Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Trepça drejt falimentimit, minatorët nuk i përjashtojnë grevat

Minatorët e Trepçës mund të mbesin pa paga qysh nga ky muaj. Madje, nëse Qeveria nuk ndërmerr ndonjë veprim për të rimëkëmbur situatën e krijuar, do të vihet në pikëpyetje edhe vetë ekzistenca e gjigantit metalurgjik. Nga Sindikata e Minatorëve, fajin për gjendjen në Trepçë po ia lënë menaxhmentit dhe Qeverisë, ndërsa nuk i përjashtojnë as grevat nëse punëtorëve do t’iu jepen pagat, shkruan Express.

Rreth 1 mijë e 300 punëtorë që aktualisht punojnë në Trepçë, mund të mbesin pa paga. Madje në bazë të situatës së tanishme në Trepçe, ata duket se nuk do të arrijnë të marrin as pagën për këtë muaj. E gjithë kjo ngase gjendja në Trepçë është rënduar dhe shitja e prodhimit ka rënë.

E nëse Qeveria nuk ndërmerr ndonjë veprim që ta përmirësojë këtë gjendje, nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje thonë se gjiganti metalurgjik mund të shkojë në falimentim.

Së paku kështu ka deklaruar ish- drejtori i përgjithshëm në Trepçë, Halil Qela, i cili aktualisht është drejtor i flotacionit në këtë ndërmarrje.

“Ne kemi me pas problem edhe për rroga për këta punëtorë e mos të flasim për ekzistencën e Trepçës krejt. Tani ajo është edhe një fatkeqësi shtesë. Do me thanë në Kosovën e pavarur, në liri me ardhur puna që Trepça në pikëpyetje punëtorëve rrogat me iu dhënë, kjo është ma shumë se keq”, ka deklaruar Qela ditë më parë.

Qela deklaron se disa nga arsyet që kanë ndikuar që Trepça të marrë teposhtën janë vonesat në krijimin e bordit, rënia e prodhimit dhe mungesa e organizimeve. Sipas tij, meqë Qeveria e kishte shpallur vitin 2018 vit të Trepçës, ishte dashur të punojë në këtë drejtim.

“Qeveria tash është edhe aksionar formal sipas ligjit, 80 për qind aksionar i Trepçës. Duhet 80 për qind me qenë më e interesuar se pjesa tjetër, mirëpo janë pak edhe disa probleme, sepse me vonesë është bërë formimi i Bordit dhe ende nuk është i kompletuar krejt”, ka deklaruar ai.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë e Kosovës që të marrë informacione se çfarë veprimesh do të ndërmarrë për të rimëkëmbur situatën në Trepçë, por deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë në Sindikatën e Minatorëve, fajin për gjendjen në Trepçë ia lënë Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Shyqeri Sadiku i ka thënë Gazetës Express se gjendja aktuale në Trepçë nuk është aspak e mire dhe se ka rënie të prodhimit krahasuar me vitin paraprak. Gjersa thotë se përgjegjësi kryesor nëse punëtorët mbesin pa paga është menaxhmenti i Trepçës.

“Gjendja aktuale në Trepçë nuk është aspak e mirë, ku ka rënie të prodhimit krahasuar me vitin paraprak, arsyet janë të shumta, një ndër arsyet është keqmenaxhimi pastaj keqpërdorimet, nepotizmi dhe mungesa e fuqisë punëtore dhe kjo rënie e prodhimit ka filluar nga viti 2014 dhe në vazhdimësi”, ka thënë Sadiku.

Sadiku thotë se nëse gjendja nuk përmirësohet, Trepça shpejt do të shkojë në falimentim.

“Gjendja financiare e Trepçës është alarmante ku unë si kryetar i Sindikatës dhe anëtar i Bordit e kam njoftuar Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Bordin e Trepçës dhe menaxhmentin për gjendjen financiare dhe gjendjen e prodhimit dhe nëse vazhdohet kështu shumë shpejt do të shkojë në falimentim”, tha ai.

Minatorët nuk e përjashtojnë as grevën nëse mbesin pa paga, pasi që siç thonë minatorët nuk kanë faj për këtë gjendje. Gjersa thonë se do të kërkojnë edhe rrugë të tjera për të dalë nga kjo situatë.

“Ne do të kërkojmë rrugë të tjera që të dalim nga kjo situatë e cila është krijuar në Trepçë ku fajtor nuk janë minatorët dhe punëtorët e Trepçës, por përgjegjës për gjendjen e Trepçës dihet se kush është. Nuk përjashtohet as greva nëse minatorët mbesin pa paga”, tha Sadiku.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës miratoi, më 8 tetor të vitit 2016  Ligjin për Trepçën, me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.

Me 79 vota për, asnjë kundër dhe 14 abstenime, deputetët e kaluan Ligjin e plotësuar, i cili ngjalli kundërshtimet e deputetëve të Listës Serbe, që nuk qëndruan deri në fund të seancës së dytë, në sallë.

Ligji e përcakton Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit, me synimin, siç thotë, të rikthimit të kontrollit në gjithë gjigantin.

Ekspres,  29.08.2018