Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Grupi Balfin blen Uzinën e Ferronikelit në Drenas

Grupi Balfin ka hyrë në tregun e mineraleve të Kosovës, përmes blerjes së 90% të aksioneve të NewCo Ferronikeli, uzina dhe fonderia e integruar e ferro nikelit e ndodhur në Drenas të Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga vetë Balfin, i cili tha se  do t’i zotërojë aksionet e NewCo Ferronikeli përmes kompanisë me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, NKL Limited, tek e cila Balfin zotëron 90% të aksioneve. Kjo blerje vlerësohet si një hap pozitiv në integrimin mes dy ekonomive.

Newco Ferronikeli ishte prekur nga rënia e çmimeve të nikelit gjatë viteve të fundit dhe nuk kishte operuar me kapacitet të plotë gjatë 18 muajve të fundit, ndërkohë që e kishte ndërprerë plotësisht veprimtarinë gjatë 4 muajve të fundit, sipas njoftimit zyrtar të Balfin.

Balfin njofton se do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për ta rivënë në punë uzinën dhe do ta rikthejë prodhimin me kapacitet të plotë brenda Gushtit, si dhe ka rënë dakord që të paguajë borxhet ekzistuese të kompanisë ndaj furnitorëve sa më shpejtë të jetë e mundur si dhe do të paguajë pagat e pashlyera të punonjësve.

Newco Ferronikeli, me mbi 800 punëtorë përfaqëson punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1500 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e uzinës me lëndë të para dhe logjistikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Në vitin 2013, Balfin hyri në tregun e mineraleve në Shqipëri përmes blerjes së Albchrome.  Nw shkurt 2013, ortakët e “ACR Holding” S.r.l. i kanë shitur shoqërisë “Balfin” sh.p.k. 100% të kuotave të “ACR Holding” s.r.l, sipas njoftimit të atëhershëm nga Ministria e Ekonomisë (më herët koncesioni zotërohej nga italianët e Darfo).

Sipas burimeve zyrtare të Balfin,  Albchrome është duke zbatuar planin e një investimi prej 70 milionë dollarësh i cili prek minierën e Bulqizës për t’ia rritur jetëgjatësinë rezervave të kromit me mbi 20 vjet, si dhe duke rivënë në punë dhe duke investuar me furra të reja në Burrel dhe duke bërë përmirësime domethënëse në fonderinë në Elbasan. Me 2 uzina në të cilat operojnë 4 furra, dhe minierën e Bulqizës, Albchrome ka mbi 1100 punonjës dhe përbën një aktor kyç në sektorin minerar shqiptar, njofton Balfin.

Ferro Nikeli në Drenas në situatë të vështirë

Kompleksi i Ferro-Nikelit në Drenas përfshin një uzinë të prodhimit të nikelit, ndërkohë që zona përreth është e pasur me depozita minerale. Impianti në fjalë është ndërtuar në vitin 1984, duke përdorur teknologjinë sovjetike të kohës.

Grupi Balfin pohon se ka planifikuar të kryejë investime shtesë në Neëco Ferronikelli në mënyrë që potenciali i sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë të mund të vihet në përdorim në mënyrë të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 ton në vit, në mbi 10 000 ton në vit.

Më herët, mediat e Kosovës raportonin se uzina kishte ndërprerë prodhimin që prej fillimit të muajit prill dhe kishte pasur probleme me pagesat e 820 punonjësve.  Kjo për shkak se një pjesë e kulmit të furrës elektrike që është pjesa kryesore në prodhim, është dëmtuar. Ndonëse, janë duke u bërë përpjekje që furrat të riparohen, kjo mund të merr kohë dhe nuk dihet se kur do të mund të nis prodhimi për shkak të kostos shumë të lartë që po u kushton riparimi i tyre, raporton Indeksonline.

Kjo fabrikë edhe në vitin 2016 u përball me një krizë 7 muajshe të mosprodhimit për shkak të mungesës së rezervave.

Po sipas mediave të Kosovës e Maqedonisë, Kompania “Cunico Resources”, e cila ka në pronësi “Ferronikel”-in në Drenas është zhytur në borxhe të mëdha edhe në Maqedoni. Raportohet se “Cunico Resources’ ka pasur detyrime të mëdha në Kosovë e Maqedoni, por shifra nuk bëhet e ditur.

Revista Monitor,  24.07.2018