Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

A mundet Greqia të bëhet qendër për gazin natyror?

Greqia shpreson që në të ardhmen të shfrytëzojë tubacionet e gazsjellësave në territorin e saj për të eksportuar volumet e saj drejt Europës. Vendi ka ambicie të mëdha për resurset e dy blloqeve në thellësi të mëdha në detin Mesdhe, por do të duhen disa vite për të kuptuar nëse do të kenë rezerva të barabarta me ato të Egjiptit.

Megjithatë, kjo nuk i ndalon njerëzit të flasin për gazin, përkundrazi. Gjatë një takimi mbi tregun e energjisë në Selanik, ministri grek i Energjisë, Michalis Verroiopoulos, u shpreh se “Greqia është në mes të një investimi gjigand në gaz. Kjo vlen si për projektet ndërkombëtare, edhe për tregun e brendshëm. Ka një hapësirë të madhe për gazin natyror në Greqi”.

Aktualisht, Greqia e importon të gjithë gazin që konsumon, 70% e të cilit vjen nga Rusia, ndërsa 15% nga Turqia. Por vendi ka shpresa të mëdha për dy blloqet që po eksplorohen nga konsorciumi ExxonMobil-Total-Hellenic Petroleum.

Nëse këto burime do të kenë rezerva të mjaftueshme për të kënaqur nevojat e tregut të brendshëm dhe për eksport, Greqia synon të shfrytëzojë disa gazsjellës në territorin e saj që lidhen me Europën.

I pari është TAP, i cili në fazën e tij të dytë kur të dyfishohet kapaciteti mund të ketë mundësi të dërgojë gazin grek në Europë përmes Shqipërisë e Italisë.

Së dyti, Greqia synon të shfrytëzojë gazsjellësin e propozuar EastMed, i cili do të nisë nga Izraeli (duke marrë edhe gaz nga Egjipti), për të vijuar në Qipro, Kretë (me mundësinë për një lidhje Greqi-Libi) dhe për t’u lidhur me Italinë përmes gazsjellësit Poseidon.

Megjithatë, EastMed nuk vjen pa shqetësimet e tij ekonomike, për shkak të kostove të transportit të përfshira. Megjithatë, ekspertët besojnë se edhe nëse do të kushtojë 10 miliardë dollarë, kostot do të anashkalohen për shkak se 500 milionë njerëz në BE kanë nevojë për gazin natyror dhe vetë unioni kërkon të diversifikojë sa më shumë burimet e tij të gazit.

Në përgatitje për të pritur gjithë këtë kapacitet shtesë, Greqia planifikon të zgjerojë terminalin në ishullin e Revithoussa në perëndim të Athinës, si dhe të ndërtojë një njësi lundruese ruajtjeje dhe rigazifikimi pranë kufirit me Turqinë.

Scan Tv,  09.05.2018