Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritja ekonomike, energjia e mban sipër 4% për të dytin tremujor

Prodhimi i lartë i energjisë elektrike e ka shtyrë rritjen ekonomike për të dytin tremujor radhazi sipër nivelit të 4%. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ekonomia shqiptare u rrit me 4.32% në tremujorin e dytë, pasi ishte rritur me 4.45% në tremujorin e parë të vitit.

Dega e energjisë elektrike për tremujorin e dytë u rrit me afro 67.5% me bazë vjetore, duke qenë kontribuuesi kryesor i rritjes. Kjo rritje, që është jashtë një cikli normal dhe që i detyrohet një ndryshimi të thellë të kushteve hidrike krahasuar me vitin e kaluar, sidoqoftë ngre pasiguri lidhur me qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike më tej gjatë vitit.

Një kontribut të lartë për tremujorin e dytë dha edhe industria përpunuese, me afro 11.2%. Rritje ndjeshëm mbi mesataren regjistroi edhe sektori me peshë të lartë i tregtisë, përfshi transportin, akomodimin dhe shërbimin ushqimor, që u rrit me 5.7%.

Rritja e lartë në këta sektorë, sidoqoftë, balancoi rënien e ndjeshme në dy sektorë po q të rëndësishëm, telekomunikacionet dhe ndërtimi. Shërbimet e informacionit dhe komunikimit pësuan rënie me 5.8% me bazë vjetore, duke konfirmuar momentin e vështirë të këtyre tregjeve.

Ndërkohë, ndërtimi pësoi rënie me 2%, por që pjesërisht i detyrohet bazës së lartë krahasuese të tremujorit të dytë të vitit 2017, që përkoi me zgjedhjet e përgjithshme.

Në analizën e rritjes sipas metodës së shpenzimeve, të dhënat e Instat evidentojnë një ngadalësim të ndjeshëm në kontributin e investimeve.

Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me vetëm 1.5%, shumë larg nga nivelet dyshifrore të viteve të mëparshme.

Megjithatë, zhvillim pozitiv është përmirësimi i konsumit privat, që për tremujorin e dytë u rrit me 3.35% me bazë vjetore.

Parashikimet e vendosin rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit pranë nivelit 4%.

Për gjysmën e parë të vitit ky parashikim është tejkaluar, falë superprodhimit të energjisë elektrike. Për pjesën e mbetur të vitit do të jetë shumë e vështirë ruajtja e këtyre ritmeve, duke pasur parasysh kontributin shumë të lartë që ka dhënë dega e energjisë.

Scan Tv,  26.09.2018