Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgari, 10 milionë euro për një fabrikë makinash elektrike

10 milionë euro do të investohen në Bullgari nga prodhuesi kinez i makinave elektrike, Cenntro Automotive dhe SEVIC eMobility me seli në Luksemburg, tha Drejtori i Zhvillimit të Biznesit të SEVIC, Emil Yankov për SeeNews. Kompanitë do të ndërtojnë një fabrikë për prodhimin e makinave elektrike në Zonën Ekonomike të Trakias pranë Plovdivit. Planifikohet që në të, do të punësohen 250 deri në 300 punonjës.

Investimi do të bëhet brenda një periudhe trevjeçare. Në Bullgari, do të prodhohen 60% e pjesëve për automjetet e vogla, ku do të bëhet edhe montimi i tyre. Disa muaj më parë, CEO-ja i Cenntro Automotive, Peter Wang, tha se ai planifikonte që në një të ardhme të afërt ta shndërronte këtë fabrikë në Bullgari në një qendër rajonale.

Automjetet nuk do të jenë për publikun e gjerë, por do të jenë veçanërisht për B2B. Kompanitë investitore janë duke negociuar në këtë drejtim me Domino dhe Ikea në mbarë botën.

“Automjetet do të jenë të llojeve të ndryshme, ku disa do të shërbejnë për transportin e mallrave të ftohta, disa për mbledhjen e mbeturinave dhe të tjera për pastrimin e rrugëve”, thotë z. Yankov. Makinat do të jenë 1.9 metra të larta, 3.7 metra të gjata dhe 1.4 metra të gjera dhe mund të mbajnë deri në 500 kilogramë. Në varësi të llojit të baterisë, çmimi varion nga 15,000 deri në 18,000 euro.

“Ne jemi duke parë për krijimin e një bashkëpunimi edhe me një kompani lokale dhe pas tre vjetësh do të jemi në gjendje të prodhojmë një produkt, që do të jetë tërësisht i yni”, shprehet z. Yankov. Ai shton se qëllimi i SEVIC eMobility është të gjenerojë vlerë të shtuar nëpërmjet prodhimit të një makine elektrike. Gjiganti i tregtisë elektronike të Kinës Alibaba është ndër investitorët kryesorë të Cenntro dhe këtë vit do të marrë rreth 20,000 automjete elektrike.

Monitor,  13.10.2018