Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Blair takon Salvinin për t’a bindur për gazsjellësin TAP

Çështja e ndërtimit të gazsjellësit TAP në Itali vijon të mbetet një rrezik për projektin, duke qenë se qeveria e re populiste italiane shprehet kontradiktore në deklaratat e saj.

Në Korrik, ministri i brendshëm Matteo Salvini kishte deklaruar se do ta mbështeste TAP, pasi do të ndihmonte në uljen e çmimit të gazit në Itali. Ndërsa pak ditë më vonë, përfaqësues të Lëvizjes 5 Yjet, përfshirë liderin e saj Luigi Di Maio, ishin shprehur se partia e tyre nuk kishte ndërruar mendje mbi ndërtimin e gazsjellësit, pasi do të ishte i panevojshëm dhe i dëmshëm.

Tashmë, në përpjekje për të bindur qeverinë italiane do të vihet edhe ish kryeministri britanik, Tony Blair, i cili do të zhvillojë një takim në Romë me Salvinin. Blair ka shërbyer njëherazi si konsultant në projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik që prej vitit 2014.

Ky takim vjen në një moment kur Rusia po përpiqet të shtojë influencën e saj në Europë përmes ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2, i cili kundërshtohet fuqishëm nga SHBA, Britania e Madhe dhe Polonia. TAP do të shërbente si një alternativë për burimin e gazit natyror në Europë dhe ka gjetur mbështetjen e tij edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka kërkuar në fund të muajit Korrik kryeministrit italian Conte ta realizojë.

Takimi mes Blair dhe Salvini mbart një rëndësi të veçantë për shkak të asaj që palët përfaqësojnë: nga njëra anë një prej politikanëve populistë të Europës që ka arritur të marrë pushtetin në Itali dhe nga ana tjetër Blair, një prej kritikëve më të mëdhenj të populizmit, në krye të një instituti të dedikuar për ta luftuar atë dhe pasojat e tij.

Scan Tv,  04.09.2018