Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rumani, çmimi dhe qasja ndaj energjisë, parimet kryesore

Rumania synon të caktojë “çmimin dhe qasjen” ndaj energjisë, si parimet udhëzuese të presidencës së saj të BE-së, vitin e ardhshëm. Ajo do të përqendrohet edhe në çështje si përmbushja e objektiva klimatikë, projektet e reja të gazsjellësit dhe të qymyrgurit dhe ato të industrisë së energjisë bërthamore.

Më 1 janar të 2019-s, ajo do t’ia marrë Presidencën e BE-së Austrisë, në një mjedis politik jo të favorshëm, të kufizuar nga Brexit dhe zgjedhjet europiane të majit të 2019. “Periudha në të cilën ne do të mbajmë Presidencën e BE-së është e shkurtër dhe kjo do të jetë një sfidë e vështirë për ne”, tha në Bruksel, një diplomat për gazetarët javën e kaluar. Rumania do të ketë vetëm tre muaj kohë për mbylljen e dosjeve legjislative, para se Parlamenti Europian të ndërpresë punimet përpara zhvillimit të zgjedhjeve të majit.

“Për këtë arsye ne do të jemi në garë me kohën, në çfarëdolloj gjëje që bëjmë”, tha më tej diplomati, duke theksuar se dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian, që pritet të ndodhë më 29 mars 2019, do të marrë jo vetëm vëmendje politike, por do të rrisë paparashikueshmërinë politike.
Kjo nuk do të thotë se Bukureshti do të mposhtet nga një mjedis i tillë politik dhe se nuk do të përpiqet që të realizojë objektivat gjatë periudhës gjashtëmujore që do të jetë në krye të Presidencës së BE-së.

Ndryshimet klimatike do të zënë një vend të rëndësishëm në axhendën tonë, tha ai përpara gazetarëve. Një vend të veçantë do të ketë dekarbonizimi i transportit, duke cituar një projektligj të propozuar të BE-ja për të reduktuar emetimet e CO2 nga kamionët, direktivën e Eurovignette, si dhe rregullat e reja ndaj gomave të makinave. Në nëntor të këtij viti, Komisioni Europian do të paraqesë strategjinë për reduktimin e karbonit deri në vitin 2050, duke nisur një proces konsultimi njëvjeçar me shtetet anëtare të BE-së, shoqatat e industrisë dhe palët e tjera të interesuara që do të përfundojë rreth fundit të vitit 2019.

Diskutimet do të përqendrohen kryesisht në rrugët e mundshme për të reduktuar emetimet deri në nivelin zero (deri në vitin 2050), në përputhje me Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike. Edhe Rumania ka kërkuar që të gjithë të jenë të përfaqësuar në këtë diskutim.
Të gjithë ministrave të Këshillit të BE-së do t’u kërkohet që të japin kontributin e tyre, tha diplomati, duke përfshirë ministrat përgjegjës për Mjedisin, Ekonominë, Konkurrencën, Transportin, madje edhe Arsimin. Këtu do të diskutohet edhe mbi industri të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim atë të energjisë bërthamore.

Pikërisht këtu gjërat bëhen më interesante. “Ne jemi pro përdorimit të energjisë bërthamore si një prej burimeve me nivelin më të ulët të karbonit”, tha diplomati përpara gazetarëve, duke theksuar se fatkeqësisht Rumania ka një nga kapacitetet bërthamore më të vogla të instaluara në Europë. Diplomati tha se Bukureshti ka në plan që të zgjerojë kapacitetet e prodhimit të energjisë bërthamore. Gjithsesi në këtë drejtim nuk është rënë dakord për asgjë deri më tani, por nëse ndodh, ajo do të realizohet në gjysmën e dytë të dekadës së ardhshme.

Një tjetër objektiv i Bukureshtit është zhvillimi i projekteve të reja të gazsjellësit. Vendi shpreson të bëhet “së shpejti 100% i pavarur” falë gazsjellësit Bullgari-Rumani-Hungari-Austri (BRUA) nën Detin e Zi. Ndërtimi filloi në qershor të këtij viti, me ndihmën e një granti prej 180 milionë eurosh të dhënë nga Komisioni, të një huaje prej 50 milionë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve dhe një huaje prej 60 milionë eurosh nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Monitor,  10.11.2018