Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ambientalistët rumunë kundërshtojnë lejen për centralin e qymyrit

Aktivistët ambientalistë kanë kërcënuar se do të padisin Rumaninë për mosvlerësimin e duhur të ndikimit që do të ketë në mjedis dhënia e lejes për funksionimin për një kohë të papërcaktuar të një prej ndotësve më të mëdhenj në vend, centralit të qymyrit.

Qeveria rumune po përballet me një opozitë të fortë, pasi një agjenci lokale e mbrojtjes së mjedisit dha një leje, e cila lejon një nga centralet më të mëdha, më të vjetra dhe më ndotëse të qymyrit që të veprojë për një kohë të pacaktuar. Greenpeace Rumania dhe Client Earth, të dyja OJF për mbrojtjen e mjedisit, njoftuan se kanë paraqitur një ankesë për dhënien e lejes për funksionimin për një kohë të papërcaktuar të centralit të qymyrit të Rovinarit, në rajonin Gorj, në jugperëndim të Rumanisë.

OJQ-të thanë se kanë paraqitur një ankesë, duke kërkuar nga Agjencia Gorj për Mbrojtjen e Mjedisit të anulojë lejen e lëshuar në shtator të këtij viti, për shkak se ky central nuk përputhet me ligjet e reja dhe më të ashpra të ndotjes së mjedisit të vendosura nga BE-ja dhe as nuk merr në konsideratë ndikimin që do të ketë në shëndetin publik dhe në mjedis.

Kjo është një sfidë administrative edhe për vetë autoritetet, sepse ato do të duhet të japin një përgjigje për secilën nga ankesat e bëra ligjore. Dhe më pas, nëse nuk u përgjigjen ankesave dhe kërkesave tona, ne nuk do të ndalemi, por do të kërkojmë një mënyrë për të marrë një përgjigje nëpërmjet gjykatës, tha për BIRN avokatja e Client Earth, Dominique Doyle.

Prandaj, duhet të vlerësohet ndikimi i këtij centrali në ndotjen që ai do të ketë në mjedis, tha më tej znj. Doyle. Ajo tha se në 40 vitet që fabrika ka funksionuar rregullisht, nuk ka pasur kurrë një studim të vlerësimit të ndikimit të saj në shëndetin publik apo në mjedis.

Për aktivistët, qëllimi më i rëndësishëm është që qeveria të vazhdojë të ndihet nën presion. Ndonëse mund të na duhet një kohë e gjatë për të zgjidhur këtë problem, ne duhet me të vërtetë të ushtrojmë presion te këto organe në përputhje me ligjin mjedisor, sepse ata kanë detyrimin për të mbrojtur njerëzit. Ata duhet të ndërgjegjësohen se janë të vetmit përgjegjës për marrjen e vendimit, tha më tej znj. Doyle.

Në raportin IPCC të OKB-së, i kohëve të fundit, u konfirmua se deri në vitin 2030, Europa duhet ta zëvendësojë sistemin e saj energjetik, edhe pse fatkeqësisht një pjesë e madhe mbështetet në industrinë e qymyrit.
Centrali Energjetik Rovinari është pjesë e Kompleksit Energjetik Rovinari, i administruar nga Kompleksi Energjetik, Oltenia, në pronësi të shtetit. Fabrika, pranë qytetit Rovinari, rrethohet nga shtatë gurore të mëdha të linjitit që e furnizojnë atë.

Sipas organizatës, Europe Beyond Coal, Rovinari renditet e 33 ndër fabrikat me ndotjen më të lartë në të gjithë Bashkimin Europian. Po sipas kësaj OJF-je, për shkak të ndotjes së emetuar nga ky central u shkaktuan 142 vdekje të parakohshme në rajon në vitin 2015.

Përpara se fabrika të nisë punën sërish sërish, duhet të bëhet një vlerësim i saktë në lidhje me ndikimin në mjedis dhe në speciet që ndodhen pranë kësaj zone, tha aktivisti Cosmin Plescan i Greenpeace Romania. Nëse këto vlerësime nuk kryhen tani, ato nuk do të bëhen më pasi centrali të fillojë punën dhe dëmi do të jetë i pakthyeshëm për të gjithë njerëzit, natyrën dhe klimën, argumentoi ai më tej. Në shtator të këtij viti, Ministria rumune e Energjisë vendosi të aktivizojë guroren Rosia, më e madhja në kompleksin Rovinari, me qëllim që të sigurohej se Rumania do të ketë linjit të mjaftueshëm për të furnizuar centralin deri në fund të marsit 2019.

Ministria tha në një deklaratë për shtyp se ishte e detyruar të vepronte në këtë mënyrë, për shkak të shqetësimeve kombëtare mbi sigurinë energjetike. Rumania varet ende shumë nga guroret e linjitit në Rovinari, Turceni dhe Craiova, të gjitha në rajonin Oltenia në Rumaninë jugore, dhe që prodhojnë një të tretën e energjisë elektrike të vendit.

Në 2012, kompania kineze, Hunadian Engineering, njoftoi se ishte e gatshme të investonte 1 miliard dollarë në ndërtimin e një centrali me kapacitet prej të paktën 600 MW në Rovinari. Por partitë vendase nuk arritën të bien dakord, pasi pala kineze kërkoi që shteti të garantojë një çmim minimal për energjinë nga fabrika e re, gjë të cilën BE-ja nuk e lejon. Negociatat rifilluan në 2017 dhe janë në zhvillim e sipër.

Monitor,  01.12.2018