Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, ndalohet përdorimi i qymyrit për ngrohje në institucione

Qeveria ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej dhjetë për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën. Përjashtim nga kjo masë do të bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për aderimin e Kosovës në Shkollën Rajonale të Administratës Publike – ReSPA. Qëllimi i Projektligjit është  aderimi i Kosovës në këtë shkollë që do të avancojë statusin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare me prezencën e saj në forume shumë kombëtare.

ReSPA është organizatë me përfaqësues të Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë. Objektiv i ReSPA-s është përmirësimi i bashkëpunimit në sferën e administratës publike, fuqizimi i shkëmbimit të përvojave me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe zhvillimi i burimeve në administratën publike.

Më mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për inkasimin e mjeteve nga fondet e paalokuara në Buxhetin e Kosovës nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës sipas gjendjes në fund të vitit 2018. Gjendja e këtyre fondeve pritet te jetë mbi 1.2 milionë euro.

Gjithashtu është aprovuar edhe vendimi për të miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për kursime, ndarje dhe transfere buxhetore ndërmjet kategorive të shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2018.

Është miratuar vendimi preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, sipas kërkesës së Komunës  së Gjakovës, të cilat preken nga ndërtimi i “Qarkores së Gjakovës”.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohjen e objekteve publike. Vendimi është bazuar nga përvojat e viteve të kaluara gjatë sezonit të dimrit që paraqiten me një shkallë të lartë të ndotjes së ajrit, që vije edhe si pasojë e emetimit të gazrave në ajër nga mjetet e transportit, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje dhe shënon përqendrim të ndotësve të ajrit në nivel të lartë. Me qëllim të zvogëlimit të ndotjes dhe mbrojtjes së mjedisit, Qeveria synon që përmes shmangies së përdorimit të thëngjillit për ngrohje të objekteve publike, të ulë nivelin e ndotjes.

Qeveria ka aprovuar propozimet e Ministrisë së Administrimit së Pushtetit Lokal, që të aprovohen kërkesat e komunave të Mitrovicës së Veriut, Ranillugut dhe Kllokotit për tërheqje nga procesi i privatizimit dhe kthim në pronësi të komunës të objekteve dhe pronave të paluajtshme me qëllim të realizimit të projekteve të interesit publik.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje të Qeverisë, Gentiana Islamaj është emëruar drejtoreshë e përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Po në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar rregullimin e statusit të përhershëm për të punësuarit në rezidencën presidenciale Ibrahim Rugova.

Gjithashtu me propozimin e Kryeministrit është aprovuar plotësim ndryshimi i Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, me çka do t’i mundësojë që zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të ketë edhe tre këshilltarë politikë në përbërje të kabinetit të tij.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  09.11.2018