë kuadri ligjor pasi kapacitetet e parashikuara janë tejkaluar.

Monitor,  04.10.2018